Ndërlidhjet

SHBA-ja tërheq trupat nga kufiri i Turqisë me Sirinë


Ilustrim
Ilustrim

Shtetet e Bashkuara do të distancohen nga operacioni i Turqisë kundër forcave kurde në verilindje të Sirisë, bëri të ditur Shtëpia e Bardhë.

Në një deklaratë për media, ajo tha se tërheqja e trupave amerikane nga kufiri Turqi-Siri tashmë ka nisur. Deri më tash, luftëtarët kurdë, të njohur si grupi YPG, kanë pasur mbështetje të fuqishme nga SHBA-ja, por Turqia i konsideron ata si terroristë dhe dëshiron t’i largojë nga kufiri i saj.

Forcat amerikane kanë nisur të tërhiqen nga zonat përgjatë kufirit të Sirisë me Turqinë, pasi Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se do të distancohet nga operacioni i planifikuar turk kundër forcave kurde në verilindje të Sirisë.

Sipas disa njoftimeve, forcat amerikane janë tërhequr tashmë nga dy postblloqet e vëzhgimit në Tel Abjad dhe Ras al-Ain.

Turqia ka kërcënuar tash e sa muaj se do të nisë një operacion ushtarak në kufirin e saj me pjesën verilindore të Sirisë, duke thënë se dëshiron të krijojë një “zonë të sigurt” atje.

Pas një bisede telefonike midis presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, Shtëpia e Bardhë njoftoi se Turqia “do të nisë së shpejti operacionin e planifikuar në veri të Sirisë”.

SHBA-ja, e cila ka qindra trupa në Siri, “nuk do të mbështesë ose përfshihet” në operacion dhe “nuk do të jetë më në zonën e nxehtë”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.

“Tash e tutje, aleatja e NATO-s, Turqia, do të marrë përsipër përgjegjësinë edhe për luftëtarët e grupit Shteti Islamik, të kapur gjatë dy vjetëve të fundit, pas mposhtjes së ‘kalifatit’ të tyre territorial nga Shtetet e Bashkuara”, thekson deklarata.

Franca, Gjermania dhe vendet e tjera evropiane, nga të cilët vijnë shumë luftëtarë të kapur të Shtetit Islamik, kanë refuzuar t’i marrin ata”, tha Shtëpia e Bardhë.

Deklarata, megjithatë, nuk i referohet grupit kurd, të njohur si YPG, i cili ka luajtur rol të rëndësishëm në mposhtjen e Shtetit Islamik në Siri.

YPG-ja deri më tash ka marrë mbështetje të madhe nga Uashingtoni.

Turqia e konsideron këtë grup si pjesë të Partisë së ndaluar të Punëtorëve të Kurdistanit, e cila ka luftuar për autonominë kurde brenda Turqisë për tri dekada me radhë.

YPG-ja e mohon çdo lidhje të drejtpërdrejtë organizative me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit.

Duke folur të hënën për gazetarët, Erdogan tha se ushtria turke është e gatshme të nisë operacionin në verilindje të Sirisë në çdo moment.

“Siç ka njoftuar presidenti Trump, tërheqja e trupave amerikane ka nisur”, tha Erdogan.

“Ne nuk do t’i tolerojmë kërcënimet nga këto grupe terroriste”, shtoi ai, duke iu referuar luftëtarëve kurdë.

Erdogan po ashtu tha se planifikon të vizitojë Uashingtonin në gjysmën e parë të nëntorit për të diskutuar me Trumpin planet për zonën e sigurt.

Turqia strehon mbi 3.6 milionë sirianë, të cilët kanë ikur nga lufta civile në vendin e tyre, qysh në vitin 2011. Ankaraja thotë se dëshiron t’i zhvendosë rreth dy milionë prej tyre në zonën e sigurt.

Trump, në një postim në Twitter, tha se milicitë kurde “kanë luftuar me ne, por ato janë paguar me shuma të mëdha parash për ta bërë një gjë të tillë”.

Trump tha se është koha për SHBA-në që të dalë nga këto, siç u shpreh, “luftëra qesharake që s’kanë fund” dhe t’i kthejë ushtarët në shtëpi.

Presidenti amerikan shtoi se “Turqia, Evropa, Siria, Irani, Iraku, Rusia dhe kurdët duhet të merren tani me situatën dhe me luftëtarët e kapur të Shtetit Islamik”.

Në Gjenevë, zyrtari i OKB-së, Panos Moumtzis, i cili merret me çështjet humanitare, tha se “ka shumë pyetje pa përgjigje në lidhje me pasojat e operacionit turk”.

“Ne shpresojmë për më të mirën, por përgatitemi për më të keqen”, tha ai.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiq, tha se "rikthimi i armiqësive të armatosura në verilindje të Sirisë jo vetëm që do të përkeqësojë vuajtjet e civilëve dhe do të çojë në shpërngulje masive, por gjithashtu rrezikon të minojë përpjekjet aktuale politike".

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG