Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka urdhëruar administratën e tij që të vendosë sanksione ndaj operatorit të tubacionit të gazit natyror, Rrjedha Veriore 2, në përgjigje të veprimeve të Rusisë në Ukrainë.
Biden njoftoi për këtë vendim më 23 shkurt, duke thënë se Shtetet e Bashkuara do t’i bashkohen Gjermanisë në vendosjen e sanksioneve ndaj gazsjellësit që sjellë gaz rus në Gjermani.
“Kam urdhëruar administratën time që të vendosë sanksione ndaj Rrjedhës Veriore 2 AG dhe zyrtarëve të korporatës”, tha Biden përmes një deklarate.
Sanksionet ndaj gazsjellësit Rrjedha Veriore 2 vijnë një ditë pasi SHBA-ja vendosi pakon e parë të sanksioneve, në përgjigje të veprimeve të Rusisë në Ukrainë.
“Siç e kam bërë të qartë, ne nuk do të hezitojmë që të ndërmarrim hapa të mëtejmë nëse Rusia vazhdon ta përshkallëzojë” krizën, tha presidenti Biden.
Gjermania më 22 shkurt ka pezulluar për një kohë të pacaktuar projektin e gazsjellësit, që ka për qëllim dërgimin e gazit nga Rusia në Gjermani. Ky vendim erdhi pasi presidenti rus, Vladimir Putin, njohu si shtete të pavarura rajonet në lindje të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, që janë nën kontrollin e separatistëve të mbështetur nga Moska.
Gazsjellësi ka përfunduar, por nuk është funksionalizuar pasi ishte në pritje të certifikimit nga rregullatorët gjermanë.
Kritikët e këtij projekti, përfshirë Biden dhe shumë anëtarë të Kongresit amerikan, kanë thënë se ky gazsjellës do të rrisë varësinë e Evropës ndaj gazit natyror rus dhe do të cenojë Ukrainën, pasi e privon atë nga tarifat e transitit, pasi nuk kalon nëpër Ukrainë.
Ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck, ka thënë se Gjermania do të jetë në gjendje që të plotësojë nevojat e energjisë pa gazin rus.