Ndërlidhjet

Policia e Kosovës konfirmon se ndaloi futjen e materialit zgjedhor nga Serbia


Kamionët me material zgjedhor në pikën kufitare në Merdare më 15 janar.
Kamionët me material zgjedhor në pikën kufitare në Merdare më 15 janar.

Policia e Kosovës ka konfirmuar të shtunën më 15 janar se të premten kanë ndaluar futjen e materialit zgjedhor për referendumin serb në Kosovë.

Sipas njoftimit, më 14 janar, në kufirin Kosovë-Serbi në Merdare kanë ardhur tri automjete (një veturë dhe dy kamionë) me targa të Serbisë, në të cilat kanë qenë gjashtë persona.

Këto automjete sipas policisë, kanë bartur material që dyshohej se do të përdoret për referendumin që pritet të mbahet në Serbi më 16 janar.

"Në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, dy mjetet transportuese
(kamionët) janë dërguar tek autoritetet kompetente doganore, ndërsa pas intervistimit personat me automjetin e tyre janë kthyer mbrapa në Serbi", thuhet në njoftimin e policisë.

Rikujtojmë se Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka njoftuar të premten (14 janar) në mbrëmje se në pikën kufitare Merdare, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është ndalur një zyrtar i Komisionit Republikan Zgjedhor.

Sipas njoftimit, koordinatori i këtij Komisioni, Marko Jankoviq, ishte i shoqëruar nga dy kamionë që transportonin material zgjedhor, lidhur me çka “ishte njoftuar Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë”.

Mes tjerash në njoftim është thënë se Policia e Kosovës ka konfiskuar dy kamionët dhe ka arrestuar zyrtarin e Komisionit, si dhe vozitësit e kamionave.

Në njoftim është thënë edhe se zyrtari i Komisionit është dërguar "në drejtim të panjohur".

Lidhur me këtë çështje është thënë të jenë njoftuar edhe zyrtarë evropianë.

“Misioni i OSBE-së në Kosovë ishte i obliguar që sonte të merrte përsipër materialin zgjedhor në përputhje me mandatin e saj në terren, por edhe gatishmërinë e shprehur për organizimin e referendumit, për të cilin jemi njoftuar me një letër të datës 22 dhjetor të vitit të kaluar. Mirëpo, sonte misioni i OSBE-së, jo vetëm që nuk ka marrë përsipër materialin e referendumit, por as nuk është paraqitur në Merdare, ku është dashur ta marrë materialin, siç është bërë çdo herë deri më tani në proceset e mëparshme zgjedhore”, përmendet në njoftim.

Në ndërkohë, misioni i OSBE-ja ka deklaruar se kishte qenë i gatshëm të kryente një operacion për mbledhjen e votave në përputhje me precedentin e mëparshëm dhe me pëlqimin e të gjitha institucioneve përkatëse

"Në mungesë të pëlqimit të nevojshëm, siç është bërë e qartë në deklaratat e mëparshme, dhe siç u është komunikuar të gjitha palëve, nuk ka rezultuar e mundur që Misioni të kryejë një operacion të tillë me këtë rast", thuhet në deklaratën e OSBE-së në Facebook.

Ndryshe, institucionet e Kosovës kanë thënë të premten se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në Kosovë, përbën shkelje të kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

Ata thanë se qytetarët serbë të Kosovës, me dyshtetësi, do të mund të votojnë për referendumin në Serbi sipas praktikave ndërkombëtare, që në këtë rast, sipas tyre, nënkuptojnë mundësitë përmes postës apo Zyrës Ndërlidhëse në Prishtinë.

Më heret më 14 janar, zyrtarë të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, kanë thënë se me keqardhje kanë pranuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos e lejuar OSBE-në që të grumbullojë votat në Kosovë për referendumin në Serbi. Ata i bënë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur.

Udhëheqësit e Presidencës, Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës u kanë bërë thirrje vendeve të Quint-it që në raport me Kosovën të aplikohen standarde të njëjta sikurse me çdo shtet tjetër, marrë parasysh se pavarësia e saj është njohur nga shumë vende demokratike në botë.

Referendumi për ndryshimet e Kushtetutës së Serbisë do të mbahet të dielën, më 16 janar.

Ndryshimet kanë të bëjnë me gjyqësorin dhe Serbia është obliguar për to në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Siç kanë shpjeguar vazhdimisht përfaqësuesit e BE-së, qëllimi i ndryshimit të Kushtetutës së Serbisë është që të arrihet një gjyqësor i pavarur, pa ndikim politik dhe për sundim të ligjit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG