Ndërlidhjet

SHBA akuzon Rusinë se po përgatit operacione të rreme në Ukrainë


Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

Shtëpia e Bardhë ka akuzuar Rusinë për dërgim të sabotatorëve në lindje të Ukrainës, në mënyrë që të nxisin incidente dhe ato më pas të shërbejnë si pretekst për pushtim, nëse nuk plotësohen kërkesat e Moskës për siguri.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki u ka thënë gazetarëve më 14 janar se inteligjenca amerikane sugjeron se Rusia “ka pozicionuar një grup të personave për të kryer një operacion të rremë në Ukrainë. Operativët janë të trajtuar për të kryer akte sabotazhi”.

Këto komente janë pjesë e një serie paralajmërimesh dhe kërcënimesh të zyrtarëve amerikanë drejt Rusisë.

Këto deklarata vijnë pas një jave të negociatave të zhvilluara në Gjenevë, Bruksel dhe Vjenë, në mes të zyrtarëve amerikanë, evropianë dhe atyre rusë, të cilët kanë kërkuar një riorganizim të plotë të strukturës së sigurisë në Evropë.

Këto negociata janë zhvilluar pasi Rusia ka angazhuar rreth 100,000 trupa afër kufirit të Ukrainës, duke shtyrë zyrtarë perëndimorë të inteligjencës që të paralajmërojnë se Rusia mund të kryejë një pushtim të ri të Ukrainës.

“Inteligjenca jonë tregon se aktorët rusë tashmë kanë nisur të fabrikojnë provokime ukrainase brenda shtetit, dhe në rrjetet sociale, për të justifikuar një intervenim rus dhe për të përshkallëzuar situatën në Ukrainë”, ka thënë Psaki.

“Ushtria ruse planifikon të nisë këto aktivitete disa javë para pushtimit ushtarak, që mund të nisë në mesin e janarit apo mesin e shkurtit”, ka shtuar ajo.

Në Moskë, këto komente janë përqeshur.

“Deri më tani, të gjitha këto deklarata kanë qenë pabazë dhe nuk janë konfirmuar me asgjë”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, sipas mediave shtetërore ruse.

Ndërkohë që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e Perëndimit kanë rritur alarmin për pozicionim të trupave ruse afër Ukrainës, Rusia ka kërkuar garanci të shkruara se NATO-ja nuk do të pranojë vendet e ish-Bashkimit Sovjetik, sikurse Ukrainën dhe Gjeorgjinë.

Uashingtoni dhe aleatët e NATO-s kanë zhvilluar tri runde të bisedimeve me Rusinë, me qëllim të stabilizimit të situatës, ndonëse e kanë bërë të qartë se politika e aleancës veri-atlantike për dyer të hapura, nuk është e panegociueshme.

Moska, e cila ka hedhur poshtë mundësinë e pushtimit të Ukrainës, ka thënë se nuk do të presë pafund për një përgjigje të shkruar nga Perëndimi për siguritë që ka kërkuar.

“Na ka humbur durimi”, ka thënë ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, në konferencën vjetore për gazetarë më 14 janar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG