Ndërlidhjet

Shkarkimi i qeverisë ka pasivizuar edhe kuvendin


Kuvendi i Kosovës, foto nga arkivi.
Kuvendi i Kosovës, foto nga arkivi.

Votimi i suksesshëm i mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë, ka pasivizuar jo vetëm qeverinë, por edhe vet Kuvendin e Kosovës, thonë në Institutin Demokratik të Kosovës që monitoron punën e institucionit më të lartë ligjvënës.

Qeveria është sponsorja kryesore e ligjeve të cilat miratohen në kuvend. Po ashtu, ajo prezanton edhe marrëveshjet ndërkombëtare për ratifikim si dhe projekton buxhetin dhe rishikimin e buxhetit, kompetenca këto që aktualisht nuk mund t’i ushtrojë.

Rrjedhimisht, me shkarkimin e qeverisë, ndonëse ajo do ta vazhdojë punën e saj në detyrë deri në zgjedhjen e qeverisë së re, edhe Kuvendi i Kosovës, në bazë të punës që po bën, vlerësohet se i ka dhënë një pushim vetvetes.

Analisti Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se përveç faktit që qeveria konsiderohet në detyrë pas mocionit të mosbesimit të votuar suksesshëm më 25 mars, ajo tashmë i ka humbur edhe kompetencat kushtetuese duke përfshirë këtu edhe kompetencën për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare apo sjelljen e tyre për ratifikim në kuvend.

“Ky kuvend, kjo legjislaturë nuk ndërvepron me qeverinë e cila tashmë është duke ushtruar vetëm detyrat e saj të përditshme, që njihet edhe si qeveri kujdestare”, thotë Cakolli.

“Siç edhe e kemi parë, tashmë kemi një pasivizim edhe të punës së kuvendit, por edhe të qeverisë në kompetencat e saj të plota kushtetuese siç i kishte paraprakisht”, thekson ai.

Një gjendje e tillë, ai thotë se do të vazhdojë edhe në të ardhmen, derisa të ketë një vendim nga Gjykata Kushtetuese, e cila pritet të vendosë në lidhje me lëndën që i është drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje në lidhje me dekretin e presidentit të Kosovës për formimin e qeverisë.

Përderisa të mos sqarohet nëse Kosova do të shkojë në zgjedhje apo do të formohet një qeveri e re, qeveria në detyrë mbetet kujdestare e punëve të saj të përditshme, por pa qasje në kuvend.

Kush e rrëzoi Qeverinë Kurti?
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:03:32 0:00

Puna e kuvendit me një qeveri të shkarkuar, sipas Cakollit, do të pasivizohet ndjeshëm duke qenë se ky institucion tashmë nuk mund të ratifikojë as marrëveshje ndërkombëtare e as miratojë ligje të sponsorizuara nga qeveria.

“Sa u përket nismave të tjera legjislative, ndonëse Kushtetuta e njeh të drejtën që nismat ligjore të vijnë edhe nga kuvendi, praktika e deritashme tregon se shumica dërmuese e projektligjeve që vijnë në kuvend janë të sponsorizuara nga ana e qeverisë apo ministrive përkatëse dhe nuk pres që kuvendi të arrijë të ushtrojë rolin e tij ligjvënës”, thekson Cakolli.

Kuvendit të Kosovës, si organit më të lartë legjislativ, i njihet edhe e drejta e iniciativës ligjore dhe hartimit të projektligjeve. Por, në rrethanat aktuale, këto projektligje nuk mund t’i dorëzohen në qeverisë për marrjen e mendimit.

Shkarkimi i qeverisë në kohën e pandemisë ka evidentuar dy shkelje kushtetuese nga Qeveria e Kosovës. Bëhet fjalë për masat shtrënguese që qeveria ndërmori për menaxhimin e situatës me koronavirusin, të cilat nga Gjykata Kushtetuese u vlerësuan si jokushtetuese.

Por, në mungesë të kompetencës që në kuvend të procedojë ligj përkatës dhe të shmangë shkeljet e Kushtetutës, qeveria në detyrë ka vazhduar me zbatimin e masave, kurse kuvendi nuk ka arritur që të ndërmarrë nisma ligjore për plotësimin e vakuumit.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian Viola von Cramon-Taubadel kishte tërhequr vërejtjen se rregullat për kufizim të lëvizjes në Kosovë duhet jenë në përputhje me rregullat kushtetuese.

“Rregullat që krijojnë më shumë huti dhe nuk mund të zbatohen krijojnë më shumë dëm. Shtetet tjera kanë kufizuar kohën e qëndrimit jashtë, mirëpo jo edhe orën kur dikush mund të dalë. Qeveria duhet të shqyrtojë bazën kushtetuese”, ka thënë ajo përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.

Të martën, opozita ka paralajmëruar formimin e një komisioni hetimor në kuvend pas vdekjes së një 26-vjeçari, i cili ishte i vendosur në Qendrën e Studentëv,e që po shërben si karantinë gjatë kësaj periudhe të koronavirusit.

Eugen Cakolli thotë se formimi i komisioneve hetimore mund të zhvillohet në kuvend dhe nëse ka nevojë, personat që duhet të intervistohen, qofshin ata edhe ministra, mund të ftohen në komision që të japin dëshmitë e tyre.

Kuvendi i Kosovës i ushtron kompetencat në përputhje me nenin 65 të Kushtetutës së Kosovës. Përveç se ka në kompetencë zgjedhjen e institucioneve më të larta, presidentin dhe qeverinë, në kompetencat tjera parashihen edhe miratimi i Kushtetutës, ligjeve, rezolutave, deklaratave dhe akteve të tjera të përgjithshme.

Kuvendi, veç tjerash, ka në kompetencë të ratifikojë traktate ndërkombëtare, të miratojë buxhetin, të mbikëqyr punën e qeverisë dhe të institucioneve të tjera publike, të mbikëqyrë politikën e jashtme dhe politikën e sigurisë, si dhe çështje tjera të interesit të përgjithshëm.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG