Ndërlidhjet

Serbia vendos regjim të veçantë kontrolli ndaj zyrtarëve kroatë


Fotografi ilustruese.
Fotografi ilustruese.

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin, deklaroi se nga 17 korriku, të gjithë zyrtarët kroatë do të vendosen nën një regjim të veçantë kontrolli.

“Nga sot, të gjithë zyrtarët e shtetit kroat, të gjithë poseduesit e pasaportave zyrtare apo diplomatike do të duhet të shpallin dhe arsyetojnë veçmas vizitën apo kalimin e tyre nëpër Serbi dhe do të vendosen nën një regjim të veçantë kontrolli”, tha Vulin.

Kjo deklaratë erdhi pasi kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, tha se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, dëshironte të vizitonte sot privatisht Jasenovacin, por se e shtyu vizitën “për hir të marrëdhënieve të mira” ndërmjet Serbisë dhe Kroacisë.

Bërnabiq gjatë një interviste për TV Pink, në lidhje me shkrimin e gazetës kroate Jutarnji List se Qeveria kroate nuk do ta lejojë Vuçiqin të vizitojë privatisht Jasenovac sot, tha se veprimi i autoriteteve kroate është “skandali më i madh në historinë moderne të Serbisë dhe Kroacisë”.

Jasenovaci ishte një kamp përqendrimi në fshatin me po të njëjtin emër në Kroaci gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ky ishte një prej dhjetë kampeve më të mëdha të përqendrimit në Evropë dhe ishte themeluar dhe operuar nga regjimi i Ustashëve, bashkëpunëtorëve të nazistëve. Në Luftën e Dytë Botërore, dhjetëra-mijëra serbë, hebrenj, rom dhe kroatë anti-fashistë u vranë në këtë kamp, që njihet edhe si "Aushvici i Kroacisë".

“Nuk është e qartë për mua nëse atij i ndalohet të vizitojë Kroacinë apo Jasenovacin, kështu që ai mund të shkojë kudo, por jo në Jasenovac, që për mendimin tim është një precedent i jashtëzakonshëm”, tha Bërnabiq, duke shtuar se është “shkelje brutale e lirisë së lëvizjes”.

Gazeta Jutarnji list bëri të ditur se Vuçiq kishte planifikuar të vizitonte privatisht Jasenovacin dhe Pakracin, por autoritetet kroate nuk i kanë dhënë leje që të vizitojë këto lokacione.

Siç raportohet, pa njoftim zyrtar për autoritetet kroate, pa koordinim me ambasadën, Vuçiq ka dashur që ta kalojë kufirin nga Bosnja dhe Hercegovina, gjegjësisht Republika Sërpska dhe të mbërrijë në Jasenovac rreth orës 11:00 dhe më pas në Pakrac rreth orës 14:00.

Kroacia "nuk u informua" për vizitën e Vuçiqit

Ministri i Jashtëm i Kroacisë, Gordan Gërliq Radman, përmes një konference për media, sqaroi se autoritetet kroate kishin kuptuar përmes kanaleve jozyrtare që Vuçiq po planifikonte të vizitonte Jasenovacin dhe Pakracin dhe tha se i ka dorëzuar një notë proteste Serbisë.

“Ua rikujtuam se në rastin e çdo vizite të zyrtarëve të huaj, koha, vendi dhe plani i vizitës paraprakisht duhet të pajtohet mes dy palëve. Kroacia nuk është informuar, kjo është e papranueshme për Kroacinë”, tha ai.

“Nëse po flasim sinqerisht, bisedime për këtë vizitë nuk kanë ndodhur. Ne e konsiderojmë këtë provokim. Qëllimi i Vuçiqit është të fitojë poenë shtesë në Serbi”, shtoi ministri kroat.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, postoi në Instagram një fotografi të monumentit të Jasenovacit dhe shkroi: "Populli serb do të jetojë dhe nuk do të harrojmë asnjëherë".

Ndërkaq, Bërnabiq tha se Serbia dëshiron normalizimin e marrëdhënieve me Kroacinë, porse duhet të mbështetet në respektimin e viktimave serbe.

Serbia më pas ka thënë se do të bëjë një kërkesë zyrtare për vizitë në Kroaci.

Ministri i Brendshëm, Aleksandar Vulin, ka bërë të ditur se do të zbatohet një regjim i posaçëm për zyrtarët kroatë derisa ai të jetë ministër i Brendshëm, “ose derisa Kroacia të fillojë të sillet” sikurse nuk është më Shteti i Pavarur i Kroacisë, që qeverisej nga ustashët.

Shumë nacionalistë serbë e akuzojnë Qeverinë kroate se nuk është përballur me veprimet e tyre në territorin e saj gjatë Luftës së Dytë Botërore. Qeveria kroate, ndërkaq ka akuzuar Beogradin se përdor këtë çështje për arsye të brendshme politike dhe që të mos merret me rolin e tij gjatë luftërave në Ballkan më 1992-95.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG