Ndërlidhjet

SHBA vendos kufizime të reja për viza ndaj zyrtarëve gjeorgjianë


Pamje nga protestat në rrugët e Gjeorgjisë.
Pamje nga protestat në rrugët e Gjeorgjisë.

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur kufizime të reja në viza për zyrtarët gjeorgjianë, për shkak të “minimit të demokracisë” teksa vazhdojnë të mbahen protesta kundër vendimit të partisë në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane që t’i pezullojë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Protestuesit kanë bërë thirrje për zgjedhje të reja, pas supozimeve për mashtrime zgjedhore në zgjedhjet parlamentare të tetorit.

Opozita nuk e ka njohur këtë rezultat zgjedhor, duke pretenduar se Ëndrra Gjeorgjiane ka kryer mashtrime me vota për të mbetur në pushtet.

Presidentja pro-evropiane, Salome Zurabishvili, e cila është në anën e protestuesve, ka thënë se zgjedhjet janë manipuluar me ndihmën e Rusisë.

Autoritetet janë përgjigjur dhunshëm ndaj valës së protestave, duke arrestuar qindra njerëz në dy javët e fundit.

Si përgjigje, Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë më 12 dhjetor se do të ndalojë lëshimin e vizave për ata që janë përgjegjës ose bashkëpunëtorë në minimin e demokracisë në Gjeorgji.

Nga ky vendim do të preken 20 individë, “përfshirë individë që shërbejnë si ministra apo në parlamentar, zyrtarë për zbatim të ligjit dhe individë tjerë”.

Prej nisjes së protestave në fund të nëntorit, dhuna kundër opozitës dhe gazetarëve është përshkallëzuar, dhe është dënuar ashpër nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Ëndrra Gjeorgjiane, parti në pushtet prej vitit 2012 – e themeluar nga miliarderi i afërt me Moskën, Bidzina Ivanishvili – është akuzuar nga kritikët se është bërë secilën herë e më autoritare.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG