Kur mbyllen qendrat e votimit?
Qendrat e votimit mbyllen në kohë të ndryshme në të gjithë SHBA-në.
Të parat mbyllen në orën 18:00, që me orën e Kosovës i bie në mesnatë, ndërsa të fundit mbyllen në 01:00, që me orën e Kosovës i bie 07:00, më 6 nëntor.
Ku dhe si dallojnë Harris dhe Trump?
Harris dhe Trump kanë pikëpamje të ndryshme për të ardhmen e SHBA-së, që është fuqia më e madhe ekonomike dhe ushtarake në botë.
Shikojeni këtë video për të kuptuar se ku dhe si dallojnë ata!
Harris u bën thirrje amerikanëve “të dalin dhe të votojnë”
Derisa kanë mbetur vetëm edhe disa orë deri në mbylljen e vendvotimeve, kandidatja demokrate për presidente të SHBA-së, Kamala Harris, u bëri thirrje amerikanëve që “të dalin dhe të votojnë”.
“Duhet ta bëjmë atë. Sot është dita e votimit dhe njerëzit duhet të dalin dhe të jenë aktivë”, tha ajo për radio-stacionin WVEE-FM të Atlantës.
Nënpresidentja aktuale njoftoi të dielën se ka votuar, duke dërguar fletëvotimin me postë në shtetin e saj të Kalifornisë.
“Unë sapo e kam dërguar fletën time të votimit me postë”, u tha gazetarëve Harris, teksa bënte fushatë në shtetin e Miçiganit.
Nëse fiton, Harris do të bëhej presidentja e parë grua e SHBA-së.
Trump “me shumë besim” në fitore
Kandidati republikan për president të SHBA-së, Donald Trump, dhe gruaja e tij, Melania, votuan në Qendrën Rekreative Mandel në Floridë.
“Kam shumë besim” në fitore, u tha Trump gazetarëve.
Ai tha se beson se ka zhvilluar “një fushatë të shkëlqyeshme” kundër rivales së tij demokrate, Kamala Harris.
Sondazhet e opinionit tregojnë se gara është tejet e ngushtë.
“Nëse i humbas zgjedhjet, nëse janë zgjedhje të drejta, do të jem i pari që do ta pranoj një gjë të tillë”, tha Trump.