Ndërlidhjet

Sektori civil, në shërbim të partive për referendumin


Maqedoni: Fushatë për bojkotimin e referendumit të 30 shtatorit.
Maqedoni: Fushatë për bojkotimin e referendumit të 30 shtatorit.

Referendumi për Marrëveshjen me Greqinë, që duhet të mbahen më 30 shtator, ka ndarë jo vetëm partitë politike, por edhe organizatat joqeveritare, sa i përket mbështetjes apo bojkotit të qytetarëve të cilët duhet të vendosin mbi këtë marrëveshje.

Sipas pushtetit, mbështetja e marrëveshjes së parasheh ndërrimin e emrit të shtetit, në “Maqedonia e Veriut”, hap rrugën e anëtarësimit të vendit në NATO dhe Bashkim Evropian, ndërsa sipas opozitës, kjo marrëveshje është antikushtetuese dhe antikombëtare, pasi sipas saj humbet, si identiteti ashtu edhe gjuha e kultura maqedone.

Ngjashëm vlerësojnë edhe afro 30 organizata joqeveritare që janë bashkuar në një front për të nisur fushatën për bojkotin e referendumit. Një nga drejtuesit e këtij fronti, Janko Baçev nga partia “Maqedonia e Bashkuar”, që vepron sipas kursit të partisë “Rusia e Bashkuar”, të presidentit rus, Vladimir Putin, ka thënë se pas dështimit të referendumit do të përgjigjen të gjithë ata, që sipas tij, kanë tradhtuar interesat kombëtare.

“Qeveria e re dhe legjitime që do të vije pas 30 shtatorit do të qërojë hesapet me të gjithë tradhtarët e kombit. Të gjithë ne do të bojkotojmë referendumin më 30 shtator. Nuk do të dalim në referendum dhe me këtë ne ta shpëtojmë emrin shekullor maqedonas “, ka deklaruar Baçev, i cili në protestat e muajit të kaluar kundër Marrëveshjes me Greqinë, ishte parë duke valëvitur në duar flamurin e Rusisë.

Aktivisti Alek Goçev thotë se e drejta për protesta apo edhe bojkot është e garantuar, por se duhet të hetohet prapavija e tyre, nëse kanë mbështetje politike apo nëse financohen nga struktura të caktuara jashtë shtetit.

“Unë nuk shoh asgjë kontestuese në bashkimin e tyre apo ngritjen e nismave për bojkot. Megjithatë, bazuar në disa prononcime të zyrtarëve të lartë, vlerësoj se institucionet e sistemit duhet të hetojnë se prej nga financohen këto grupime. Flitet se kanë mbështetje nga VMRO-ja opozitare, nga Rusia, e kështu me radhë, por kjo duhet të hetohet. Në mesin e qytetarëve që mbështesin këto organizata pa dyshim se ka edhe persona që vërtetë mendojnë se Marrëveshja me Greqinë për ndërrimin e emrit është e dëmshme dhe se duhet të bojkotohet referendumi. Por, prapavija e organizatave që bëjnë thirrje për bojkot, sikur më tepër ka të bëjë me realizimin e synimeve të partive të caktuara sesa që udhëhiqen nga ideale të sinqerta”, ka deklaruar Goçev, i cili ka marr pjesë në nisma të tilla në kohën kur LSDM-ja ishte në opozitë.

Në atë kohë kishte edhe organizime tjera, si “Revolucioni Shumëngjyrësh” që luftonte pushtetin e atëhershëm të VMRO-së. Një pjesë e sektorit civil edhe tani mbështet Qeverinë dhe realizimin e referendumit. Madje, mediat kanë publikuar një vendim të Ministrisë së Mbrojtjes, për të financuar disa organizata joqeveritare dhe individë për të organizuar seminare e tribuna të ndryshme në mbështetje të integrimit të vendit në NATO.

Bashkim Selmani, njohës i çështje politike dhe ligjërues në Universitetin e Tetovës, thotë se në Maqedoni nuk ka sektor civil real, por se të gjitha grupimet janë produkt i partive politike për realizimin e qëllimeve të tyre.

“Fatkeqësisht kjo na dëshpëron neve si qytetar për arsye se në këtë rast sektori civil nuk u shtron rolin që duhet të ketë, por thjesht bën veprime të heshtura politike, që shpesh herë e ngacmojnë edhe veprimtarinë institucionale. Kjo është edhe për fajin e vet gjyqësorit, pasi në këto raste duhet të veprojë, në momentin që konstatohet se këto shoqata ushtrojnë veprimtari politike, atëherë duhet t’i merret leja e veprimit”, thotë Selmani.

Debatet për referendumit pritet të marrin në intensitet në fundin e gushtit dhe fillimi i shtatorit, kur pritet të nisë fushata që do të zgjasë 20 ditë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG