Ndërlidhjet

SBASHK dorëzon peticionin për ndryshimin e Ligjit për skemat pensionale


Anëtarët e SBASHK-ut duke dorëzuar peticionin në Kuvendin e Kosovës më 30 shtator 2024.
Anëtarët e SBASHK-ut duke dorëzuar peticionin në Kuvendin e Kosovës më 30 shtator 2024.

Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK) ia ka dorëzuar kryesisë së Kuvendit të Kosovës një peticion që kërkon ndryshimin e Ligjit për skemat pensionale që financohen nga shteti.

Peticioni është nënshkruar nga 20.606 qytetarë. SBASHK-u synon që përmes kësaj nisme të adresohen disa nga sfidat me të cilat përballen punonjësit e arsimit dhe sektorëve të tjerë publikë që përfitojnë nga skemat pensione, duke kërkuar që të ketë ndryshime në përfitimet e pensionistëve.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, tha se është i sigurt që kurdo që të shkojë në Parlament këto ndryshime do të miratohen, pasi tha se kanë marrë mbështetjen nga grupet parlamentare në pushtet dhe opozitë.

“Pjesë e këtij projektligjit tonë është që edhe Qeveria dhe Parlamenti t’i njohin edhe vitet 2000, 2001 e deri në korrikun e vitit 2002 si kontribut-dhënës, pra deri në momentin kur filloi së funksionuari Trusti Pensional”, tha ai për gazetarët.

Ai tha se po synohet që këta persona, që shënjestrojnë këto ndryshime, të marrin pensione të punës e jo pensione të pleqërisë, duke shtuar se vetëm në sektorin e arsimit ka mijëra të pensionuar që do të përfitonin nga ndryshime të tilla.

Ndryshimi në Ligjin për skemat pensionale të financuara nga shteti është kërkesë e kamotshme e sindikalistëve në Kosovë.

Më 2022, sindikalistët madje kishim mbajtur protesta për të kërkuar ndryshimin e një neni të këtij ligji, përmes së cilit kërkohet që përfituesit të kenë 15 vjet kontribute pensionale para 1 janarit të vitit 1999.

Ky ligj kishte pësuar ndryshime më 5 korrik 2023, duke krijuar një skemë të re pensionale për personat që nuk e kishin plotësuar kriterin prej 15 vjetësh stazh për të përfituar nga pensioni kontribut-pagues.

Me krijimin e kësaj skeme të re pensionale përfitojnë njerëzit që ishin larguar nga puna pas datës 1 janar të vitit 1989, si rezultat i masave të dhunshme.

Sipas këtij projektligji, lartësia e pensionit parcial kontribut-pagues për secilin nivel përcaktohet duke marrë për bazë numrin e viteve të kontributeve të paguara.

Jasharaj nga SBASHK-u tha se pavarësisht se u bënë ndryshime në këtë ligj, një nen i këtij ligji prek punëtorët e arsimit dhe sektorëve të tjerë që kanë punuar gjatë viteve ’90. Ai tha se disa persona nuk kanë përfituar nga pensioni kontribut-pagues pasi nuk e kanë arritur stazhin prej 15 vjetësh për disa ditë, apo disa javë.

“Fatkeqësisht me ndryshimet në skemat pensionale që u bënë, deputetët mbase të entuziazmuar nga lajmi se do t’iu njihen vitet e 90-ta të gjithëve, pra edhe atyre të dëbuar nga puna, e kanë bërë një nen që i godet dhe prek vitet ’90 që janë të garantuara në ligjin bazik, neni 8, pika 6. Ne jemi të sigurt që deputetët do ta përmirësojnë këtë”, tha ai.

Në pikën 6 të nenit 8 të Ligjit për skema pensionale thuhet se u njihet “stazhi i punës për pension kontribut-dhënës për vitet 1989-1999 punëtorëve të arsimit, të shëndetësisë dhe të tjerëve që kanë punuar në sistemin e Republikës së Kosovës”.

Ligji për skemat pensionale të financuara nga shteti zbatohet që nga viti 2014.

Pensionet në Kosovë sillen nga 100 deri në 265 euro.

Fondi Pensional, ku të gjithë të punësuarit kishin kontribuar deri më 1999, është përvetësuar nga Serbia.

Sipas Shoqatës së Pensionistëve, në periudhën kur në mënyrë joligjore është marrë Fondi Pensional nga ana e Serbisë, numri i pensionistëve ishte llogaritur të jetë më shumë se 89 mijë.

Sipas vlerësimeve të përafërta, thuhet se shuma e Fondit Pensional të Kosovës arrin vlerën deri në 2 miliardë euro.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG