Ndërlidhjet

Bien shërbimet e telekomunikimit, askush nuk jep përgjegjësi


Ndërtesa e Telekomit të Kosovës.
Ndërtesa e Telekomit të Kosovës.

Ndonëse telefonin nuk e ka të fikur, Gresa, një qytetare nga Prishtina thotë se ndodh shumë shpesh që askush nuk arrin ta telefonojë.

Sipas saj, shërbimet telefonike dhe ato të internetit që ajo i merr nga Telekomi i Kosovës janë jocilësore dhe me ndërprerje të shpeshta.

“Kam ankesa nga familjarët e shoqëria që nuk po munden të më marrin në telefon. Ka pasur raste kur edhe dikush më ka thirrur për ndonjë urgjencë dhe nuk ka mundur të më marrë në telefon. Kam kontaktuar Valën (telefonia mobile), por si gjithmonë ata nuk është se të ndihmojnë diçka”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Edhe disa qytetarë të tjerë kanë shprehur shqetësimet e tyre se nuk po arrijnë të marrin shërbime cilësore nga Telekomi i Kosovës, pavarësisht se ata i paguajnë ato.

Qytetarët paguajnë për shërbimet që marrin nga Telekomi i Kosovës. Çmimet për telefoninë fikse, mobile dhe internet janë të ndryshme, varësisht nga pakoja që klienti zgjedh.

Interneti në telefon, teknologjia 3G dhe 4G vetëm një ditë kushton 0.50 euro, ndërkaq për 31 ditë kushton 7.50 euro.

Në disa pako tjera, ky hyjnë interneti, thirrjet mobile dhe fikse si dhe shërbime tjera nisin nga 2.99 deri në 9.99 euro. Këto pako janë nga dhjetë deri në 30 ditë.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar shërbimin për klientë në Telekomin e Kosovës, pasi që kishte hasur në ndërprerje të shërbimeve nga telefonia mobile Vala, por nuk është se ata kan arritur të zgjidhin problemin.

Shtatë vjet pa investim në rrjet

Lamih Balaj, kryetar i Federatës Sindikale të Telekomit të Kosovës, pranon se ka ndërprerje të kohëpaskohshme të shërbimeve që ofron Telekomi i Kosovës.

“Realisht është e vërtetë për shkak se në Telekomin e Kosovës ka mbi shtatë vjet që nuk është bërë asnjë investim i vetëm edhe pse në secilin vit nga buxheti janë ndarë mjete për investime, por nuk ka pasur”, thotë ai.

Balaj thotë se sistemi i telefonisë fikse dhe mobile është duke u mbajtur me mjete vetanake të inxhinierëve dhe teknikëve të Telekomit të Kosovës.

“Nëse kjo gjendje nuk sanohet deri në fund të vitit, Telekomi i Kosovës mund të jetë në një kolaps”, tha ai.

Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur të marr përgjigje nga menaxhmenti i Telekomit të Kosovës dhe nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare të Kosovës.

Gjendja e rëndë në Telekomin e Kosovës

Problemet me shërbimet e Telekomit të Kosovës ishin vënë në pah edhe në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditorit të bërë në vitin 2019.

Kjo zyrë, kishte theksuar se gjendja e sistemeve dhe platformave të teknologjisë, të cilat mundësojnë ofrimin e shërbimeve telekomunikuese, është e rëndë.

“Kjo gjendje e rëndë në mënyrë progresive, ka ardhur duke u keqësuar si rezultat i daljes nga garancioni i pajisjeve, konsumi i pjesëve rezervë në stok si dhe amortizimi i pajisjeve. Shumica e platformave dhe sistemeve të cilat mundësojnë ofrimin e shërbimeve telekomunikuese, mirëmbajtja kryhet vetëm nga stafi teknik i Telekomit të Kosovës”, thuhet në këtë raport.

Nisur nga kjo, qysh në atë kohë Zyra e Auditorit kishte renditur rreziqet e mundshme si rezultat i kësaj gjendjeje dhe mungesës së investimeve.

Ndërprerje e plotë e të gjitha shërbimeve që afekton të gjithë konsumatorët në rrjet, ndërprerje e pjesshme e shërbimit në zona të caktuara të mbulimit, kishin qenë dy nga rreziqet që kishe theksuar Auditori.

Pandemia COVID-19 rriti shfrytëzimin e shërbimeve telekomunikuese

Eksperti i çështjeve të telekomunikimeve, Driart Elshani thotë për Radion Evropa e Lirë se pandemia me COVID-19 ka sjell përdorim të madh të shërbimeve telekomunikuese dhe kjo ka bërë në rënien e kualitetit të këtyre shërbimeve.

“Pandemia ka sjell në evidencë problemet infrastrukturore që ka Kosova. Infrastruktura dhe mirëmbajtja e kësaj infrastrukture nuk është në nivelin e kënaqshëm për t’i bërë ballë këtij telekomunikimi të shtuar në pandemi. Kërkohet të bëhen investime në këtë rrjet, pasi që shkaktohen probleme të mëdha”, tha ai.

Çdo ndërprerje e shërbimeve të telekomunikimit, shton Elshani, shkakton jo vetëm humbje në produktivitetin e punëtorëve, por edhe humbje financiare - ekonomike.

Borxhet e akumuluara

Aktiviteti kryesor i Telekomit të Kosovës është i mbështetur në teknologji informative.

Telekomi i Kosovës tani e sa vite është duke u përballur në një krizë financiare që rrjedhimisht ka pamundësuar edhe investimet në rrjetin e telekomunikimit.

Kjo kompani i ka borxh mbi 25 milionë euro kompanisë Z-Mobile për shkak të mospërmbushjes së një kontrate nga ana e Telekomit. Nga 15 janari i këtij viti, Telekomi është e obliguar që brenda 24 muajsh të shlyejë komplet borxhin ndaj kompanisë.

Miliona investime

Në bazë të një plani për rimëkëmbjen e Telekomit të Kosovës, Lamih Balaj, thotë se janë paraparë investime deri në 6.5 milionë euro.

Sipas tij, këto investime do të bëheshin në sistemin e ri të telekomunikimit, montimin e antenave të reja e të tjera.

“Kërkesa jonë ka qenë për shkak të gjendjes së keqe financiare, të mundësohet një kredi e butë që ishte garantuar nga qeveria”, thotë ai.

Të hyrat mujore në Telekomin e Kosovës, sipas Balajt, janë deri në katër milionë euro.

Qeveria e Republikës së Kosovës është pronare e 100 për qind të aksioneve të Telekomit të Kosovës.

Në Telekomin i Kosovës operon telefonia fikse dhe ajo mobile Vala me mbi 1.2 milion konsumatorë në nivel vendi.

Telekomi i Kosovës deri në vitin 2015 ishte njëra nga kompanitë më fitimprurëse në vend. Kjo kompani ishte një kontribuues i fuqishëm i buxhetit të vendit. Për çdo vit, i kishte sjellë arkës së shtetit miliona euro.

Nga viti 2008 deri në vitin 2015, kjo kompani i ka paguar Qeverisë së Kosovës mbi 250 milionë euro dividendë. Dividendi, sipas ligjit, ndahet në rast se kompania përkatëse shënon rezultate të mira financiare.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG