Ndërlidhjet

SHBA thotë se “ka gjasa” që Rusia ka dislokuar një armë antisatelitore në hapësirë


Zëdhënësi i Pentagonit, Patrick Ryder. Fotografi nga arkivi.
Zëdhënësi i Pentagonit, Patrick Ryder. Fotografi nga arkivi.

Pentagoni tha se Rusia “ka gjasa” që ka dislokuar një armë antisatelitore në hapësirë më herët gjatë këtij muaji. Por, ky pretendim i Shteteve të Bashkuara është hedhur poshtë menjëherë nga Moska.

Zëdhënësi i Pentagonit, Patrick Ryder, u tha gazetarëve gjatë një konference për media më 21 maj se një armë e re hapësinore u lansua pesë ditë më herët në orbitën e njëjtë ku gjendet një satelit i Qeverisë amerikane.

Ai shtoi se vlerësimet e Pentagonit “tregojnë karakteristika të mëtejme që ngjasojnë me ngarkesa antihapësinore të dislokuara më 2019 dhe 2022”.

“Sigurisht, ne themi se kemi përgjegjësinë dhe jemi të gatshëm të mbrojmë domenin tonë, domenin hapësinor dhe të sigurojmë mbështetje të vazhdueshme dhe të pandërprerë për Forcën e Përbashkët dhe të Kombinuar”, tha ai.

Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, më 22 maj mohoi këtë deklaratë, duke e cilësuar si “informacion të rremë nga Uashingtoni”.

“Ne gjithmonë jemi kundër vendosjes së pajisjeve sulmuese në orbitën e Tokës”, tha Ryabkov gjatë një prononcimi për mediat në Moskë.

Një numër në rritje i shteteve i janë drejtuar hapësirës dhe dhjetëra prej tyre kanë aftësi që të lansojnë anije kozmike. Ndërkaq, rreth 80 shtete dhe shumë kompani private kanë asete në orbitë, duke ngritur shqetësime në botë se hapësira mund të shndërrohet në një armë, edhe pse që nga viti 1967 ekziston një traktat për hapësirën që thotë se armët duhet të qëndrojnë në Tokë.

Më 20 maj, një rezolutë e propozuara nga Rusia në Kombet e Bashkuara kundër garës së armëve në hapësirë nuk u miratua nga Këshilli i Sigurimit, pasi shtatë shtete, përfshirë SHBA-në, Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar, votuan kundër, ndërkaq shtatë të tjera, përfshirë Rusinë dhe Kinën e përkrahën rezolutën.

Muajin e kaluar, Rusia vendosi veto ndaj një rezolute të SHBA-së kundër armëve bërthamore në hapësirë. Përfaqësuesi amerikan në OKB, Robert Wood, atëbotë akuzoi Rusinë se po përdorë taktika manipuluese sa i përket çështjes së armëve bërthamore në hapësirë.

Në shkurt, mediat raportuan se SHBA-ja i kishte përshkruar ambiciet bërthamore në hapësirë të Rusisë dhe armët e mundshme bërthamore antisatelitore si kërcënim për sigurinë kombëtare dhe ndërkombëtare.

Pas raportimeve, Uashingtoni e akuzoi Rusinë se po zhvillon armë antisatelitore, ndërkaq presidenti Joe Biden, publikisht i siguroi amerikanët se as SHBA-ja e as komuniteti ndërkombëtar nuk përballen me ndonjë rrezik.

Atëbotë, presidenti rus, Vladimir Putin, deklaroi se shteti i tij “gjithmonë ka qenë në mënyrë kategorike kundër dhe edhe tani është kundër dislokimit të armëve bërthamore në hapësirë”

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG