Një urë e madhe në Baltimor të Shteteve të Bashkuara është shembur pasi u godit nga një anije e madhe të martën në mëngjes, dhe si pasojë disa vetura ranë në lumin nën të. Ekipet e shpëtimit janë duke kërkuar për të mbijetuar në ujë.
Dy njerëz u nxorën nga uji, njëri në gjendje të rëndë shëndetësore, tha shefi i Departamentit të Zjarrfikësve në Baltimor, James Wallace.
Ai tha se autoritetet "mund të jenë duke i kërkuar shtatë njerëz", por shtoi se ky numër mund të ndryshojë. Nuk është e qartë nëse dy të shpëtuarit u përfshinë në këtë numër.
Anija e goditi njërën prej shtyllave mbajtëse të urës Francis Scott Key, duke e shkaktuar shembjen e saj. Anija shpërtheu në zjarr për pasojë.
“Kjo është një gjendje serioze emergjente”, tha Kevin Cartwright, drejtor për komunikim në Departamentin e Zjarrfikësve në Baltimor.
"Përqendrimi ynë tani është të tentojmë t'i shpëtojmë këta njerëz", tha Cartwright.
Ai tha se është shumë herët të dihet se sa njerëz janë prekur nga ky incident, por ekipet e shpëtimit janë duke i kërkuar shtatë njerëz në ujë dhe e cilësoi shembjen e urës si "një ngjarje që mund të ketë shumë viktima".
Carwright tha se anija quhej “Dali”. Ajo po lundronte përmes Baltimor në drejtim të Kolombos në Shri Lankë, sipas autoriteteve. Sipas një zyrtari të Rojës Bregdetare të Baltimor, anija po lundronte nën flamurin e Singaporit, raportoi radio WTOP.
“Të gjitha korsitë nga të dyja drejtimet janë mbyllur për shkak të incidentit në I-695 Bridge”, thanë autoritetet e transportit në Mariland.
Kryetari i Baltimor, Brandon Scott, tha se ekipet emergjente janë në vendin e ngjarjes dhe se kanë nisur operacionet e shpëtimit.