Ndërlidhjet

Biden dhe McCarthy bëjnë përparim për të hequr tavanin e borxhit


Presidenti Joe Biden me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy.
Presidenti Joe Biden me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy.

Të enjten, presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden u shpreh se ai dhe Kevin McCarthy, republikani kryesor në Kongres, kishin bërë përparim të rëndësishëm drejt marrëveshjes për të reduktuar shpenzimet dhe për të rritur tavanin e borxhit të qeverisë, i cili aktualisht qëndron në 31.4 trilion dollarë.

Mosarritja e marrëveshjes për tavanin e borxhit mund të ketë pasoja të rënda për ekonominë amerikane.

Sipas Departamentit të Thesarit, qeveria federale mund të përballet me mungesë fondesh për të mbuluar shpenzime të caktuara deri më 1 qershor.

Gjatë mbajtjes së një fjalimi në Shtëpinë e Bardhë, presidenti demokrat u shpreh se republikanët po kërkojnë shkurtime të konsiderueshme që do të bënin që marrja e Sigurimeve Shoqërore të zgjasë më shumë, dhe të çojë në një reduktim të numrit të mësuesve, oficerëve të policisë dhe agjentëve të patrullës kufitare.

"Unë nuk besoj se e gjithë barra duhet të bie mbi amerikanët e klasës së mesme dhe punëtore. Miqtë republikanë nuk janë dakord", tha Biden.

Nëse arrihet një marrëveshje, ajo do të përcaktojë udhëzime të përgjithshme për shpenzimet, ndërkohë që ligjvënësit t'i trajtojnë detajet specifike në javët dhe muajt e ardhshëm.

Çdo marrëveshje për të rritur kufirin duhet të kalojë të dyja dhomat e Kongresit, dhe për këtë arsye varet nga mbështetja dypartiake. Republikanët e McCarthy kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa demokratët e Biden-it mbajnë Senatin.

Kjo mund të paraqesë një sfidë, pasi disa republikanë konservatorë dhe demokratë të shumtë progresivë kanë shprehur pakënaqësinë e tyre me idenë e arritjes së një kompromisi.

"Ne e dimë se ky votim kërkon votat e demokratëve dhe republikanëve, që do të thotë se kur negociohet kështu, kur këto negociata të ndodhin, të dyja palët duhet të kuptojnë se asnjëra palë nuk do të marrë gjithçka që dëshiron", tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre.

Falimentimi i SHBA-së mund të përmbysë tregjet financiare globale dhe ta shtyjë SHBA-në në recesion. Sipas kryetarit të Shefave të Shtabit të Përbashkët Mark Milley, kjo kërcënon sigurinë kombëtare.

"Unë mendoj se nuk ka asnjë dyshim se do të kishte një ndikim shumë të rëndësishëm negativ në gatishmërinë, moralin dhe aftësitë e ushtrisë së Shteteve të Bashkuara nëse ne do të falimentonim", tha ai.

Demokratët dhe republikanët kanë afat deri më 1 qershor për të rritur kufirin e vetëhuamarrjes së qeverisë, ose përndryshe do të rezultojë në një falimentim të paprecedentë të borxhit. Ekonomistët paralajmërojnë se mospagimi i borxhit mund të çojë në një recesion.

Një dështim për të hequr tavanin e borxhit do të shkaktonte një tronditje në tregjet financiare dhe do të rriste normat e interesit në çdo gjë, nga pagesat e makinave deri te kartat e kreditit.

Do të duhen disa ditë për të lëvizur legjislacionin përmes Kongresit nëse dhe kur Biden dhe McCarthy arrijnë një marrëveshje. McCarthy tha se një marrëveshje duhet të arrihet këtë javë që ajo të kalojë Kongresin dhe të nënshkruhet nga Biden në kohë për të shmangur falimentimin.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG