Ndërlidhjet

Serbia dhe Kosova sërish i ngadalësojnë orët në Evropë


Ilustrim
Ilustrim

Rrjeti Energjetik i Serbisë (EMS) ka hedhur poshtë përgjegjësinë dhe ka akuzuar operatorin e Kosovës për devijimin e sërishëm kohor në punën e orëve digjitale në zonën e Evropës. Më herët, Rrjeti Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë Elektrike (ENTSO) ka kërcënuar Serbinë me sanksione në qoftë se nuk e zgjidh kontestin me Kosovën, për shkak se orët dogjitale, të cilët sinkronizohen përmes rrjetit të frekuencave në të gjithë Evropën, sërish po vonohen.

Në komunikatën e Rrjetit Energjetik të Serbisë, e cila i është përcjellë Radios Evropa e Lirë, thuhet se arsyeja e vonës së orëve digjitale është “marrja e paautorizuar e energjisë elektrike nga ana e kompanisë KOSTT (Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës)”.

“KOSTT-i nuk e ka mbajtur balancimin ndërmjet prodhimit dhe shpenzimit të energjisë elektrike në territorin e Kosovës, por pjesën e munguar për furnizimin e konsumatorëve, e ka marrë pa kompensim nga interkoneksioni ‘Evropa Kontinentale’- do të thotë, nga të gjithë operatorët tjerë të transmisionit, të cilët e përbëjnë zonën e sinkronizuar, për të cilën po flasim”, ka thënë Rrjeti Energjetik i Serbisë.

Serbia dhe Kosova janë pjesë të sistemit energjetik “Evropa Kontinentale” dhe sipas marrëveshjes, nga Kosova pritet që të balancojë energjinë elektrike dhe kërkesën në rrjetin e saj. Ndërkaq nga Serbia kërkohet që t’i ndihmojë Kosovës që ta vendosë atë balancim.

Operatorit i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT), më herët i pati thënë Radios Evropa e Lirë se vonesa është pasojë e moszbatimit të marrëveshjes nga ana e Rrjetit Energjetik të Serbisë, për kyçjen e KOSTT-it në Rrjetin Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë Elektrike.

Ky institucion theksoi që moszbatimi i marrëveshjes e shkakton dëme financiare KOSTT-it, për shkak se “operatori serb vazhdon të fitojë milionat nga kapacitetet e lidhjeve kufitare të Kosovës me vendet fqinje“.

Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd, thotë për Radion Evropa e Lirë se tash e disa dekada ekziston praktika që energjia elektrike nga Kosova, përmes Serbisë lëshohet vetëm në mbrëmje, sepse kinse nuk ka kapacitete.

“Por, në fakt, atëherë bie çmimi i rrymës në tregun botëror dhe pastaj, agjentët tonë e blejnë në transferim dhe në mëngjes e shesin. Po, një gjë e tillë, më pas e çrregullon balancën e energjisë së nevojshme në Evropë, varësisht nga madhësia e transaksionit. Bëhet fjalë për keqpërdorim të pronës shtetërore, sepse ky është sistem i transmisionit, si dhe për keqpërdorim të faktit që Kosova nuk ka mundësi tjetër, sepse ende nuk ka përfunduar largpërçuesi kah Shqipëria, që të hyjë në Evropë, përveç përmes Serbisë. Më pas, në atë rrjet që tashmë është i vjetërsuar, krijohet ajo diferenca në para”, tha Janjiq.

Përderisa të dy shtetet e mohojnë përgjegjësinë, tashmë kjo është hera e dytë që po shkaktohen probleme me orët, të cilat punojnë me energji elektrike, siç janë ato në furrat me mikrovalë ose në radiot. Në fillim të muajit mars të këtij viti, orët ishin vonuar rreth 5 minuta në 25 shtete evropiane.

Rrjeti evropian, në atë kohë pati deklaruar se devijimet vijnë në veçanti nga zona e Serbisë dhe e Kosovës, prej nga, për shkak të përplasjeve politike ndërmjet dy shteteve, shkon më pak energji elektrike në sistemin energjetik të kontinentit.

Milovan Shuvakov, bashkëpunëtorë i lartë në Institutin për Fizikë në Beograd, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpjegon se për shkak të kësaj “vrime” në furnizimin e tregut evropian të energjetikës, frekuencat në rrjetin e energjetikës janë nën normalen prej 50 herc. Kjo sipas tij është edhe shkaktari i vonesave të orëve digjitale, madje deri në 6 minuta.

“Në qoftë se do ta skiconim një grafikë të tensionit, ai shkon nga plusi në minus. Plusi dhe minusi ndryshojnë 50 herë gjatë një sekonde. Në praktikë, ata 50 herc nuk janë saktësisht aq dhe varësisht nga rrjeti, ata 50 herc, pak a shumë mund të tolerohen. Ajo për çfarë po flasim ne këtu është se ajo tolerancë është mjaft e vogël saqë disa prodhues të orëve e kanë shfrytëzuar pikërisht atë frekuencë që t’i kalibrojnë oscilatorët e orëve. Në qoftë se shkaktohet ndonjë ndryshim serioz i frekuencës në rrjet, atëherë oscilatorët e orëve punojnë më ngadalë ose më shpejtë”, sqaroi Shuvakov.

Operatorët evropian kanë aktivizuar një program special për kompensim, i cili aktivizohet në mënyrë automatike, në momentin që devijimet e tejkalojnë kohëzgjatjen prej 60 sekondash.

Marrë parasysh që një gjë e tillë nuk është zgjidhje afatgjate, nga Rrjeti Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë Elektrike, kanë paralajmëruar mundësinë e sanksioneve ndaj Serbisë, në rast se nuk e zgjidh problemin me Kosovën.

Por, Rrjeti Energjetik i Serbisë përmes komunikatës ka thënë se “KOSTT-i ka obligim të kryerjes së pavarur të rregullimit të nën-zonës së saj, gjegjësisht që të balancojë konsumimet dhe prodhimet. Ndërkaq, Rrjeti Energjetik i Serbisë, është përgjegjës për zonën e vet kontrolluese, e cila përfshinë edhe nën-zonën e KOSTT-it”.

Në komunikatë, gjithashtu thuhet se në funksion të zgjidhje së problemit kanë nxjerrë “një varg propozimesh” dhe se janë “në kontakt të përhershëm me Asociacionin e Rrjetin Evropian (ENTSO) dhe të gjitha institucionet relevante”.

“Kur bëhet fjalë lidhur me deklaratat për sanksionet eventuale, theksojmë që sipas kontratave të vlefshme dhe marrëveshjeve, vendimet për nisjen e çfarëdo masave apo procedurave në kuadër të ENTSO-së, janë nën kompetencat e operatorëve të sistemeve të transmisioneve të vendeve evropiane dhe mund të realizohen vetëm pasi që vërtetohet dhe argumentohet gjendja faktike dhe përgjegjësia e drejtpërdrejtë”, thuhet në komunikatën e Rrjetit Energjetik të Serbisë.

Ndonëse Asociacioni evropian i shpërndarësve të energjisë elektrike nuk potencon se çfarë sanksionesh mund të pasojnë, në faqen e tij të internetit thuhet se deri te zbatimi i sanksioneve mund të vijë në rast se ekziston “mungesë e qartë e vullnetit që problemi të zgjidhet”.

Marrëveshje e Kosovës dhe Serbisë për Energjinë është arritur në vitin 2013, në nivelin e kryeministrave, por deri më sot ende nuk është zbatuar.

Përgatiti: Bekim Bislimi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG