Ndërlidhjet

Shkarkimi i drejtorëve pezullon grevën në Kontrollin e Fluturimeve në Shkup


Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut më 9 janar ka vendosur për shkarkimin e dy drejtorëve të Kontrollit të Fluturimeve Ajrore (M-NAV), pas një incidenti që ndodhi me 4 janar kur një grup personash sulmuan fizikisht disa zyrtarë në Kullën e Kontrollit, duke rrezikuar kështu edhe hapësirën ajrore pasi mbi territorin maqedonas ku po fluturonin 28 aeroplanë.

Incidenti kishte ndodhur pas përplasjeve mes një grupi të të punësuarve dhe sindikatës së Kontrollit të Fluturimeve, e cila po protestonte “kundër punësimeve partiake” në këtë institucion.

Pas presioneve dhe reagimeve të shumta në opinion, Qeveria shkarkoi drejtorët Fahrudin Hamidi dhe Lube Stamenkovski dhe në vend të tyre emëroi drejtorë të rinj, Ilir Memedin dhe Milan Koraç.

Vendimi vjen pas kërcënimit të sindikatës se “nga 10 janari e gjitha hapësira ajrore e Maqedonisë së Veriut do të pezullohet për fluturime nëse Qeveria nuk ndërmerr masa për zbardhjen e plotë të rastit dhe ndjekjen e dhunuesve”.

Kryetari i Sindikatës, Aleksandar Tasevski, tha për Radion Evropa e Lirë se pasi ta marrin zyrtarisht vendimin e Qeverisë, do ta pezullojnë grevën e paralajmëruar dhe do të presin që Bordi Mbikëqyrës i Kontrollit të Fluturimeve ta zbatojë plotësisht vendimin e Qeverisë.

Grupi i sulmuesve ishte udhëhequr nga Bekim Neziri, ish-ministër i Ekonomisë dhe kryetar i degës së subjektit politik, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), në Çair të Shkupit.

Ndërkohë, Gjykata Penale e Shkupit tashmë ka pranuar kallëzimin penal të Prokurorisë Publike për gjykimin e tetë personave të përfshirë në këtë incident të rëndë që ndodhi më 4 janar, ndërsa ndaj udhëheqësit të grupit ka caktuar masën e kujdesit, por jo edhe paraburgim, siç kishte kërkuar Prokuroria Publike.

“Tetë persona dyshohen se kanë kryer vepër penale me të cilën rrezikohet siguria e Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit. Me veprimet e tyre, të dyshuarit kanë kërcënuar sigurinë e trafikut ajror pasi në kohën e incidentit mbi territorin maqedonas po zhvilloheshin 28 fluturime që drejtoheshin nga Kontrolli i Fluturimeve”, u tha në njoftimin e Prokurorisë.

Vepra për të cilën po zhvillohen hetimet, sipas Kodit Penal është e dënueshme me më së paku pesë vjet burg.

Lidhur me rastin ka reaguar edhe zyra e Bashkimit Evropian në Shkup, e cila kërkuar nga autoritetet shtetërore “të hetojnë sa më shpejt akuzat për emërimin e miqve dhe bashkëpunëtorëve në poste të autoritetit, pa marrë parasysh kualifikimet e tyre për këto pozita”.

Lidhur me këtë rast, Bashkimi Demokratik për Integrim, ka thënë se incidenti “nuk ka të bëjë me BDI-në, por me një ngatërresë mes vet të punësuarve”.

Partia opozitare VMRO DPMNE vlerësoi se ky “incident i rëndë me pasoja të mundshme mbi sigurinë e vendit nuk mund të zgjidhet vetëm me shkarkimin e drejtorëve, por autorët e tij duhet të nxirren sa më shpejt para gjyqit dhe të dënohen vepra të rënda penale”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG