Pesë ish-policë në Tenesi të Shteteve të Bashkuara janë akuzuar për vrasje të shkallës së dytë, pasi një person me ngjyrë vdiq pas një kontrolli në trafik.
Tyre Nichols, 29 vjeç, ishte ndaluar në Memfis më 7 janar për ngasje të pakujdesshme. Ai vdiq tri ditë më pas.
Zyrtarët thanë se do të japin më vonë më shumë detaje, teksa pritet të publikohet edhe videoja e ndalimit të Nichols nga policët.
Pesë policët, që i ishin bashkuar departamentit të policisë në Memfis në gjashtë vjetët e fundit, u larguan nga puna javën e kaluar dhe një hetim gjeti se ata ishin “direkt përgjegjës për abuzimin fizik të Nichols”.
Tadarrius Bean, Demetrius Haley, Desmond Mills, Jr, Emmitt Martin III dhe Justin Smith gjenden në paraburgim.
Të mërkurën, avokatët e familjes së Nichols thanë se autopsia tregoi se ai ishte rrahur.
“Gjetjet paraprake sugjerojnë se Tyre kishte pasur gjakderdhje të madhe, të shkaktuar nga rrahja e rëndë”, thanë avokatët Ben Crump dhe Antonio Romanucci.