Ndërlidhjet

SHBA-ja pritet të rinisë operimin e portit për ndihma në Gazë


Një kamion transporton ndihma humanitare përmes portit të përkohshëm të SHBA-së në Gazë. 19 maj 2024.
Një kamion transporton ndihma humanitare përmes portit të përkohshëm të SHBA-së në Gazë. 19 maj 2024.

Porti i përkohshëm i ushtrisë amerikane në Gazë pritet të rinisë operimin më 20 qershor për të mundësuar dërgimin e ndihmave të nevojshme humanitare për palestinezët, thanë dy zyrtarë amerikanë.

Zyrtarët, të cilët folën për agjencinë Reuters në kushte anonimiteti, thanë se porti është rilidhur me bregun në Gazë të mërkurën, pasi ishte shkëputur përkohësisht të premten e kaluar për shkak të kushteve të këqija në det.

Ndihma për në Gazë nisi të dërgohej përmes portit të përkohshëm të ndërtuar nga SHBA-ja më 17 maj dhe Kombet e Bashkuara thanë se përmes këtij porti janë transportuar 137 kamionë me ndihma apo rreth 900 tonë metrikë.

Por, më pas kushtet e këqija në det dëmtuan portin dhe dëmet u riparuan. Përveç kushteve atmosferike, edhe shqetësimet e sigurisë kanë kufizuar numrin e ditëve kur ky port ka qenë funksional.

Në mars presidenti amerikan, Joe Biden, kishte njoftuar për vendosjen e këtij porti të përkohshëm, me qëllim lehtësimin e dërgesave të ndihmës humanitare, teksa Gaza, ku jetojnë 2.3 milionë banorë po përballet me uri, teksa lufta mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – po vazhdon.

*Video nga arkivi: Hapja e portit për ndihma në Gazë

SHBA-ja hap portin për ndihma në Gazë
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:02:03 0:00

Ushtria amerikane ka vlerësuar se për operimin e portit do të duhen 200 milionë dollarë në 90 ditët e para dhe në operimin e tij do të përfshihen 1.000 ushtarë. Por, është e paqartë se sa gjatë do të vazhdojë të jetë operacional porti i ushtrisë amerikane.

Më herët gjatë javës, zëdhënësi i Forcave Ajrore amerikane, gjeneralmajor Patrick Ryder, nuk pranoi të tregonte nëse ushtria do të ndalte krejtësisht operimin e portit. Ai tha se deri më tani porti ka mundësuar dërgimin e 3.500 tonë metrikë ndihme në Gazë.

Lufta në Gazë, që nisi pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit më 7 tetor, ka shkaktuar krizë humanitare. Si pasojë e luftës, në enklavën palestineze janë vrarë më shumë se 37.000 persona. Ndërkaq, në Izrael nga sulmi i Hamasit janë vrarë afër 1.200 persona dhe janë rrëmbyer afër 250 të tjerë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG