Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë të shtunën se Shtetet e Bashkuara besojnë që ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu, është në Korenë e Veriut për të siguruar furnizime të armëve, dhe që ato më pas t’iu dorëzohen forcave ushtarake ruse që po luftojnë në Ukrainë.
Pas konfirmimit të lajmit se Shoigu është në një udhëtim të rrallë në Phenian, Blinken ka thënë se Rusia është duke tentuar të blejë sa më shumë armë nga aleatët që i ka në botë.
“Dyshoj shumë që ai është atje ne pushime”, u ka thënë Blinken gazetarëve në Australi.
“Ne jemi duke e parë Rusinë që është vazhdimisht në kërkim të mbështetjes, për të siguruar armë, kudo që mund t’i gjejë ato, për ta vazhduar agresionin kundër Ukrainës”, ka thënë ai.
“Ne e shohim këtë qasje me Korenë e Veriut, e shohim këtë qasje me Iranin, i cili i ka dhuruar shumë dronë Rusisë, të cilët po i përdor për të shkatërruar infrastrukturë civile dhe për t’i vrarë civilët në Ukrainë”.
Sa ka qenë në Korenë e Veriut, Shoigu është takuar me liderin e shtetit, Kim Jong-un, për të zhvilluar atë që media shtetërore e ka konsideruar “bisedë miqësore”.
Rusia, aleate historike e Koresë Veriore, është një prej pak shteteve me të cilat Pheniani ruan marrëdhënie miqësore.