Ndërlidhjet

Sanksionet ‘ia vënë drynin’ kompanisë austriake që operonte avionët e Rosneft-it


Një avion i operuar nga Rosneft, që besohet se transportonte, Igor Sechin njeriun e afërt të presidentit rus, Vladimir Putin. Palma de Majorka, gusht 2018.
Një avion i operuar nga Rosneft, që besohet se transportonte, Igor Sechin njeriun e afërt të presidentit rus, Vladimir Putin. Palma de Majorka, gusht 2018.

Për vite me radhë, Igor Sechin, një prej njerëzve më të afërt të presidentit rus, Vladimir Putin, njëherësh drejtori i gjigantit shtetëror të naftës, Rosneft, udhëtoi nëpër destiancione luksoze në Evropë, Lindje të Mesme dhe gjetkë me avionë privatë luksozë.

Ka pasur pak llogaridhënie apo transparencë lidhur me atë se kush i operonte avionët, si paguheshin, kur dhe ku fluturonin dhe nëse taksapaguesit rusë po paguanin faturën për këto udhëtime.

Një hulumtim i Reuters i vitit 2019 zbuloi dhjetëra fluturime të kryera nga avionët e Rosneft-it gjatë festave ose fundjavave ruse gjatë një periudhe katërvjeçare, disa prej të cilave kishin shkuar në destancione të shtrenjta pushimesh, sikurse Maldivet. Kështu ishte situata në atë kohë.

Kjo është situata tani: mes pasojave globale nga lufta e Rusisë në Ukrainë dhe sanksioneve të ashpra që shtetet perëndimore i kanë vendosur Moskës si kundërpërgjigje, kompanive private të avionëve, që për vite me radhë fituan shumë duke ofruar shërbime elitare të fluturimeve për rusët e fuqishëm si Sechin, tani u janë prerë krahët.

Dhjetëra kompani janë detyruar të heqin dorë nga avionët dhe të mbyllin operacionet e tyre.

Këtu përfshihet edhe Arti Aviation, kompaninë që operonte shumë prej avionët e korporatës së Rosneft-it, përfshirë edhe avionin e identifikuar që është përdorur shpesh nga Sechin.

Një hulumtim i përbashkët i Radios Evropa e Lirë dhe portalit austriak, ZackZack, heq perden e botës së fshehtë të kompanive private që menaxhojnë avionët që u ofrojnë shërbime rusëve të fuqishëm – në veçanti firmave me seli në Austri, shtet që prej kohësh ka qenë një destinacion i parapëlqyer i rusëve të fuqishëm për të ruajtur paratë e tyre dhe për t’i ikur kontrolleve.

Përveç se ka mbyllur disa operacione të udhëtimeve me avionë, rënia e Art Aviation përkon edhe me një zhvillim më serioz: vdekjen e drejtorit ekzekutiv, që ishte me origjinë nga Britania. Trupi i tij u gjet në një rrugë poshtë një mbikalimi në një autostradë jashtë Vjenës në fillim të muajit mars. Policia austriake tha se nuk dyshon se është vdekje e dyshimtë, teksa drejtori i ri ekzekutiv i kompanisë tha se britaniku, Timothy Hurworth ka kryer vetëvrasje.

Rënia e kompanisë vjen mes një goditjeje më të gjerë nga qeveritë perëndimore ndaj pronave luksoze, ‘parajsave tatimore’ dhe aseteve sekrete të pasanikëve rusë dhe personave brenda Kremlinit.

Embargo me dy tehe kundër Rusisë
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:10:12 0:00

“Art Aviation ishte kompania e aviacionit e preferuar e Igor Sechinit”, tha një zyrtar që punon në industrinë austriake të avionëve privatë, i cili kërkoi që të mos identifikohej. “Ata nuk vepruan si një kompani normale në treg”.

“Ata gjithmonë kanë qenë nën radarë, por të gjithë e dinë se ata janë të lidhur me Rosneft-in dhe Sechinin në veçanti”, tha një tjetër zyrtar i industrisë së aviacionit, që kërkoi të mos i publikohej emri.

‘Po aq i domosdoshëm sa shampanja dhe kaviari i zi’

I themeluar më 2012, Art Aviation u themelua nga Mikhail Alenkin, një rus, emri i të cilit tërhoqi vëmendjen pas publikimit të të dhënave sekrete ligjore dhe dokumenteve të tjera të korporatave në publikimet e njohura si Paradise Papers.

Fokusi i dokumenteve të publikuara më 2017 ishte një firmë shumëkombëshe e quajtur Appleby, e specializuar në dhënien e shërbimeve “offshore”, veçmas për të fshehur, shpesh ilegalisht, asetet dhe qarkullimin e parave nga qeveritë, rregullatorët dhe nga kritikat e publikut.

Sipas Paradise Papers, Alenkin ishte pronari kryesor i një kompanie të regjistruar në Qipro, të quajtur, Sunburst Aircraft Leasing Limited.

Emri i Alenkinit u shfaq në raportet mediave më 2018, në lidhje me 160 helikopterët që Rosneft-i bleu nga prodhuesi italian, AgustaWestland.

Alenkin ka përdorur shërbimet ligjore të Appleby për të rregulluar marrjen e përqindjeve nga distributori rus i AgustaWestland, me gjasë për ndërmjetësimin e shitjes, është thënë në një raport të revistës britanike, Private Eye.

Në një artikull të publikuar në shkurt të vitit 2020, Alenkin shpjegoi një pjesë të arsyes pse kompanitë “offshore” si Art Aviation ishin kaq të popullarizuar në mesin e elitës ruse: “tatimet, TVSH-ja, një proces i ndërlikuar i regjistrimit dhe rregullatorët ligjorë” bëjnë që regjistrimi i avionëve në Rusi të jetë një proces i vështirë dhe i shtrenjtë.

Ai tha se rritja e “statutit gri” – avionëve të regjistruar privatisht dhe që kryejnë fluturimeve komerciale brenda Rusisë – kishte nxitur një shtypje nga rregullatorët rusë.

Ai po ashtu u ankua për rritjen e sanksioneve ndaj Rusisë, si formë ndëshkimi, veç tjerash, për veprimet e saj në Ukrainë dhe ndërhyrjen në zgjedhjet e shteteve perëndimore.

“Stagnimi ekonomik dhe sanksionet kundër individëve rusë kanë pasur ndikim në një numër të marrëveshjeve për shitjen dhe blerjen e avionëve të bizneseve. Duke thënë këtë, dhe kolegët tanë evropianë pajtohen me mua, një pjesë e madhe e avionëve privatë që operojnë në BE i përkasin qytetarëve rusë”, citohet të ketë thënë ai.

Më 2014, Alenkin themeloi një tjetër kompani ndërmjetësuese të avionëve me seli në Dubai të quajtur ArcosJet.

Në gusht të vitit 2021, në një intervistë dhënë në gjuhën ruse, por që u përkthye në anglisht dhe u ripublikua në ueb-faqen e ArcosJet, Alenkin përshkruan atë që ai e quajti vizion të tij për industrinë e avionëve privatë, duke e quajtur “një mjet i domosdoshëm transportues për bizneset”.

“Aviacioni në sektorin e biznesit shpesh shihet si domosdoshmëri sikurse shampanja dhe kaviari i zi, por kjo nuk është pjesa më e rëndësishme; mbi të gjitha, është një mjet shumë efektiv i transportit”, tha ai.

Në përgjigjet dërguar përmes e-mailit në pyetjet e REL-it dhe ZackZack, Alenkin tha se Art Aviation “gjithmonë ka ndjekur dhe respektuar të gjitha rregullat dhe rregulloret e zbatueshme dhe të detyrueshme të industrisë, përfshirë sanksionet dhe kufizimet përkatëse, pa shkelur asnjë prej tyre apo pa shkelur ligjet e tjera që janë zbatuar nga kompania”.

“As kompania, as menaxhmenti dhe as hisedarët nuk kanë ofruar asnjë shërbim për persona apo kompani që kanë qenë subjekt të sanksioneve”, tha ai.

Alenkin po ashtu tha se Art Aviation ka ofruar shërbime të menaxhimit dhe operimit të avionëve që kanë pronarë privatë.

“Kompania kurrë nuk ka pasur në pronësi, ka dhënë me qira ose në njëfarë mënyre ka pasur lidhje me ndonjë avion në emër të ndonjë klienti”, tha ai në përgjigjet dërguar Radios Evropa e Lirë.

“As Rosneft që e kemi përmendur ju, as zoti Igor Sechin, as ndonjë zyrtarë tjetër nga Rosneft veçanërisht nuk kanë pasur asnjë pronësi direkte apo indirekte, kontroll, interesa ekonomike apo ndonjë rol apo raport me kompaninë”, shtoi ai.

Kush është Igor Sechin?

Ekspertët e industrisë thanë se kërkesa për avionë privatë dhe shërbime për kompanitë që menaxhojnë këto fluturake, sikurse Art Aviation, kanë pasur rritje të biznesit gjatë pandemisë së koronavirusit – në Rusi dhe gjetkë – teksa njerëzit kishin frikë që të udhëtonin me avionë komercialë dhe kompanitë ajrore reduktuan në mënyrë drastike shërbimet e tyre.

Sipas revistës Forbes, trafiku i avionëve privatë, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë, theu rekordin më 2021. Kompanitë ruse dhe individët blen 40 avionë për biznes më 2021, duke shënuar rekord, pasi kjo shifër paraqet një rritje prej katër herë krahasuar me avionët e blerë më 2020.

Vladimir Putin dhe Igor Sechin duke biseduar teksa qëndrojnë brenda një avioni privat. Gusht, 2018.
Vladimir Putin dhe Igor Sechin duke biseduar teksa qëndrojnë brenda një avioni privat. Gusht, 2018.

Për rusët e pasur gjërat ndryshuan pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt.

Më 5 mars, Bashkimi Evropian vendosi sanksione ndaj dhjetëra zyrtarëve të lartë rusë dhe biznesmenëve në përgjigje të pushtimit të Ukrainës. Sechin ishte në mesin e të sanksionuarve.

“Ai është një prej këshilltarëve më të besuar dhe më të afërt të Vladimir Putinit dhe po ashtu është mik i tij personal”, thuhej në njoftimin e BE-së. “Ai ka qenë në kontakt me presidentin rus në baza ditore”.

Sikurse Putini, Sechin, 61 vjeç, është një veteran i agjencive ruse të inteligjencës. Ai besohet se ka punuar si përkthyes për KGB-në ose për inteligjencën ushtarake në Afrikë në vitet ’70 dhe ka qenë në krahun e Putinit qëkur lideri rus nisi karrierën politike mbi 30 vjet më parë.

Në fillim të viteve ’90, kur Putini punonte në zyrën e kryetarit të Shën Petersburgut, Sechin ishte një prej ndihmësve të tij kryesor. Sechin vazhdoi të mbante poste të nivelit të lartë kur Putini u zhvendos në Moskë, ku u bë kryeministër më 1999 dhe ai shërbeu si zëvendësshef i stafit përgjatë dy mandateve të para presidenciale të Putinit në periudhën 2000-2008.

Në vitet 2000, Yukos, që atëbotë ishte kompania më e madhe shtetërore e naftës, u shpërbë nga Qeveria përmes disa vendimeve të dyshimta gjyqësore dhe ankandeve. Rosneft bleu asetet kryesore të Youkos, duke u bërë brenda natës në kompaninë më të madhe të naftës ruse.

Themeluesi i Yukos që prej kohësh ishte i burgosur, Mikhail Khodorkovsky, e ka akuzuar Sechinin, i cili u bë kryetar i Rosneftit më 2004, për orkestrimin e marrjes së kompanisë.

Pasi shërbeu si zëvendëskryeministër i Putinit në periudhën 2008-2012, Sechin u emërua drejtor ekzekutiv i Rosneftit, dhe zgjeroi operacionet e kompanisë përmes marrëveshjeve me kompanitë e mëdha ndërkombëtare të naftës.

“Besnikëri e plotë’

Në prill të vitit 2014, Sechin ishte në mesin e personave të brendshëm të Kremlinit që u shënjestruan nga Shtetet e Bashkuara për shkak të aneksimit rus të Gadishullit ukrainas të Krimesë. Ky ishte një prej disa rundeve të sanksioneve që shënjestruan Sechinin apo Rosneft-in.

Sechin “ka treguar besnikëri të plotë ndaj Vladimir Putin, një komponent kyç i pozitës së tij aktuale”, tha Departamenti amerikan i Thesarit në njoftimin e bërë për vendosjen e sanksioneve.

Më 2019, duke përdorur databazat që gjurmojnë fluturimet, Reuters identifikoi dhjetëra fluturime të avionëve të Rosneft-it gjatë një periudhe katërvjeçare që fluturuan gjatë festave ose fundjavave ruse. Të paktën 13 fluturime ishin bërë për në Majorka, Ibica, Sardenja dhe Maldive kur Sechin ose bashkëpunëtorët e tij ishin në pushime.

Një pasagjer, që besohet se është Igor Sechin, duke hypur në një avion në Palma de Majorka. Avioni kishte numrin M-YOIL.
Një pasagjer, që besohet se është Igor Sechin, duke hypur në një avion në Palma de Majorka. Avioni kishte numrin M-YOIL.

Avioni që gjerësisht besohet se Sechin ka përdorur – ndoshta ekskluzivisht vetëm ai e ka përdorur atë avion – ishte i llojit Bombardier Global Express 6000, që mund të bartë deri në 13 pasagjerë dhe operohet me një ekuipazh prej katër personash. Ky model, që përdoret nga individët privatë, por edhe kompanitë sikurse FedEx dhe madje edhe disa ushtri, kushton afër 62 milionë dollarë.

Ky avion i veçantë kishte një numër në bishtin e tij ku shkruante M-YOIL dhe, sipas rregullatorit evropian të aviacionit, Eurocontrol, u operua nga AV Asia Developments Pte Ltd, kompani e regjistruar në Singapor.

Në një raport financiar të vitit 2016 për kompaninë AV Asia Developments, që më herët kishte qenë 100 për qind e kontrolluar nga Rosneft, thuhej se kompania kishte pranuar 1.86 milion dollarë për kartën e avionit të vetëm që operonte në atë kohë, sipas raportit të Reuters. Po ashtu, kjo kompani pagoi mbi 2 milionë dollarë për shërbimet që lidheshin me atë aeroplan.

Në mesin e anëtarëve të bordit të AV Asia Development është: Adrei Bychenko, që sipas profilit në LinkedIn është drejtor menaxhues i Rosneft Trade Limited. Më parë ai kishte mbajtur një pozicion të lartë ekzekutiv në zyrat kryesore të korporatës së Rosneft-it.

Në mars, shtetet perëndimore ashpërsuan sanksionet ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës, Shtetet e Bashkuara dhe një numër në rritje e shteteve evropiane nisën të konfiskojnë asetet e lidhura me njerëzit e Kremlinit dhe biznesmenët e fuqishëm. Qeveria franceze konfiskoi një jaht luksoz në pronësi të një kompanie të lidhur me Sechinin.

Sanksionet prekën edhe ‘parajsat fiskale’ evropiane dhe të tjera – që për një kohë të gjatë në regjistrat e tyre janë favorizuar elitat e pasura– duke bërë që avionët të largohen nga regjistrat dhe duke ua ndaluar fluturimin.

Për shembull, Bermuda më 12 mars tha se regjistri i avionëve pezulloi certifikatën për fluturime për një avion rus, që nënkupton se ky avion, i llojit 740, nuk mund të fluturojë më.

Kompanitë menaxhuese të avionëve privatë ngarendën që të gjenin vend për të parkuar avionët e tyre, në ato vende që ende lejojnë këto avionë të fluturojnë dhe ku ka më pak rrezik që të konfiskohen sikurse Dubai ose Moska. Të tjerëve, avionët iu bllokuan në aeroportet evropiane, përfshirë ato në Gjenevë dhe Cyrih.

Dhjetëra avionë privatë, të lidhur me pasanikët rusë, u stacionuan në aeroportin në Dubai në fillim të prillit, raportoi The Wall Street Journal. Deri në mesin e majit, dhjetëra avionë privatë, që ishin të lidhur me rusët, ishin të bllokuar në aeroportet zvicerane, tha për REL-in dhe ZackZack, Autoriteti i Aviacionit Civil të Zvicrës.

Në një raport i kompanisë këshilluese zvicerane WINGX, që iu dha REL-it, thuhet se “tregu rus i avionëve që përdoren nga bizneset është duke u avulluar”. Në këtë raport tregohej një rritje e madhe e numrit të avionëve privatë të regjistruar në Rusi, që u larguan nga shteti pas pushtimit të Ukrainës.

Raporti po ashtu gjeti se kishte rënie të fluturimeve të avionëve që besohet se janë të lidhur me oligarkët, por edhe të fluturakeve që kanë selinë jashtë Rusisë, Ukrainës dhe Bjellorusisë, por që kalonin një sasi të konsiderueshme të kohës në këto tri shtete.

Fati i avionëve

Reputacioni i Austrisë si qendër për spiunazh të ligjshëm dhe praktika të dyshimta biznesi, por edhe si një strehë për elitën, duke përfshirë edhe rusët e pasur, daton që nga pas përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, kjo për faktin se shteti ka rregullore dhe ligje tatimore mjaft të favorshme për korporatat, për të mos përmendur Vjenën, që është qendër për spiunët dhe shërbimet e huaja të inteligjencës. Kjo atmosferë vazhdon edhe sot e kësaj dite.

Shumica prej kompanive më të mëdha në Austri që menaxhojnë avionët privatë – përfshirë IJM, Sparefell dhe MJet – i bazojnë operacionet e tyre në Schwechat, që gjendet në periferi të Vjenës ku ndodhet edhe aeroporti kryesor ndërkombëtar i qytetit.

Zyrat e Art Aviation, megjithatë, gjenden në një ndërtesë të vjetër në qarkun Alsergrund të Vjenës.

Kompania përfundoi operacionet e saj në mes të muajit mars; avionët që mbikëqyrte u fshin nga regjistri zyrtar i pronësisë në Agjencinë austriake të Aviacionit dhe kompania u hoq nga regjistrat austriakë të biznesit.

Në një intervistë për ZackZack, Bernhard Prokop, i cili u emërua drejtor ekzekutiv në muajin mars dhe tani është përgjegjës për mbylljen e plotë të biznesit, tha se avionët që kishte në pronësi ose operonte Art Aviation, tani gjenden në Moskë.

Para se të niste mbylljen, kompania mbikëqyrte pesë avionë, tha Prokop, edhe pse shifrat e avionëve që më herët kishte nën mbikëqyrja kjo kompani ishin më të larta. Por, shifra prej pesë avionëve mbështetet edhe në dokumentet që ka siguruar REL-i dhe ZackZack.

“Thjesht nuk e di se çfarë do të ndodhë me avionët”, tha ai. Por, Prokop konfirmoi se Sechin shpesh kishte udhëtuar me avionët nën menaxhimin e Art Aviation, dhe se kompania po mbyllej për shkak të sanksioneve të BE-së.

Avioni që besohet se transportonte Igor Sechinin në Spanjë.
Avioni që besohet se transportonte Igor Sechinin në Spanjë.

Prokop mohoi se kompania Rosneft apo Sechin ishin hisedarë ose në mënyrë indirekte drejtonin Art Aviation.

Në fakt, të dhënat e korporatës austriake tregojnë se Alenkin ishte një nga dy pronarët që përfitonin drejtpërdrejtë nga kompania, së bashku me një britanik të quajtur Timothy Hurworth.

Një përfitues indirekt i kompanisë është listuar Andreas Staribacher, ish-ministër austriak i Financave dhe ish-anëtar i bordit mbikëqyrës të aeroportit ndërkombëtar të Vjenës. Ai është investitor në dhjetëra biznese në Austri në fushën e aviacionit.

Staribacher nuk iu përgjigj kërkesave të REL-it për koment.

Dokumentet që ka siguruar REL-i dhe ZackZack shfaqin se të paktën dy avionë të operuar nga Art Aviation ishin blerë nga një kompani qipriote e quajtur Shelf Support Shiphold Limited, që është një prej dy nënkontraktuesve të avionëve që përdorë Rosneft-i. Nënkontraktuesi tjetër është Skyline Asset Management Limited, me seli në Ishujt britanikë Virgjine.

Dokumentet tregojnë se deri më 2021, Shelf Support ishte regjistruar si pronar i avionit M-YOIL, avionit që më herët ishte identifikuar nga Reuters si fluturake e lidhur me Sechinin.

Rosneft nuk u përgjigj në pyetjet e dërguar nga Radio Evropa e Lirë dhe ZackZack.
Por, kompania u përgjigj përmes një deklarate duke akuzuar Radion Evropa e Lirë se është “instrument i propagandës anti-sovjetike dhe anti-ruse”.

“Praktikat e korporatës Rosneft janë në përputhje të plotë me praktikat e korporatave të kompanive të mëdha amerikane sikurse ExxonMobil, Chevron, e të tjera”, tha Rosneft. “Ne ju kërkojmë që të mos lodheni me kërkesa të tjera drejtuar kompanisë”

Vdekja e drejtorit ekzekutiv

Një tjetër korporatë e regjistruar në Austri që është e lidhur me Art Aviation është kompania e quajtur Jetology, që ka zyrat në Vjenë. Prokop figuron si drejtor i Jetology. Deri vonë, në këtë post ishte Timothy Hurworth.

Më 8 mars, pak para agimit, policia austriake pranoi thirrjen në një mbikalim të një autostrade rreth 10 kilometra larg Vjenës, për të hetuar se ishte gjetur një trup i pajetë.

Trupi i pajetë më pas u identifikua se i përkiste Hurworthit. Ai ishte 46 vjeç.
Prokurori publik i Austrisë i tha REL-it se hetimet policore treguan se nuk kishte shenja të “përfshirjes të palëve të treta. Prandaj, nuk u urdhërua që të kryhej një autopsi”.

Prokop tha po ashtu se vdekja e Hurworthit ishte vetëvrasje dhe se ai kishte qenë i shqetësuar me faktin se kompania po mbyllej pas sanksioneve evropiane.

Jetology gjithashtu ka një filial britanik, zyrat e korporatës ishin në një aeroport në East Midlands në Angli. Si përfituese kryesore e kompanisë figuron Elisabeth Hurword, një shtetase 36-vjeçare austriake, e veja e Hurworthit. Kontakti me të ishte i pamundur.

I pyetur për vdekjen e Hurworth, Alenkin u përgjigj: “Zoti Tomothy Hurworth ishte një mik i madh i imi dhe partner i biznesit. Për shkak të respektit për të, familjen e tij dhe më të dashurit e tij, nuk më duket e përshtatshme që të komentoj arsyet ose rrethanat e vdekjes së tij”, tha ai. “Është një humbje e rëndë për mua personalisht, por po ashtu edhe për industrinë”.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG