Ndërlidhjet

Bujqit dhe blegtorët kalojnë në shitje online


Fotografi ilustruese.
Fotografi ilustruese.

Rritja e çmimeve të produkteve ushqimore ka bërë që shumë qytetarë të Maqedonisë së Veriut t’iu drejtohen bujqve dhe fermerëve për t’u furnizuar me qumësht, prodhime të qumështit si dhe me produkte të tjera sikurse fasule, bizele, lakra, patate, domate, speca por edhe me mish, vezë e gjëra tjera ushqimore.

Kultivuesit e këtyre produkteve thonë se janë të detyruar t’i sheshin ato me pakicë dhe me çmime pak më të larta, pasi kompanitë e mëdha i marrin ato me çmime të papërfillshme, ndërsa pagesat i marrin me disa muaj vonesë.

Ekrem Idrizi nga Tetova tash disa vjet merret me blegtori, por kostoja e lartë e mbjelljeve bujqësore për sigurimin e ushqimit për dhjetë lopët që ka, dhe çmimi i ulët i qumështit që e marrin fabrikat e përpunimit të qumështit, e kanë vështirësuar biznesin e tij familjar.

Një litër qumësht në dyqane ushqimore shitet mes 80 dhe 90 denarë apo deri në 1.50 euro, ndërkohë që ai e shet jo më shumë se 29 denarë apo rreth 50 centë.
Në një situatë të tillë, ai kërkon forma tjera për të shitur qumështin me pakicë, por me çmim pak më të lartë, pasi në të kundërtën, thotë do të detyrohet të mbyllë biznesin e tij.

“Më së paku çmimi për qumështin duhet të jetë afër 40 denarë [60 centë]. Unë ende nuk kam arritur të paguaj harxhimet për mbjelljet pranverore. Mirëpo, kjo nuk ndodh pasi ata shohin punët e tyre pasi s’ka se kush i kontrollon. Unë ende nuk kam arritur të paguaj harxhimet për mbjelljet pranverore dhe me këto krerë lopë që kemi, ne mezi arrijmë të mbijetojmë si familje, asgjë më shumë”, thotë Idrizi duke drejtuar gishtin nga institucionet, të cilat, sipas tij, “përveç premtimeve nuk ka bërë asnjë për të ndihmuar bujqit dhe blegtorët apo për të mbrojtur çmimin e prodhuesve vendorë.

Kriza ekonomike ka detyruar bujqit dhe blegtorët në Maqedoninë e Veriut të bëjnë gjithçka për të gjetur tregje të reja, përfshirë edhe porosi nëpërmjet internetit.

Një kilogram bishtaja ofrohet për 60 denarë (1 euro) kungulli 15 (0.25 centë), por edhe djathi për 300 denarë (5 euro). Këto produkte mund të blihen online, nëse blerësit arrijnë të merren vesh drejtpërdrejt me fermerët. Çmimet e tyre në dyqane ushqimore janë tri herë më të larta.

Në mesin e tyre që blen online është edhe Snezhana Todorovska nga Shkupi, e cila gjatë pandemisë filloi që për herë të parë të blinte fruta dhe perime me çmim më të lirë nga shtëpia.

“Guxova dhe iu përgjigja disa reklamave dhe u morëm vesh që ai të më dërgonte një arkë me fruta dhe perime. Njerëzit kanë të drejtë, vinin dy herë në muaj personalisht dhe frutat mi dërgonin me postë. Ja, për shembull, gjithë verës kam blerë qershi të bukura për 80 centë për kilogram, ndërkohë që në dyqane shiteshin deri në 1.50 euro”, thotë Todorovska.

Borkica Jakimovska thotë se ka gati dy vjet që blen qumësht tri herë në javë, direkt nga një fermer nga Shkupi.

“Qumështin e sjellin në shtëpi, në shishe plastike prej 1.5 litërsh, me çmim prej 75 denarë (1.30 euro)”. Kështu, thotë ajo,e dhe kursen dhe blen qumësht me cilësi shumë më të lartë.

Sasho Mitkov nga qyteti i Koçanit thotë se është i zemëruar nga mullisët, të cilët grurin e blejnë me çmim shumë të ulët, andaj vendosi që 1.300 kilogramë grurë t’i shesë përmes internetit, por ai ankohet se edhe aty njerëzit synojnë ta marrin grurin me çmim të lirë.

“Është shumë e vështirë, thirrën disa njerëz, çmimi është shumë i lartë, duan diçka më të ulët, i kam kërkuar 20 denarë, kështu që e kam zbritur në 19, por ata kërkojnë 17. Dhe kjo është shumë e ulët”, thotë Mitkov.

Ligji për bujqësi dhe zhvillim rural thotë se shitja e produkteve bujqësore mund të bëhet drejtpërdrejt nga njësia bujqësore, në tregje, por edhe përmes internetit. Shitja në këtë rast mund të kryhet nga shoqëritë tregtare, kooperativat bujqësore dhe organizatat e prodhuesve.

Aneta Simeska-Dimoska, drejtore e Inspektoratit Shtetëror të Tregut, thotë se kushti kryesor është që shitja të bëhet nga një fermer i regjistruar.

“Asnjë shitës apo tregtar nuk mund të telefonojë në emër të një fermeri. Ka edhe raste të tilla, apo keqpërdorime me prodhimet e tilla, prandaj duhet të kontrollohet nëse shitësi është vërtet fermer, apo shitës me shumicë”, thotë Dimoska.

Lupço Kostadinovski, drejtues i departamentit të higjienës në Qendrën e Shëndetit Publik në Shkup, thotë se duhet të ketë kontrolle pasi mënyra e blerjes përmes internetit bart rreziqe.

“Ushqime blihet pa tiketa mbi cilësinë. Kjo është e rrezikshme. Duhet të kontrollohen para se të hidhen në treg”, thotë Kostadinovski.

Më së shumti, thotë ai, duhet pasur kujdes kur qytetarët blejnë mish, qumësht dhe prodhimet e tyre. Ai vëren se shpesh në tregje ka produkte të tilla, të cilat nuk janë kontrolluar dhe shiten në ambient të hapura dhe në temperatura aspak të përshtatshme, që sipas Kostadinovskit, mund të jenë fatale për shëndetin e njerëzve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG