Ndërlidhjet

Austin: Paketa e ndihmës përfshin tanke, por jo tanket e kërkuara nga Ukraina


Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Lloyd Austin, (majtas) dhe ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksii Reznikov, (djathtas) marrin pjesë në takimin e tretë të Grupit të Kontaktit të ministrave të Mbrojtjes, në bazën ajrore amerikane në Ramstein, Gjermani. 20 janar 2023.
Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Lloyd Austin, (majtas) dhe ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksii Reznikov, (djathtas) marrin pjesë në takimin e tretë të Grupit të Kontaktit të ministrave të Mbrojtjes, në bazën ajrore amerikane në Ramstein, Gjermani. 20 janar 2023.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha më 20 janar tha se SHBA-ja dhe aleatët e tjerë kanë mbledhur një paketë të re armësh për Ukrainën, që ata besojnë se është e mjaftueshme për sukses.

Austin tha në një konferencë për media në bazën ajrore amerikane, Ramstein, në Gjermani se paketa përfshin tanke, por jo tanket luftarake të prodhimit gjerman Leopard, që ka kërkuar Ukraina, ose tanket e amerikane, Abrams.

Kievi thotë se i duhen tanket Leopard të prodhimit gjerman për të zmbrapsur trupat ruse, por Kremlini ka paralajmëruar se çdo vendim i aleatëve për të dorëzuar tanket do të ishte një përshkallëzim "jashtëzakonisht i rrezikshëm" i situatës.

Rieksporti i Leopardëve kërkon miratimin e Qeverisë gjermane, kështu që edhe vendet e tjera që i kanë këto tanke nuk mund t'i dërgojnë ato në Ukrainë pa këtë aprovim.

Berlini ka thënë këtë javë se vendimi për tanket Leopard është kushtëzuar me vendimin e Shteteve të Bashkuara për të dërguar tanket Abrams, diçka që Uashingtoni nuk planifikon ta bëjë.

Paketa që Austin dhe gjenerali amerikan, Mark Milley, përshkruan pas takimit të Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës përfshin një sërë obusësh, automjete të blinduara dhe municione.

Ai tha se paketa përfshin gjithashtu "kapacitetin e tankeve" të ofruar nga Polonia. "Kjo është një paketë shumë, shumë e madhe", tha Austin.

"Nëse vendoset siç duhet, do të mundësojë që [forcat ukrainase] të jenë të suksesshme".

Trupat ukrainase po trajnohen me pajisje që tashmë u janë dërguar nga aletët.

"Ne jemi vërtet të përqendruar në sigurimin që Ukraina ka potencialin që i nevojitet për të pasur sukses. Ne kemi një dritare mundësish këtu, nga tani deri në pranverë... sa herë që ata fillojnë operacionin e tyre, kundërsulmimin e tyre", u tha Austin gazetarëve.

Në total, Shtetet e Bashkuara kanë ndarë 27 miliardë dollarë si ndihmë për Ukrainën, prej kur Moska ka nisur luftën në shkurt të vitit të kaluar.

Aleatët perëndimorë kanë ofruar po ashtu armë në vlerë të miliarda dollarëve për Ukrainën.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG