Ndërlidhjet

SHBA do të mbështesë "çdo qeverisje demokratike, pro-perëndimore në Mal të Zi"


Ndërtesa e Departamentit amerikan të Shtetit.
Ndërtesa e Departamentit amerikan të Shtetit.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se vota për rrëzimin e qeverisë së Malit të Zi, përbënte demokraci parlamentare në veprim, përmes së cilës populli i Malit të Zi mban qeverinë përgjegjëse nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur, raporton Zëri i Amerikës.

Komenti ishte në përgjigje të një kërkese të Zërit të Amerikës për një koment lidhur me mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së kryeministrit Dritan Abazoviq.

"Shtetet e Bashkuara presin që Mali i Zi të ndjekë procedurat ligjore ose për formimin e shpejtë të një qeverie të re në shërbim të vendit, ose për thirrjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare", tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

"Shtetet e Bashkuara do të mbështesin çdo qeveri të formuar në mënyrë demokratike, e cila siguron përparimin e Malit të Zi në rrugën euro-atlantike, që përfshin përshpejtimin e anëtarësimit në BE, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, rritjen e rolit në NATO, një shoqëri gjithëpërfshirëse dhe me orientim qytetar, dhe që vazhdon të mbajë përgjegjëse Rusinë për luftën e saj brutale kundër Ukrainës", vazhdon reagimi.

Në përgjigje të pyetjes së shërbimit serb të Zërit të Amerikës, nëse Shtetet e Bashkuara do të mbështesnin përfshirjen e partisë pro-ruse Fronti Demokratik, në një qeveri të re, zëdhënësi rikonfirmoi qëndrimin ndaj kësaj force.

"Siç e kemi thënë më parë, Shtetet e Bashkuara nuk e shohin Frontin Demokratik si partner sepse ai nuk mbështet vlerat evropiane, përfshirë faktin që nuk e ka dënuar agresionin e Rusisë kundër Ukrainës dhe nuk ka treguar udhëheqje apo vullnet për të bërë përparim në reformat kyçe të nevojshme për anëtarësimin në BE", tha zëdhënësi.

Qeveria e Abazoviqit është rrëzuar një orë pas mesnatës së 20 gushtit me 50 vota për dhe një kundër.

Tash e tutje qeveria e Abazoviqit do të funksionojë në mandat teknik deri në zgjedhjen e qeverisë së re.

Iniciativa për rrëzimin e Qeverisë, e prezantuar nga Partia Demokratike Socialiste e presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, dhe një pjesë e partive në tjera, është shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Abazoviqit për nënshkrimin e Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe.

Abazoviq ka thënë se Marrëveshja Themelore me Kishën Ortodokse Serbe është arsyeja kryesore e rrëzimit të qeverisë së tij.

Rënia e Qeverisë hap mundësinë e formimit të një Qeverie të re, të tretë, bazuar në rezultatet zgjedhore të zgjedhjeve parlamentare të gushtit 2020.

Në periudhën në vijim partitë politike do të fillojnë negociatat për formimin e Qeverisë së re të Malit të Zi.

Nëse një grup i caktuar politik mbledh 41 nënshkrimet e deputetëve, ata do të mund t'i paraqesin kërkesë presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, për t'i dhënë mandatin për formimin e Qeverisë së tretë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG