Ndërlidhjet

SHBA dhe Rusia interpretojnë ndryshe sulmet Perëndimore në Siri


Ilustrim.
Ilustrim.

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë përmendur shifra krejtësisht të ndryshme lidhur me sulmet e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara në baza siriane, të cilat Uashingtoni i ka cilësuar si “zemra” e programit të armëve kimike të Sirisë.

Moska ka pretenduar më 14 prill se mbrojtja siriane ka ndaluar 71 nga 103 raketa, në kuadër të operacionit të përbashkët të Shteteve të Bashkuara, Britanisë dhe Francës.

Pentagoni ka kundërshtuar një gjë të tillë, derisa Gjenerali, Kenneth McKenzie ka thënë se “asnjë nga raketat e përfshira në këtë operacion nuk janë ndalur nga sistemi sirian i mbrojtjes”.

“Përgjigjja siriane ka qenë e paefektshme në të gjitha aspektet”, ka thënë ai.

Pamje të sulmeve amerikane në Siri
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:00:16 0:00

Ministria ruse e Mbrojtjes ka pretenduar më 14 prill se forcat siriane, duke përdorur sistemin sovjetik të mbrojtjes ajore ka demonstruar “efektivitet të lartë”, duke përmenduar edhe “trajtimin e shkëlqyer të personelit ushtarak sirian të përgatitur nga specialistët tanë”.

Këto deklarata janë përshëndetur nga media shtetërore ruse dhe zyrtarët, që kanë portretizuar sulmet ajrore me qëllim të ndëshkimit të presidentit sirian, Bashar al-Assad për sulmin e dyshuar me armë kimike, si dështim të madh.

“Raketat e agresorëve Perëndimorë kanë rezultuar si shumë më pak efektive” kundrejt sistemit sovjetik për mbrojtje raketore, ka thënë televizioni shtetëror rus.

Në të njëjtën kohë, një anëtar i Dhomës së Ulët të parlamentit rus i është kundërpërgjigjur deklaratave të disa ditëve më parë të presidentit amerikan, Donald Trump, në të cilat paralajmërohej Moska për nisjen e raketave “të reja, të mira dhe “të mençura” drejt Sirisë.

“Sistemi sovjektik i raketave doli të jetë më i mençur”, ka thënë Aleksei Pushkov përmes një postimi në Twitter.

McKenzie i ka thënë Pentagonit më 14 prill se operacioni i SHBA-së, Britanisë dhe Francës, “ka goditur me sukses secilin cak”.

Ai ka thënë se janë nisur 105 raketa kundër tri caqeve në operacionin në Siri, i cili siç është shprehur ai “do të kthejë mbrapa për vite të tëra, sistemin sirian të armëve kimike”.

McKenzie ka thënë se forcat siriane kanë qëlluar vetëm 40 raketa tokë-ajër në përgjigje të sulmeve ajrore, shifër që rezulton me 31 raketa më pak në krahasim me numrin që ka përmendur Rusia.

“Shumica e këtyre veprimeve kanë ndodhur pasi kemi përfunduar misionin”, ka thënë McKenzie duke iu referuar sistemit sirian për ndalimin e raketave, duke shtuar se “ata kanë qenë tejet joefektiv dhe kanë rritur rrezikun për popullatën e tyre”.

McKenzie ka thënë Uashingtoni nuk ka informacione se sistemet ruse të mbrojtjes raketore janë përdorur gjatë sulmeve ajrore të Perëndimit.

Pamje pas sulmeve ajrore në Siri
Pamje pas sulmeve ajrore në Siri

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, më 14 prill ka urdhëruar sulme ushtarake kundër Sirisë, në bashkëpunim me Mbretërinë e Bashkuar dhe Francën.

Ambasadori rus në Këshillin e Sigurimit në Kombet e Bashkuara, Vassily Nebenzya, ka thënë se sulmet e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj ka qenë “akt i agresionit” kundër shtetit sovran.

Ai ka thënë se veprimi i këtyre shteteve ka demonstruar një shpërfillje të ligjit ndërkombëtar.

Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley ka thënë se sulmet janë planifikuar me kujdes për të minimizuar viktimat civile.

Haley ka përsëritur se presidenti Trump ka deklaruar që nëse Siria përdor sërish gaz helmues, SHBA-ja është e gatshme për të reaguar.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka thënë se ai ka dënuar sulmet Perëndimore, “në mënyrën më serioze”.

Presidenti sirian, Bashar al- Assad, ka thënë se sulmet e Shteteve të Bashkuara, Britanisë dhe Francës kundër Sirisë, do të rrisin vendosshmërinë e Sirisë për “të luftuar terrorizmin në çdo inç” të shtetit.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG