Ndërlidhjet

Shkollat sekrete si “rreze shprese” për vajzat afgane


Një klasë e improvizuar në Afganistan. Edukimi i vajzave është vështirësuar prej ardhjes së talibanëve në pushtet.
Një klasë e improvizuar në Afganistan. Edukimi i vajzave është vështirësuar prej ardhjes së talibanëve në pushtet.

Në një shtëpi me mure të baltës, dhjetëra vajza afgane ulen në dyshekë plastike dhe ndjekin një ligjëratë.

Për më shumë se një vit, shtëpia në një fshat në provincën jugore Helmand, ka shërbyer si shkollë sekrete për rreth 40 vajza adoleshente.

Në mesin e nxënëseve është Zarghuna, e cila ka qenë në klasën e shtatë kur talibanët e kanë marrë pushtetin në Afganistan, më 2021.

“Jam shumë e lumtur që jam këtu”, ka thënë 14-vjeçarja, emri i së cilës është ndryshuar për arsye të sigurisë.

“Dua të studioj për t’i shërbyer shtetit tim”.

Nxënësja tjetër, Palwasha, ka qenë në klasën e nëntë kur i është ndaluar shkuarja në shkollë.

“Pse nuk u lejohet grave dhe vajzave që të studiojnë dhe të punojnë sikurse burrave dhe djemve?”, ka pyetur Palwasha, emri i së cilës është ndryshuar për t’ia mbrojtur identitetin.

“A nuk janë krijuar prej Zotit të njëjtë?”

Kufizimet e ashpra të talibanëve ndaj edukimit të vajzave kanë nxitur rritje të numrit të shkollave që funksionojnë në fshehtësi nëpër Afganistan, pavarësisht rrezikut të madh për nxënëset dhe mësueset.

Ky trend vlen edhe për jugun e Afganistanit, rajon konservator që ka qenë për kohë të gjatë si bazë e talibanëve.

"Të etura për edukim"

Shkolla e Zarghunas dhe Palwashas është pjesë e një rrjeti prej 21 shkollave sekrete të vajzave në jug të Afganistanit, dhe udhëhiqet prej Fondit Pohana, organizatë joqeveritare e themeluar prej aktivisteve afgane në ekzil, dhe Wazhma Tokhit, e njohur për fushatat për edukim.

Tokhi, e cila ka ikur në Gjemani pas kthimit të talibanëve në pushtet, ka thënë se shkollat i edukojnë rreth 1.000 vajza adoleshente, kryesisht në provincat Helmand, Kandahar, Uruzgan dhe Zabul.

“Qëllimi im është që këto shkolla t’iu ndihmojnë vajzave që ta vazhdojnë edukimim, sidomos ato në rajonet e pazhvilluara”, ka thënë Tokhi.

“Nëse iu jepet mundësia, vajzat dhe gratë afgane janë të etura për edukim”.

Wazhma Tokhi.
Wazhma Tokhi.

Fondi Pohana punëson shumë mësuese në Afganistan dhe u jep paga.

Fondi u ofron edhe tekste shkollore. Në shumë raste, klasat organizohen brenda ambienteve shtëpiake.

Së fundi, organizata e ka zgjeruar rrjetin e shkollave sekrete edhe në provincat Paktia, Kost dhe Logar, si dhe në kryeqytetin Kabul.

Tokhi, e cila vjen prej Zabulit, ka thënë se qëllimi i saj afatgjatë është që t’i mposhtë përpjekjet e talibalëve për t’ua shpëlarë kokën fëmijëve, apo për ta çrrënjosur edukimin sekular, që është përhapur në Afganistan pas pushtimit amerikan, më 2001, që ka rezultuar me rrëzimin e talibanëve nga pushteti.

Prej rikthimit në pushtet, militantët kanë konvertuar shumë shkolla sekulare, universitet publike dhe qendrat e trajnimit, në seminare islamike, çka ka rezultuar me rritje të numrit të medreseve në shtet.

“Talibanët janë të frikësuar që nëse gratë afgane edukohen, ato do t’i rrisn më pas fëmijët me vlera dhe nuk do t’i lejojnë të bëhen pjesëtarë të talibanëve”, ka thënë ajo.

“Thjesht justifikime"

Talibanët kanë thënë disa herë se kufizimet në edukim të grave janë të përkohshme.

Mirëpo ekzistojnë pak shenja që grupi do ta pezullojë ndalesën, pavarësisht rritjes së presionit ndërkombëtar.

Në dhjetor të vitit 2022, talibanët ua kanë ndaluar grave universitetin.

Në dy vjetët e fundit, grupi ua ka ndryshuar grave paraqitjen publike, ua ka kufizuar lirinë e lëvizjes dhe ua ka kufizuar të drejtën për të punuar dhe studiuar.

Ministri i talibanëve për Edukim, Nida Mohammad Nadim, e ka përshkruar edukimin dhe grave dhe vajzave si vlerë joislamike dhe kundër vlerave të afganëve.

Tokhi ka thënë se arsyetimet e talibanëve për edukim të grave janë “thjesht arsyetime” me qëllim të vjedhjes së të drejtës bazike të grave dhe vajzave.

“Ndalesa e talibanëve ndaj grave dhe vajzave, nuk i ka rrënjët as në kulturën afgane dhe as në Islam. Talibanët gjithmonë kanë bërë propagandë për idenë që grave duhet t’iu ndalohet edukimi dhe puna”, ka thënë Tokhi.

Kjo 25-vjeçare ka thënë se sfidimi i mendësisë së talibanëve ka qenë gjë e vështirë në zonat rurale në jug të Afganistanit, prej ku ka nisur të përhapet interpretimi i ashpër i Islamit.

Për t’i bindur autoritetet lokale që t’i lejojnë vajzat të marrin pjesë në shkollat sekrete, Tokhi u ka thënë se mësimet për Islamin janë pjesë e kurrikulës.

Mirëpo mësueset në shkollat sekrete u mësojnë vajzave edhe matematikë, shkencë edhe letërsi.

“Shumë të motivuara”

Farishta ligjëron në një shkollë sekrete në Helmand, që udhëheqhiet prej Fondit Pohana.

Ajo ka thënë se gratë dhe vajzat përballen me një “të ardhme të errët”, nën udhëheqësinë e talibanëve.

Mirëpo ajo ka thënë se shkollat sekrete u kanë dhënë shpresë shumë nxënëseve.

“Të gjitha vajzat janë shumë të motivuara dhe shumë punëtore”, ka thënë Farishta, emri i së cilës është ndryshuar për çështje sigurie.

Nxënëset dhe mësueset mund të arrestohen, burgosen ose të rrihen publikisht, nëse i identifikojnë talibanët.

Prej marrjes së pushtetit, ky grup ekstremist ka burgosur aktiviste që kanë bërë fushatë për edukim të vajzave dhe grave.

Farah, e cila ligjëron në një shkollë sekrete në provincën Kandahar, ka thënë se përfitimet e edukimit, i tejkalojnë rreziqet.

“Këto shkolla janë rreze shprese në këtë errësi të thellë”, ka thënë Farah, emri i së cilës, po ashtu, është ndryshuar për t’ia mbrojtur identitetin.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG