Ndërlidhjet

Senati amerikan e miraton paketën me ndihmë ushtarake për Ukrainën


Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky (majtas) dhe presidenti amerikan, Joe Biden. Fotografi nga arkivi.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky (majtas) dhe presidenti amerikan, Joe Biden. Fotografi nga arkivi.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se do ta nënshkruajë një paketë të shumëpritur me ndihmë ushtarake për Ukrainën, pasi ajo kaloi në Senatin amerikan të martën vonë, duke i hapur rrugën dërgimit të ndihmës jetike ushtarake Kievit.

“Do ta nënshkruaj projektligjin dhe do t’i drejtohem popullit amerikan, sapo ai të mbërrijë në tavolinën time nesër, në mënyrë që ne të mund të fillojmë t’i dërgojmë armë dhe pajisje Ukrainës këtë javë”, tha Biden në një komunikatë.

Senati amerikan e kaloi një paketë me projektligje me 79 vota për dhe 18 kundër, në mesin e të cilëve dhe ai për Ukrainën në vlerë më shumë se 60 miliardë dollarë ndihmë ushtarake, pasi Dhoma e Përfaqësuesve e kishte miratuar atë më 20 prill, pas vonesave disamujore.

Artiljerët ukrainas në pritje të predhave amerikane për "armën më të mirë"
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:04:06 0:00

Projektligjet e tjera që kaluan në Senat janë edhe ai me 26 miliardë dollarë ndihmë për Izraelin dhe një tjetër me 8.12 miliardë dollarë për “luftimin e komunizmit në Kinë”.

Projektligji i katërt ka të bëjë me ndalimin e mundshëm të rrjetit social TikTok, me masat për transferimin e aseteve të ngrira ruse në Ukrainë dhe me sanksionet e reja ndaj Iranit.

Gjatë debatit, lideri i shumicës në Senat, Chuck Schumer, një demokrat nga Nju Jorku, u bëri thirrje kolegëve në Senat ta kalojnë legjislacionin, pasi Kievi ka hasur në vështirësi të mëdha për ta mbrojtur territorin, si pasojë e mungesës së armëve dhe municioneve të shkaktuar kryesisht nga vonesa e ndihmës amerikane.

Schumer tha pasi projektligji u miratua se “kjo është një ndër masat më të rëndësishme që kanë kaluan në Senat në një kohë të gjatë, për ta mbrojtur sigurinë amerikane dhe sigurinë e demokracisë perëndimore”.

Ai shtoi se ia përçoi një mesazh presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, mbrëmjen e 23 prillit, duke i thënë: “Në rregull, ne e kryem punën. Tani, shko dhe fitoje luftën”.

Shumica e atyre që votuan kundër vinë nga Partia Republikane dhe janë të lidhur me ish-presidentin, Donald Trump.

Biden i tha të hënën gjatë një bisede telefonike presidentit Zelensky se Shtetet e Bashkuara “shumë shpejt do të ofrojnë paketa të reja dhe të rëndësishme të ndihmës për t’i plotësuar nevojat urgjente të Ukrainës për t’u mbrojtur”.

Zelensky shkroi në rrjetin social X të martën vonë: “I jam mirënjohës Senatit amerikan për aprovimin e ndihmës jetike sot për Ukrainën”.

“Njëlloj e çmoj edhe mbështetjen e presidentit Biden dhe mezi pres që projektligji të nënshkruhet së shpejti, si dhe paketën me ndihmë ushtarake e cila është në përputhje me vendosmërinë që unë gjithmonë e shoh në bisedimet tona. Armët me rreze të gjata veprimi, artileria dhe mbrojtja ajrore janë mjete jetike për Ukrainën për ta rivendosur paqen më shpejt”, tha Zelensky.

Ukraina është duke u përballur me trysni të madhe nga Rusia në muajt e fundit, për shkak se stoqet e saj me municione dhe kundërajrorë, janë duke u harxhuar dalëngadalë.

Sulmet e pareshtura me dronë dhe raketa nga Rusia në qytetet ukrainase u kanë shkaktuar dëme të mëdha civilëve dhe rrjetit energjetik të vendit gjatë këtyre dy vjetëve luftë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG