Ndërlidhjet

SHBA-ja thotë se Rusia po blen artileri nga Koreja e Veriut


Tanket e shkatërruara ruse në Kiev. 2 prill 2022.
Tanket e shkatërruara ruse në Kiev. 2 prill 2022.

Një vlerësim i publikuar i inteligjencës amerikane thotë se Rusia po blen raketa dhe artileri nga Koreja e Veriut në vlerë prej miliarda dollarësh. Sipas inteligjencës amerikane, këto armatime po blihen për pushtimin e Ukrainës, që tashmë është në muajin e shtatë, dhe sipas SHBA-së ky është një tregues për efektin që po kanë sanksionet perëndimore ndaj përpjekjeve të Rusisë për luftë.

Gazeta New York Times publikoi gjetjet, por tha se specifikat e këtyre blerjeve, përfshirë edhe llojet dhe koha kur janë blerë armatimet, janë ende të paqarta.

Gazeta ka cituar një zyrtar të paidentifikuar amerikan i cili ka thënë se blerje të tilla pritet të vazhdojnë dhe ndoshta të zgjerohen përtej raketave me rreze të mesme veprimi dhe municioneve.

Publikimi i këtij vlerësimi pason raportimet muajin e kaluar, që thirreshin në burime të SHBA-së të cilat thoshin se ka pasur probleme mekanike apo teknike në mesin e dy llojeve të dronëve ushtarakë që Rusia së fundmi kishte marrë nga aleati i saj, Irani.

Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe shefat e inteligjencës e komandantët rusë besohet se kanë menduar se qëllimet kryesore të pushtimit të shkallës së gjerë – pas tetë vjetësh luftë në lindje të Ukrainës – do të arriheshin brenda ditësh, kur Putin urdhëroi nisjen e pushtimit në fund të shkurtit.

Por, ukrainasit u kundërpërgjigjën me një rezistencë të fortë, teksa po ndihmohen me dërgesa të armëve nga Perëndimi. Së fundmi, Kievi ka nisur një kundërofensivë për të rimarrë kontrollin e pjesës jugore të vendit.

Të dyja palët nuk tregojnë për shifrat e ushtarëve të vrarë, por ka një konsensus se si Kievi ashtu edhe Moska kanë pësuar humbje të mëdha të ushtarëve, dhe në rastin e Ukrainës, edhe të viktimave civile.

Kievi dhe Moska janë zotuar se do të luftojnë deri sa të arrijnë fitore.

Qeveritë perëndimore dhe anëtarët e NATO-s kanë dërguar armë dhe pajisje të tjera ushtarake në Ukrainë në vlerë prej miliarda dollarësh, teksa Kievi po vazhdon luftën kundër pushtimit rus.

Qëndroni me ne

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG