Ndërlidhjet

Scholz e shkarkon ministrin e Financave, koalicioni qeverisës buzë dështimit


Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz.
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz.

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, njoftoi të mërkurën vonë se e ka shkarkuar ministrin e Financave, Christian Lindner, gjë që mund ta minojë koalicionin qeverisës trepartiak, i cili varet nga partia pro-biznesit e Lindnerit.

Scholzi e bëri të ditur vendimin përmes një konference për media, pas disa javëve mospajtimesh në mesin e partnerëve të koalicionit për gjetjen e një mënyrë për ta forcuar ekonominë e dobësuar të vendit.

Ai gjithashtu njoftoi se do të kërkojë votëbesim në janar.

“Ndihem i detyruar ta ndërmarr këtë hap për ta parandaluar dëmtimin e vendit tonë. Ne kemi nevojë për një qeveri efektive, e cila e ka fuqinë për të marrë vendime të nevojshme për vendin tonë”, tha Scholz.

Lindner i kishte kundërshtuar rritjet tatimore apo ndryshimet në kufizimet e rrepta të Gjermanisë ndaj futjes në borxh.

Partia Socialdemokrate e Scholzit dhe Të Gjelbrit, të cilat janë pjesë e koalicionit, duan të shohin investime të mëdha shtetërore dhe e hodhën poshtë kërkesën e Demokratëve të Lirë për shkurtimin e programeve të mirëqenies.

Nuk është e qartë nëse Demokratët e Lirë do të largohen nga koalicioni qeverisës pas këtij vendimi.

Duke folur për Lindnerin, Scholz tha: “Ai e ka thyer besimin tim shumë shpesh. Ai madje në mënyrë të njëanshme e anuloi marrëveshjen për buxhetin. Ne ishim pajtuar për këtë marrëveshje pas negociatave të shumta. Nuk ka më themel për besim për ta vazhduar bashkëpunimin”.

Ekonomia e Gjermanisë pritet të tkurret më 2024 për vitin e dytë radhazi, apo të ngecë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG