Ndërlidhjet

Shkatërrimi që lanë pas forcat ruse në lindje të Ukrainës


Dyqani i shkatërruar ushqimor i Mykola Myronenko. Dolina, lindje e Ukrainës, 5 tetor 2022.
Dyqani i shkatërruar ushqimor i Mykola Myronenko. Dolina, lindje e Ukrainës, 5 tetor 2022.

“Si ndihemi? Jashtëzakonisht mirë!”, tha në mënyrë sarkastike Maryna Snizhynska, teksa qëndron me motrën, kunatin dhe dajën e saj pranë rrënojave të shtëpisë që ajo kishte ndërtuar për vite me radhë në fshatin Dolina, në lindje të Ukrainës.

“Ne i derdhëm të gjithë lotët tanë”, tha ajo, ndërsa xhaxhai i saj e ndërpreu duke thënë: “Kështu që ne qëndrojmë këtu dhe qeshim”.

“Si budallenj”, shtoi Snizhynska dhe të gjithë shpërthyen me të qeshura të hidhura.

Fshati i Dolinës u rrafshua nga bombardimet si shumë fshatra të tjerë në Ukrainën lindore që u gjendën në vijën e frontit, ndërsa forcat ruse përparonin gjatë pranverës dhe verës, pas pushtimit të 24 shkurtit – dhe u tërhoqën përballë një kundërofensive ukrainase në shtator.

Maryna Snizhynska dhe familjarët e saj, dalin në fotografi pranë shtëpisë së tyre të shkatërruar në Dolina. 5 tetor 2022.
Maryna Snizhynska dhe familjarët e saj, dalin në fotografi pranë shtëpisë së tyre të shkatërruar në Dolina. 5 tetor 2022.

Snizhynska, 42 vjeçe, nuk arriti kurrë të hyjë në shtëpinë e re dhe tashmë nuk do të mund ta bëjë kurrë: banesa e saj u godit nga 12 predha. Shtëpia ku ajo u rrit dhe ku jetonin prindërit e saj, u shndërrua gjithashtu në rrënoja. E njëjta gjë ndodhi edhe me shtëpinë e xhaxhait të saj, Mykola Myronenko, si dhe me dyqanin e tij, një market ku shisnin artikuj ushqimor dhe mallra shtëpiake.

“Fakti është se ne jemi të gjithë të papunë tani”, tha Myronenko, 58 vjeç.

Shizhynska kishte kaluar pesë ditët e fundit duke rrëmuar me të afërmit e saj në rrënojat e këtyre ndërtesave, duke u përpjekur të shpëtonte çfarëdo që kishte mbetur nga jeta e tyre e mëparshme.

“Çfarë nuk u shkatërrua është vjedhur”, tha ajo.

Dolina, një fshat që shtrihet në kufirin midis rajoneve të Donjeckut dhe Harkivit, nuk u pushtua kurrë. Trupat ruse arritën në rrethinat e tij, por ata nuk arritën të depërtonin në Sllovijansk, një qytet aty pranë ku në vitin 2014 filloi lufta midis Ukrainës dhe forcave të mbështetura nga Rusia në rajonin e Donbasit. Gjatë ofensivës së tyre, trupat ukrainase qëndruan brenda shtëpive të braktisura nga banorët.

Kjo familje u largua në mars, pasi predhat goditën shtëpinë e tyre. Fillimisht ata shkuan në Manastirin e Sijatohirskut, rreth 10 kilometra larg, por më vonë u nisën për në perëndim të Ukrainës për të mjekuar djalin e Marynës, i cili u plagos rëndë në këmbë pas bombardimeve të manastirit.

Të gjithë banorët e Dolinës janë larguar në pjesë më të sigurta të Ukrainës, në Evropë ose në Rusi, thanë ata.

“Nuk kemi arsye për t'u kthyer”, tha Myronenko, duke parë kodrat dhe pyjet që e kanë rrethuar pjesën më të madhe të jetës së tij. “Është luftë, çfarë mund të bësh, po të isha ushtar, edhe unë do ta shkatërroja shtëpinë time”.

Një banor qëndron në një veturë pranë një shtëpie të shkatërruar në Dolina.
Një banor qëndron në një veturë pranë një shtëpie të shkatërruar në Dolina.

Të qëndrosh mes rrënojash

Territori i rimarrë nga kundërofensiva e Ukrainës në lindje, shtrihet nga kufiri rus në veri të Harkivit, deri në lindje të qytetit dhe më tej në rajonin fqinj të Donjeckut – pjesë e Donbasit.

Një nga fshatrat e çliruar nga ushtria ukrainase, Ruski Tishki, që ndodhet midis Harkivit dhe kufirit rus, është pothuajse i shkretë. Aty mund të shihen dhjetëra qen endacakë që bredhin nëpër ndërtesat e shkatërruara për të kërkuar çfarëdo që mund të hanë në grumbujt e rrënojave dhe mbeturinave.

Një tank i ndryshkur në rrugën që çon nga Dolina në Sllovijansk.
Një tank i ndryshkur në rrugën që çon nga Dolina në Sllovijansk.

Një grup njerëzish u panë duke qëndruar rreth zjarrit përballë një blloku apartamentesh të djegura pjesërisht, duke gatuar ushqim në një tenxhere. Të tërhequr nga aroma e ushqimit, qentë u afruan duke shpresuar për ndopak ushqim.

Olena Bubiyenko tha se ajo dhe burri i saj nuk mund të largoheshin sepse nëna e saj, e cila është 81 vjeçe, është e paralizuar dhe nuk mund të ecë. Për muaj me radhë ajo qëndroi e shtrirë në një shtrat në bodrumin e një ndërtese të padëmtuar, e rrethuar nga kafaz plot me mace të mbledhura nga fshati.

Trupat ruse u larguan nga Ruski Tishko në fillim të majit, pas 72 ditë pushtim, por bombardimet u ndalën vetëm disa javë më parë, pasi Ukraina çliroi më shumë territor gjatë kundërofensivës.

Olena Bubiyenko qëndron pranë një banese ku ajo aktualisht në Ruski Tishki, në rajonin e Harkivit të Ukrainës.
Olena Bubiyenko qëndron pranë një banese ku ajo aktualisht në Ruski Tishki, në rajonin e Harkivit të Ukrainës.

Babiyenko nuk ushqen urrejtje për ushtarët rusë – ajo tha se njëri prej tyre, "më shpëtoj jetën”.

Një ditë ajo ishte duke ecur përgjatë një rruge, duke mbajtur një biçikletë me njërën dorë dhe duke një kovë me ushqim qensh në tjetrën, kur një bombë thërrmuese u shfaq papritur në rrugë, tregoi ajo, duke shtuar se një ushtar rus më pas e pa atë, e kapi nga rrobat e saj dhe e tërhoqi zvarrë në një llogore aty pranë. Një vajzë 7-vjeçare vdiq para syve të tyre.

Më vonë, tha ajo, një tjetër ushtar rus, "një djalë i mirë" i quajtur Lyosha, u gjunjëzua dhe i kërkoi “100 herë” falje për atë që ushtria pushtuese i kishte bërë fshatit.
“Ne mund t'i falim ata”, tha ajo, “por çfarë do të bëjmë për fshatin tonë të shkatërruar”, pyeti Babiyenko.

Shtëpia e Bubiyenkos është shkatërruar nga bombardimet, si dhe shtëpitë e nënës dhe motrës së saj dhe të trija kanë qëndruar në një banesë me një fqinj. Vajza dhe mbesa e Bubiyenkos janë jashtë vendit, si dhe djali i saj dhe e fejuara e tij – ata udhëtuan për në Poloni nëpërmjet Rusisë.

Një grua përgatit ushqim për qentë në Ruski Tishki, në rajonin e Ukrainës më 1 tetor 2022.
Një grua përgatit ushqim për qentë në Ruski Tishki, në rajonin e Ukrainës më 1 tetor 2022.

Bubiyenko nuk ka në plan të largohet.

“Këtu ka më shumë se 100 qen dhe 100 mace”, tha ajo. “Disa nga pronarët e tyre tani po kthehen për t'i marrë dhe për të më falënderuar që i kam shpëtuar”.

'Tashmë është pothuajse normale'

Në Liman, një qytet i rajonit lindor të Donjeckut, që u çlirua kur forcat ruse u tërhoqën nën presion më 1 tetor pas një pushtimi 127-ditorë, një çift i moshuar ngarkoi copa druri në një rimorkio të lidhur me një motoçikletë. Një bredh ishte goditur nga një predhë.

“Djem të mirë! Ata sollën një sharrë dhe prenë dru për mua”, tha Volodymyr Kutsevych për ushtarët ukrainas, shumë prej të cilëve patrullojnë në këtë qytet.

Volodymyr Kutsevych dhe gruaja e tij duke mbledhur dru në Liman, në lindje të Ukrainës.
Volodymyr Kutsevych dhe gruaja e tij duke mbledhur dru në Liman, në lindje të Ukrainës.

Tërheqja nga Limani, një dështim i madh për Kremlinin, erdhi një ditë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, nënshkroi dokumentet që zyrtarizuan pretendimet e pabaza të Moskës që Donjecku dhe tri pjesë të tjera pjesërisht të pushtuara të Ukrainës, tani i përkasin Rusisë.

Një javë pas tërheqjes ruse, Limani ishte pothuajse bosh; disa prej qytetarëve të mbetur qëndronin në radhë për ndihma humanitare në qendër të qytetit. Shumica e ndërtesave përreth janë shkatërruar. Tingujt e largët të goditjeve të artilerisë janë të vazhdueshëm dhe ende njerëzit reagojnë ndaj tyre.

Rrugët që të çojnë në Liman ishin të mbushura me tanke të djegura dhe makina të shkatërruara. Trupat e ushtarëve rusë të vdekur brenda dhe përreth qytetit vetëm sa ishin tërhequr. Uniformat e tyre të hedhura, racionet ushqimore dhe sendet e tyre personale po ashtu mund të gjendeshin në rrugët e Limanit.

Kutsevych ishte përpjekur të largohej nga Limani me gruan e tij, por ata nuk arritën të planifikonin një arratisje derisa ishte tepër vonë – bombardimet u bënë shumë intensive dhe ata qëndruan aty gjatë gjithë pushtimit. Ata jetuan pa ngrohje dhe pa rrymë dhe tani po mbledhin dru për t'u përgatitur për të ftohtin e vjeshtës.

Kutsevich humbi vëllanë e tij gjatë bombardimeve si dhe shumë të tjerë të njohur. Ushtarët rusë vodhën medaljet dhe pullat sovjetike që ai kishte mbledhur për shumë vite. Çifti tha se fëmijët e tyre, të cilët ndodhen jashtë vendit, nuk mund t'i kontaktonin gjatë pushtimit rus dhe tani nuk i telefonojnë shpesh.

“Jeta është pothuajse normale tani”, tha ai, duke hedhur dru në rimorkio, “përveç faktit që këmbët e mia nuk mund të ndalojnë së dridhuri”.

Përgatiti: Besmir Nenaj

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG