Ndërlidhjet

SHBA: Izraeli duhet të mbrojë civilët në Rripin e Gazës


Rafah, Rripi i Gazës. 28 tetor 2023.
Rafah, Rripi i Gazës. 28 tetor 2023.

Izraeli ka përgjegjësi për jetën e banorëve të pafajshëm në Gazë, tha këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan.

Me numrin e viktimave që ka arritur në mbi 8.000 në Rripin e Gazës, administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, është nën presion që ta bëjë të qartë se mbështetja e tij për Izraelin nuk nënkupton mbështetje për gjithçka që Izraeli po bën në këtë enklavë.

Sullivan tha se Uashingtoni i ka bërë pyetje të vështira Izraelit, përfshirë edhe për çështjet që kanë të bëjnë me ndihmat humanitare, dallimin midis terroristëve dhe civilëve të pafajshëm dhe si Izraeli e ka planifikuar operacionin e tij ushtarak.

“Ajo çfarë ne besojmë është se në çdo orë, çdo ditë të këtij operacioni ushtarak, Forcat Mbrojtëse të Izraelit, Qeveria e Izraelit duhet të përdorin çdo mjet në dispozicion që të bëjnë dallimin midis terroristëve të Hamasit, që janë caqe legjitime ushtarake, dhe civilët, të cilët nuk janë caqe legjitime”, tha Sullivan për CNN.

Sullivan tha se SHBA-ja e ka bërë të qartë këtë çështje dhe do të përsërisë qëndrimin gjatë bisedës që Biden do të zhvillojë më vonë gjatë të dielës me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.

Sullivan po ashtu tha se Netanyahu ka përgjegjësi që të “frenojë” kolonët ekstremistë hebrenj në Bregun e pushtuar Perëndimor.

“Është plotësisht e papranueshme që kemi dhunë të kolonëve ekstremistë ndaj njerëzve të pafajshëm në Bregun Perëndimor”, tha ai.

Sulmet e militantëve të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor, kur u vranë mbi 1.400 persona, kanë nxitur Izraelin që të nisë një valë të sulmeve ajrore dhe tokësore ndaj Rripit të Gazës.

Autoritetet shëndetësore në Rripin e Gazës – ku jetojnë 2.3 milionë banorë – kanë thënë se 8.005 palestinezë janë vrarë që kur ka nisur lufta.

Sullivan tha se Hamasi – që kontrollon Gazën – gjendet në mesin e popullatës palestineze dhe në infrastrukturat civile, duke e bërë operacionin kundër këtij grupi shumë të vështirë.

“Kjo krijon sfidë shtesë për Izraelin, por kjo nuk e pakëson përgjegjësinë e Izraelit, sipas ligjit ndërkombëtar, që të bëjë dallimin midis terroristëve dhe civilëve dhe të mbrojë jetën e njerëzve të pafajshëm, që përbëjnë shumicën e popullatës në Gazë”, tha Sullivan.

Izraeli ka shtrënguar rrethimin e Gazës dhe po e bombardon pareshtur këtë territor qe tre javë. Banorëve të Gazës po iu mbarojnë furnizimet me ushqim dhe ujë. Situata atje ka rritur zemërimin ndërkombëtar dhe ka shtuar thirrje për “një pauzë humanitare” në mënyrë që të dërgohen ndihma për banorët në këtë territor.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG