Komisioni i Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropian miratoi raportin për strategjinë e re të zgjerimit. Përmes këtij raporti kërkohet që procesi i negociatave të anëtarësimit të Serbisë në bllokun evropian, por edhe dhënia e fondeve të BE-së, të kushtëzohet me mbështetjen e Beogradit për sanksionet ndaj Moskës.
“Duhet të bëhet prioritet përshtatja e vendeve nga procesi i zgjerimit me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së. Dhe të avancojnë negociatat e anëtarësimit me Serbinë vetëm nëse ky vend i bashkohet sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë dhe të bëjë përparim domethënës në reformat e nevojshme për integrim në BE”, thuhet në raportin e PE-së.
Raporti për strategjinë e re të zgjerimit kërkon që procesi i zgjerimit të reformohet, në mënyrë që të shpërblehen ato vendeve që avancojnë në përmbushjen e kritereve, por edhe të sanksionohen ato shtete që shënojnë kthim prapa në këtë proces.
Raporti u përgatit nga eurodeputeti kroat, Tonino Picula, dhe ai u miratua me 49 vota për, pesë kundër dhe tetë abstenime.
PE-ja, përmes raportit për strategjinë e zgjerimit, po ashtu ka propozuar që të ndryshohet mënyra e miratimit të vendimeve, duke hequr dorë nga unanimiteti për të kaluar në votim me shumicë të kualifikuar në Këshill.
Marrja e vendimeve përmes votimit unanim shpesh ka mundësuar që në të kaluarën, shtete të caktuara anëtare të bllokojnë hapjen apo mbylljen e kapitujve negociues.
Në këtë raport, disa herë përmendet se besueshmëria e procesit të zgjerimit, por edhe i BE-së në tërësi, është dëmtuar për shkak se disa shtete anëtare, për shkak të interesave nacionale kanë bllokuar këtë proces. Kjo, sipas raportit, ka “krijuar hapësirë për ndikimin e Rusisë, Kinës dhe faktorëve të tjerë të dëmshëm në rajon”.
Në raport, PE-ja ka folur edhe për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë që ndërmjetësohet nga BE-ja. Aty u kërkua një angazhim më i madh i palëve për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese mes Kosovës dhe Serbisë, përmes njohjes së ndërsjellët.
PE-ja po ashtu nënvizon se nuk duhet të ketë alternativë procesit të zgjerimit. Madje, në raport propozohet që negociatat e anëtarësimit me vendet e përfshira në procesin e zgjerimit, të përmbyllen deri në fund të kësaj dekade.
BE-ja, sipas raportit, duhet të punojë që ndihma e saj të jetë më e dukshme, në mënyrë që të rrisë ndikimin në rajon dhe më gjerë.