Ndërlidhjet

Mustafa: Delegacioni i SHBA-së ka bërë paralajmërime për masa serioze ndaj Kosovës


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa tha se është njoftuar nga ana e presidentit Hashim Thaçi për masat serioze që SHBA-ja mund të ndërmarrë ndaj Kosovës.

Presidenti Thaçi, ka biseduar mbrëmë me kryetarin e partisë më të madhe opozitare, Isa Mustafa, menjëherë pas takimit që kishte me delegacionin e lartë të Shteteve të Bashkuara të përbërë nga drejtori për Çështje Evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, John Erath, si dhe drejtorin për Ballkanin në Këshillin Kombëtar të Sigurisë, Brad Berkley.

Presidenti Thaçi ka thënë se delegacioni ka kërkuar të pezullohet taksa ndaj mallrave të Serbisë dhe të Bosnjes.

Përmes një postimi në Facebook, Mustafa tha se ka kërkuar nga presidenti Thaçi që të shkohet në zgjedhje, për të siguruar legjitimitetin në dialogun me Serbinë.

“LDK nuk do të pajtohet ne asnjë mënyrë që të dialogohet për territorin, sepse kjo çon në rihapje të shtetësisë. Poashtu, theksova se është përgjegjësi e koalicionit qeverisës që të gjej zgjidhje, në mënyrë që të ruhet partneriteti me SHBA-të, si aleatin tonë strategjik. Ia shpreha qëndrimet e LDK-së për dialogun dhe nevojën që para dialogut të shkohet në zgjedhje, për të siguruar legjitimitetin”, tha Mustafa.

Delegacioni i lartë i Shteteve të Bashkuara po qëndron në Kosovë dhe gjatë ditës së enjte ka zhvilluar takim edhe me Ekipin e Dialogut si dhe me përfaqësues tjerë politik të Kosovës.

Bashkëkryesuesi i delegacionit të Kosovës për bisedimet me Serbinë, Fatmir Limaj, ka njoftuar pas takimit se Erath dhe Berkley kanë kërkuar pezullimin e taksës 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina.

“Përfaqësuesit e lartë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Erath dhe Brad Berkley, edhe njëherë paraqitën qëndrimin e njohur amerikan për pezullimin e taksës për t’i dhënë mundësi dialogut dhe përkushtimin e SHBA-ve për të parë sa më shpejt një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë e cila do ta mbyllte njëherë e përgjithmonë konfliktin mes dy vendeve”, ka shkruar Limaj në Facebook.

Zyrtarët e lartë amerikanë kanë zhvilluar mbrëmë një takim të përbashkët me presidentin Hashim Thaçi dhe kryeministrin Ramush Haradinaj. Përmes dy komunikatave të ndara, presidenti dhe kryeministri kanë njoftuar për përmbajtjen e takimit.

Përderisa presidenti Thaçi njoftoi se zyrtarët e lartë amerikanë kanë “përsëritur qëndrimin e qartë të administratës amerikane që taksa duhet të suspendohet me qëllim që të vazhdojë dialogu dhe përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, kryeministri Haradinaj, sipas një njoftimi të Qeverisë, ka thënë në takim se “Kosova është e vendosur për tregti të lirë brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe marrëveshja gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese do të përfshijë edhe rregullimin e kapitullit të tregtisë së lirë në mes të Kosovës dhe Serbisë”.

Hashtag: A janë dëmtuar marrëdhëniet Kosovë-SHBA?

Vizita e zyrtarëve të lartë amerikanë vjen në kohën kur Shtetet e Bashkuara po kërkojnë të pezullohet tarifa ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjës në mënyrë që t’i hapet rruga vazhdimit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

· SHBA: E pabesueshme që Kosova po injoron këshillën tonë për taksën

Përkeqësimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së për shkak të taksës, e ka konfirmuar zëvëndëskryeministri i Kosovës dhe nënkryetar i Partisë Demokratike, Enver Hoxhaj. Pas takimit me zyrtarët e lartë amerikanë, Hoxhaj ka shkruar ne Facebook, se raportet mes dy vendeve janë në nivelin më të ulët.

“Përgjatë përvojës time pesëmbëdhjetë vjeçare në politikë, fatkeqësisht, ndodhemi në pikën më të ulët të marrëdhënieve Kosovë-SHBA dhe ky duhet të jetë shqetësim për politikën dhe shoqërinë në Kosovë” ka shkruar Hoxhaj.

Kryeministri Ramush Haradinaj që vjen nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, po kundërshton pezullimin e tarifës përderisa partneri tjetër i koalicionit, Partia Demokratike e Kosovës që e udhëheq kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ka propozuar pezullimin e saj në kohëzgjatje prej 120 ditësh.

· SHBA-ja anulon pjesëmarrjen e Kosovës në tetë programe të Qendrës “George Marshall”

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG