Ndërlidhjet

Së paku 17 të vrarë, përfshirë fëmijë, nga një sulm rus në lindje të Ukrainës


Pamje nga sulmi rus në Kostiantinivka, në lindje të Ukrainës.

Së paku 17 njerëz, në mesin e tyre edhe fëmijë, janë vrarë të mërkurën nga një sulm rus me raketa në lindje të Ukrainës.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e dënoi sulmin e 6 shtatorit, duke thënë se viktimat ishin njerëz “të cilët nuk kanë bërë asgjë keq”.

Zelensky tha në Telegram se një treg, dyqane dhe një farmaci u goditën në qytetin lindor, Kostiantinivka, pranë fushëbetejës.

Pasojat e sulmit rus me raketa në qytetin lindor të Ukrainës, Kostiantinivka, ku mbetën të vdekur së paku 16 persona, më 6 shtator 2023.
Pasojat e sulmit rus me raketa në qytetin lindor të Ukrainës, Kostiantinivka, ku mbetën të vdekur së paku 16 persona, më 6 shtator 2023.

Sulmi ndodhi në ditën e vizitës së sekretarit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara, Antony Blinken, në Kiev.

“Kjo Rusi e ligë duhet të mposhtet sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Zelensky.

Ministri i Brendshëm i Ukrainës, Ihor Klymenko, tha se 17 njerëz u vranë dhe 32 të tjerë u plagosën, duke shtuar se operacionet e kërkimit kanë përfunduar.

Ky sulm u dënua nga Bashkimi Evropian, i cili e cilësoi atë si “sulm barbar që i terrorizoi popullatën civile në Ukrainë”.

“BE-ja i dënon fuqishëm këto sulme kundër civilëve dhe infrastrukturës civile dhe i bën thirrje Rusisë ta ndalojë menjëherë agresionin çnjerëzor dhe të jashtëligjshëm”, tha një zëdhënës i Bashkimit Evropian.

Njëzet dyqane, linja të rrymës, një ndërtesë administrative dhe një kat i një ndërtese banimi u dëmtuan, sipas zyrës së prokurorit të përgjithshëm.

Ekipet e shpëtimit janë duke punuar për ta shuar zjarrin i cili i dëmtoi së paku 30 tenda të tregut të hapur, si dhe janë duke shikuar nën rrënoja për ndonjë civilë të ngecur.

Blinkeni po e viziton Kievin me synim për ta ndihmuar kundërofensivën tremujore të Ukrainës.

Ai la të kuptohej se SHBA-ja do të vazhdojë ta përkrahë Ukrainën, edhe pse disa aleatë perëndimorë kanë shprehur shqetësimet e tyre për përparimin e ngadalshëm të Kievit në dëbimin e forcave ruse nga territori i saj kur janë bërë 18 muaj qëkur Rusia e nisi pushtimin, sipas zyrtarëve amerikanë,

“Ne duam të sigurohemi se Ukraina ka çfarë i nevojitet, jo vetëm për të arritur sukses në kundërofensivën e saj, por çfarëdo që i nevojitet për kohë të gjatë, për t’u siguruar se ka mbrojtje të fortë”, tha Blinken.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG