Ndërlidhjet

Separatistët në lindje të Ukrainës do të mbajnë referendum për t’iu bashkuar Rusisë


Një bilbord në rajonin ukrainas të Zaporizhjës ku shkruan: "Ne jemi një popull. Jemi së bashku me Rusinë".
Një bilbord në rajonin ukrainas të Zaporizhjës ku shkruan: "Ne jemi një popull. Jemi së bashku me Rusinë".

Separatistët e mbështetur nga Rusia në rajonet ukrainase të Donjeckut dhe Luhanskut, thanë se nga 23 deri më 27 shtator do të organizojnë të ashtuquajturat referendume për t’iu bashkuar Rusisë.

Separatistët pro-rusë kanë pasur kontrollin e pjesëve të këtyre dy rajoneve lindore ukrainase që nga viti 2014.

Parlamentet de fakto, të atyre që separatistët i quajnë, Republika Popullore e Luhanskut dhe Republika Popullore e Donjeckut, thanë përmes deklaratave të ndara se vendimi për mbajtjen e referendumeve është marrë më 20 shtator.

Po ashtu më 20 shtator, autoritetet e instaluara nga Moska në rajonin ukrainas të Hersonit, pjesë të së cilit janë pushtuar nga trupat ruse në mars, njoftuan se do të mbajnë referendum për t’iu bashkuar Rusisë, nga 23 deri më 27 shtator.

Mediat në Rusi thanë më herët se i ashtuquajturi kongres i shoqërisë në pjesët e rajonit ukrainas të Zaporizhjas – që janë të pushtuara nga Rusia – u ka bërë “thirrje” autoriteteve të instaluara nga Rusia, që “menjëherë” të mbajnë referendum për t’iu bashkuar Rusisë.

Rusia ka njohur pavarësinë e territoreve të kontrolluara nga separatistët pro-rusë në Donjeck dhe Luhansk, disa ditë para se shteti të niste pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt.

Ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev, që aktualisht është zëvendësshef i Këshillit rus të Sigurisë, shkroi në Telegram se referendumet në territoret e okupuara të Ukrainës janë “të rëndësishme” për të “rikthyer drejtësinë historike”.

“Pasi të mbahen referendumet dhe territoret e reja të bëhen pjesë e Rusisë, transformimi gjeopolitik në botë do të jetë i pakthyeshëm”, shkroi Medvedev.

Javën e kaluar, mediat cituan burime të cilat thoshin se Moska ka vendosur të shtyjë mbajtjen e referendumeve në rajonet e okupuara të Ukrainës apo aneksimin nga Rusia.

Ukraina ka nisur një kundërofensivë në verilindje dhe juglindje më herët gjatë këtij muaji, duke larguar forcat ruse nga shumica e territorit të rajonit të Harkivit. Forcat e Kievit po ashtu kanë arritur që të rimarrin disa pjesë në Donjeck dhe Herson.

Kievi dhe aleatët perëndimorë kanë deklaruar se nuk do të njohin rezultatet e asnjë referendumi që do të mund të mbahet në rajonet e pushtuara nga Rusia.

Muajin e kaluar, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se nëse Moska mban referendume që zonat e pushtuara të shtetit të tij t’i bashkohen Rusisë, atëherë nuk mund të zhvillohen më bisedime me Ukrainën apo me aleatët e saj ndërkombëtarë.

Më 2014, Rusia aneksoi paligjshëm Gadishullin ukrainas të Krimesë, pas një referendumi të kontestuar, që gjerësisht u tha se ishte i manipuluar. Rezultatet e atij referendumi thoshin se pothuajse 97 për qind e pjesëmarrësve mbështetën bashkimin me Rusinë.

Më herët, Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar se Rusia po ndërmerr hapa drejt aneksimit të territoreve të pushtuara të Ukrainës. Uashingtoni ka thënë se diçka e tillë është “shkelje e drejtpërdrejtë e sovranitetit të Ukrainës” dhe se zyrtarët e instaluar nga Rusia mund të tentojnë të mbajnë referendume “të rreme” për t’iu bashkuar Rusisë apo të detyrojnë banorët që të aplikojnë për të marrë shtetësi ruse.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG