Ndërlidhjet

Shefja e BE-së thotë se përpjekjet për ta ndarë Bosnjën janë të papranueshme


Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, në Sarajevë, 8 prill.
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, në Sarajevë, 8 prill.

Çdo përpjekje për ta ndarë Bosnje e Hercegovinën është e papranueshme, tha të martën në Sarajevë shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas.

Duke folur gjatë vizitës së saj të parë në Bosnje, Kallas tha se udhëheqësia e entitetit serb të Bosnjës, Republika Sërpska “po e minon rendin kushtetues të vendit dhe po kërcënon të drejtat themelore të njeriut të të gjithë qytetarëve".

"Ne nuk do të tolerojmë asnjë kërcënim ndaj integritetit territorial, sovranitetit dhe rendit kushtetues të këtij vendi", tha Kaja Kallas, duke iu drejtuar ushtarëve të EUFOR-it, misionit ushtarak të BE-së në Bosnje, i cili gjithashtu ka mandat ekzekutiv nga Kombet e Bashkuara për të siguruar stabilitetin e vendit përmes përdorimit të forcës.

Liderët e Republikës Sërpska, në veçanti presidenti Millorad Dodik, kritikohen nga qeveri perëndimore se po bëjnë përpjekje për ta ndarë nga Bosnja entitetin serb.

Çfarë po ndodh në Bosnje? Çfarë po ndodh në Bosnje?
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:02:18 0:00

Në mars, Gjykata e Bosnje e Hercegovinës lëshoi fletarrestime kombëtare për Dodikun, kryeministrin Radovan Vishkoviq dhe kryetarin e Asamblesë Kombëtare Nenad Stevandiq, duke i akuzuar se kanë shkelur rendin kushtetues të Bosnje e Hercegovinës me veprimet e tyre.

Që të tre i kanë shpërfillur thirrjet e autoriteteve për t’u paraqitur për marrje në pyetje.

Dodik është nën sanksione të Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar, por Bashkimi Evropian deri më tani nuk ka qenë në gjendje të gjejë gjuhë të përbashkët për sanksione kundër tij, për shkak të kundërshtimit nga anëtarja e saj, Hungaria.

Republika Sërpska e kaloi në mars një draft të kushtetutës së re, e cila do ta përcaktonte këtë entitet si një shtet të popullit serb, do t’i jepte të drejtën për vetëvendosje dhe do ta themelonte ushtrinë e saj.

Kallas kujtoi se BE-ja dërgoi qindra ushtarë shtesë në Bosnje në mars dhe se EUFOR-i mbështet Forca e Armatosur e Bosnjës nëpërmjet trajnimit dhe mbështetjes për çminimin.

"Ne jemi të shqetësuar për këtë vend dhe të ardhmen e tij. Retorika nxitëse dhe përpjekjet për ndarje janë të rrezikshme, të papranueshme dhe përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për Bosnjën", tha Kallas.

Kallas u me tre anëtarët e Presidencë së Bosnjës, Zheljko Cvijanoviq, Denis Beqiroviq dhe Zheljko Komshiq.

Pas takimit, Kallas përsëriti mesazhet që kishte përcjellë gjatë vizitës së saj në EUFOR, duke theksuar se Kushtetuta është gur themeli i Bosnjës dhe se respektimi i saj është i detyrueshëm dhe dënoi edhe një herë përpjekjet për të sulmuar rendin kushtetues, që vijnë nga Republika Sërpska.

Qëndrime të ndryshme të anëtarëve të Presidencës së Bosnjës

Zheljka Cvijanovië, anëtare e Presidencës së Bosnjës nga Republika Sërpska, tha se takimi "ishte mundësi që mysafiri ynë të shohë se si kemi mendime të ndryshme, se cilat janë problemet dhe cilat janë zgjidhjet".

"Ne kemi nevojë për marrëveshje të brendshme. Problemet u ngritën, sepse një i huaj i pazgjedhur, i quajtur Christian Schmidt, bëri ndryshime në ligj. Ne jemi të përkushtuar në rrugën evropiane, por ajo mund të jetë vetëm produkt i punës së brendshme, jo ndonjë imponimi", tha Cvijanoviq.

Përfaqësuesi i Lartë i ndërkombëtar për Bonjës e ka autoritetin, të konfirmuar nga Gjykata Kushtetuese e Bosnjës dhe Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, për të vendosur ligje dhe për të shkarkuar zyrtarë.

Ai e ndryshoi edhe Kodin Penal të Bosnjës dhe vendimet e tij i bëri të detyrueshme.

Dodik u dënua në shkurt me një vit burg dhe iu ndalua ushtrimi i detyrës për gjashtë vjet për shkak të shpërfilljes së vendimeve të përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar.

Zheljko Komshiq, anëtar i Presidencës nga Federata e Bosnjës, shkurtimisht iu përgjigj Cvijanoviqit, duke thënë se “nga Sarajeva vijnë thirrje për ta arrestuar Dodikun dhe udhëheqësit e Republikës Sërpska”.

“Ne nuk thamë ‘arrestim’, por thotë Gjykata e Bosnjës si institucion i Bosnjës. Vendimet e gjykatës duam apo s’duam zbatohen”, tha Komshiq.

Denis Beqiroviq, gjithashtu anëtar i Presidencës së Bosnjës nga Federata e Bosnjës, tha se "ekziston një iluzion i rrezikshëm në Republikën Sërpska se një shpërbërje paqësore e Bosnjës është e mundur, e cila mund të çojë në katastrofë”.

Beqiroviq shtoi se “derisa ta ndalojmë sulmin ndaj rendit kushtetues në Bosnjës, askush nuk duhet të presë që ne të merremi me ndonjë temë tjetër”.

Kallas është në një turne në Ballkanin Perëndimor, të cilin e nisi me vizitë në Mal të Zi të hënën dhe para se të mbërrinte në Bosnje qëndroi në Shqipëri të martën paradite.

Në Tiranë, ajo u takua me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama. Ajo tha se Shqipëria është partnere e fortë e BE-së dhe se si anëtare e NATO-s është plotësisht në linjë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të bllokut.

Në Podgoricë, Kallas u takua me kryeministrin Milojko Spajiq dhe në Cetinje me presidentin malazez Jakov Milatoviq.

Kallas tha në Podgoricë se ishte e shqetësuar për stabilitetin rajonal dhe njoftoi se do të diskutohej gjatë vizitës së saj në Sarajevë. Ajo tha gjithashtu se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është i rëndësishëm.

Gjatë seancave dëgjimore për konfirmimin e saj në postin e shefes të diplomacisë së BE-së, Kallas kishte premtuar që do të punojë që zgjerimi i BE-së të bëhet realitet.

Të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor - përveç Kosovës - si dhe Ukraina, Moldavia, Gjeorgjia dhe Turqia janë kandidate për anëtarësim në BE.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në bllokun evropian, por aplikimi i saj nuk është shqyrtuar ende.

Ajo nuk ka paralajmëruar vizitë në Kosovë dhe Serbi gjatë turneut të kësaj jave në Ballkan.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG