Ndërlidhjet

Scholz bën thirrje për solidaritet me hebrenjtë, në nisje të festës së tyre


Kancelari gjerman, Olaf Schoz duke mbajtur në duar shandanin, bashkë me rabinin Yehuda Teichtal në Berlin.
Kancelari gjerman, Olaf Schoz duke mbajtur në duar shandanin, bashkë me rabinin Yehuda Teichtal në Berlin.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka bërë thirrje të enjten për solidaritet me hebrenjtë në Gjermani, teksa e ka ndezur qiriun e parë në nisje të Hanukkah, festivalit të dritave që shënojnë hebrenjtë.

“Kjo është në veçanti me rëndësi për ne”, ka thënë Scholz në Berlin.

“Kjo është mënyra se si secili mund ta përforcojë shprehjen ‘Kurrë më’”.

Scholz e ka ndezur qiriun e parë në një shandan të gjatë me nëntë shtylla, të njohur si hannukiah, në Portën e Brandenburgut.

Ai ka thënë se ka qenë e përshtatshme që ky shandan të qëndrojë në zemrën e kryeqytetit gjerman – “si simbol i shpresës dhe besimit, dhe si simbol i lidhjeve të pandashme me hebrenjtë e shtetit tonë”.

Scholz ka folur edhe për sulmet e grupit palestinez Hamas në tokën izraelite, më 7 tetor, dhe incidentet antisemitike në Gjermani.

Hamasi, grup palestinez, që udhëheq Gazën, është shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

“Nuk e pranojmë faktin që shtetasit tanë hebrenj duhet të frikësohen për të treguar hapur fenë e tyre, kulturën, përditshmërinë, kur dëshirojnë të shfrytëzojnë të drejtën e tyre bazike për të qenë të dukshëm, të drejtë që e kanë të gjithë në shoqërinë tonë, pa dallim”, ka thënë Scholz.

Organizatori i ngjarjes, rabini Yehuda Teichtal, e ka falëndëruar Gjermaninë, dhe Scholzin, duke e cilësuar vendin si fener të demokracisë.

Mesazhi i Hanukkah është “drita mbi errësirën, demokracia mbi tiraninë”, ka thënë Teichtal.

Ai ka bërë thirrje për “më shumë drita, më shumë lumturi, më shumë vetëdijësim për hebrenjtë”.

Qindra incidente antisemitike janë regjistruar në Gjermani ditëve të fundit.

Hanukkah përkujton ridedikimin e Tempullit të Dytë në Jerusalem pas një revolte kundër grekëve në vitin 164 para erës sonë, dhe "mrekullinë e dritës" së një qiriu që digjet për tetë ditë.

Festivali zgjat tetë ditë, këtë vit deri më 15 dhjetor.

Çdo ditë, ndizet nga një qiri në shandan.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG