Ndërlidhjet

SHBA-ja i sanksionon 10 anëtarë të Hamasit dhe rrjetin e tij financiar


Një luftëtar palestinez nga krahu i armatosur i Hamasit merr pjesë në një paradë ushtarake për përvjetorin e luftës së vitit 2014 kundër Izraelit, 19 korrik 2023.
Një luftëtar palestinez nga krahu i armatosur i Hamasit merr pjesë në një paradë ushtarake për përvjetorin e luftës së vitit 2014 kundër Izraelit, 19 korrik 2023.

Shtetet e Bashkuara njoftuan të mërkurën se kanë vendosur sanksione kundër një grupi prej 10 anëtarëve të Hamasit dhe kundër rrjetit financiar të grupit militant palestinez në Gazë, Sudan, Turqi dhe Katar, si përgjigje ndaj sulmit befasues ndaj Izraelit ku mbetën të vrarë më shumë se 1.000 njerëz dhe u rrëmbyen rreth 200 të tjerë.

Të sanksionuar nga Zyra e Departamentit të Thesarit për Kontrollimin e Aseteve të Huaja janë anëtarët të cilët e menaxhojnë kuletën e investimeve të Hamasit, një lehtësues financiar me bazë në Katar, i cili ka lidhje të ngushta me regjimin e Iranit, një komandant i lartë i Hamasit dhe një këmbimore virutale në Gazë.

Irani është financuesi kryesor i Hamasit.

Sekretarja e Thesarit e SHBA-së, Janet Yellen, tha se “SHBA-ja po ndërmerr hapa vendimtar dhe të shpejtë për t’i goditur financuesit dhe lehtësuesit e Hamasit, pas sulmit të tij brutal dhe masakrës së pandërgjegjshme ndaj civilëve izraelit, përfshirë fëmijëve”.

Presidenti amerikan, Joe Biden, i cili mbërriti në Lindjen e Mesme të martën vonë për të shfaqur mbështetjen për Izraelin, është përpjekur t’i ulë tensionet në luftën përshkallëzuese mes Izraelit dhe Hamasit, por ato përpjekje kanë përjetuar pengesa të mëdha, posaçërisht pas një shpërthimi që ndodhi në një spital në Gazë të martën, ku u vranë rreth 500 njerëz.

Nënsekretari i Thesarit për Terrorizëm dhe Financimin e Inteligjencës, Brian Nelson, tha se Shtetet e Bashkuara janë duke punuar për t’i hetuar kanalet e financimit të Hamasit dhe u bëri thirrje aleatëve dhe sektorit privat ta bëjnë të njëjtën gjë, ose të përgatiten “për t’i vuajtur pasojat”.

“Ne nuk mund dhe nuk do ta tolerojmë kalimin e parave nëpër sistemin ndërkombëtar për aktivitetet terroriste të Hamasit”, tha Nelson.

Lideri i padukshëm i krahut ushtarak të Hamasit, Mohammed Deif, tha se sulmi i 7 tetorit ndaj Izraelit ishte përgjigje kundër bllokadës 16-vjeçare ndaj Gazës, bastisjeve izraelite në qytetet e Bregut Perëndimor gjatë vitit të fundit, sulmeve në rritje të ardhësve ndaj palestinezëve dhe shtimit të vendbanimeve, përveç arsyeve të tjera.

“Mjaft është mjaft”, tha Deif, i cili nuk shfaqet në publik, në një mesazh të regjistruar. Ai shtoi se sulmi i 7 tetorit “është vetëm fillimi”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG