Ndërlidhjet

SHBA: Një objekt në lartësi të madhe u rrëzua mbi Alaskë


Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby.

Një "objekt në lartësi të madhe" është rrëzuar mbi Alaskë pak më herët, tha Shtëpia e Bardhë.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, tha se objekti ishte në "madhësinë e një makine të vogël".

Presidenti Joe Biden mori vendimin për të rrëzuar objektin, i cili ishte me origjinë të panjohur, tha ai.

Kjo vjen pasi SHBA-ja rrëzoi atë që Uashingtoni tha se ishte një balonë kineze e spiunazhit, por që Pekini tha se ishte një anije shkencore civile, që aksidentalisht kishte fluturuar jashtë drejtimit për shkak të motit.

Duke folur në Shtëpinë e Bardhë të premten, Kirby tha se objekti mbi Alaskë mund të kishte paraqitur një kërcënim për avionët civilë.

Ai tha se një avion luftarak i ishte afruar objektit dhe vlerësoi se ishte pa pilot, dhe tha se ky informacion i ishte dhënë Bidenit kur e mori vendimin.

Zyrtarët e inteligjencës u njoftuan për objektin të enjten në mbrëmje, sipas Kirbyt.

"Ne nuk e dimë se kush e zotëron atë, nëse është në pronësi të shtetit apo në pronësi private", tha ai.

Kirby nuk specifikoi vendndodhjen e saktë se ku u rrëzua objekti, por Administrata Federale e Aviacionit tha se kishte mbyllur hapësirën ajrore në zonën e Deadhorse, në veri të Alaskës.

Asnjë objekt tjetër i një natyre kërcënuese nuk është identifikuar për momentin mbi SHBA, sipas Shtëpisë së Bardhë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG