Ndërlidhjet

Serbia i konsideron “të motivuara politikisht” arrestimet për krime lufte në Kosovë


Fotografi ilustruese nga arkivi.
Fotografi ilustruese nga arkivi.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka thënë të mërkurën se i ka arrestuar tre persona të komunitetit serb, nën dyshimet për kryerje të “krimeve të luftës kundër popullsisë civile”.

“Me vendim të prokurorit të Prokurorisë Speciale, tre të arrestuarve u është caktuar masa e ndalimit deri në 48 orë”, është thënë në njoftim, pa u specifikuar se për çfarë krime lufte akuzohen ata.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se dy prej tre të arrestuarve janë prej komunave në veri të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut dhe Zveçan.

Lidhur me këto arrestime ka reaguar Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – dhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Sipas tyre, arrestimet janë të motivuara politikisht.

“Është e qartë se [kryeministri i Kosovës Albin] Kurti po vazhdon me planin e tij për ta përdorur dhunën dhe forcën për t’i zgjidhur çështjet e hapura politike dhe për t'i trajtuar serbët në Kosovë si pengje në procesin e negociatave”, është thënë në reagimin e Listës Serbe, pa përmendur se të ndaluarit akuzohen për krime lufte.

Edhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka thënë se këto arrestime janë bërë “me qëllim të shkaktimit të tensioneve dhe krizave të reja në terren”.

Në një konferencë për media në Beograd, drejtori i kësaj Zyre, Petar Petkoviq, ka thënë se arrestimi i tre serbëve përbën “vazhdimësi të spastrimit etnik” nga qeverisja e Kurtit.

“Këto arrestime brutale bëhen ekskluzivisht me urdhër të Albin Kurtit, i cili dëshiron ta dëbojë popullin serb nga Kosova dhe ky është shembull i spastrimit etnik”, ka thënë Petkoviq.

Ai ka thënë se ka marrë urdhër nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të nisur procedurë për thirrjen e një seance urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për situatën në Kosovë.

“Është çështje ditësh se kur do ta dërgojmë kërkesën dhe kur do të mbahet seanca”, ka thënë ai.

Vuçiq ka thënë në fillim të korrikut se do të kërkojë seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit, lidhur me zhvillimet në Kosovë.

Prej përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, rreth 70 persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Nga viti 2000 deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, prej Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX).

Në vitin 2018, ky mision i ka dorëzuar lëndët në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore.

Në luftën e zhvilluar në Kosovë më 1998/99, janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG