Ndërlidhjet

Shifra rekorde të të infektuarve me koronavirus në Gjermani


Një qendër e testimit për koronavirus në Dyzeldorf të Gjermanisë.
Një qendër e testimit për koronavirus në Dyzeldorf të Gjermanisë.

Autoritetet shëndetësore në Gjermani regjistruan të mërkurën shifrën më të lartë të të infektuarve me koronavirus: 39,676.

Shifra thyen rekordin e së premtes së kaluar prej 37,120 rastesh.

Instituti për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve “Robert Koch” tha se incidenca shtatëditore - që tregon numrin e infeksioneve të reja për 100,000 banorë - është rritur në 232.1, krahasuar me 146.6 një javë më parë dhe 66.1 një muaj më parë.

Sipas të dhënave të reja, në 24 orët e fundit në Gjermani u regjistruan edhe 236 viktima nga koronavirusi.

Shifra rekorde të të infektuarve u raportuan të mërkurën edhe në Republikën Çeke.

Autoritetet shëndetësore në këtë vend konfirmuan 14,539 raste të reja pozitive - shifra më e lartë ditore qysh në muajin mars - dhe 56 viktima.

Shkalla e lartë e infeksionit vjen përkundër normave relativisht të larta të vaksinimit: në Gjermani mbi 67 për qind, në Çeki mbi 57 për qind.

Megjithatë, profesionistët shëndetësorë bëjnë thirrje për vaksinimin e mbi 80-85 për qind të qytetarëve të një vendi.

Me shifra të larta të të infektuarve po përballen edhe vende të tjera në Evropë, përfshirë Bullgarinë, Rumaninë, Ukrainën e të tjera.

Javën e kaluar, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se Evropa është bërë “epiqendër e pandemisë”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG