Uashingtoni ia ka anuluar licencën amerikane një prej kompanive më të mëdha kineze për telekomunikime, duke cituar shqetësimet për “siguri kombëtare”.
Kompania, China Telecom, duhet të ndalojë ofrimin e shërbimeve në Shtetet e Bashkuara brenda 60 ditëve.
Zyrtarët kanë thënë se kontrolli i Qeverisë kineze në këtë kompani, i ka dhënë asaj mundësi “të ketë qasje, të ruajë, t’i pengojë dhe t’i çojë në drejtim të gabuar komunikimet amerikane”.
Kjo gjë mund t’i mundësojë asaj “të përfshihet në spiunim dhe aktivitete tjera të dëmshme kundër SHBA-së”, kanë thënë zyrtarët.
China Telecom, e cila ka ofruar shërbime të telekomunikimeve në SHBA për gati 20 vjet, e ka quajtur vendimin “zhgënjyes”.
“Ne planifikojmë të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme teksa vazhdojmë t’iu shërbejmë konsumatorëve tanë”, ka thënë kompania përmes një deklarate.
China Telecom është një prej tri kompanive që dominojnë tregun e telekomunikimeve në Kinë.
Kompania ka qindra miliona konsumatorë në 110 shtete, dhe shërbimet dallojnë nga interneti e deri te rrjetet telefonike.