Ndërlidhjet

Zhbogar: Reformat para datës së bisedimeve me BE-në


Ambasadori i BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar.
Ambasadori i BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shkup, Samuel Zhbogar, ka prezantuar metodologjinë e re të procesit të anëtarësimit të BE-së, duke përsëritur qëndrimin e zyrtarëve të lartë në Bruksel se strategjia bazohet në disa parime me të cilat BE-ja dëshiron të garantojë se procesi do të jetë më i besueshëm dhe më dinamik.

Ambasadori Zhbogar tha se metodologjia e re është një lajm i shkëlqyeshëm për Ballkanin Perëndimor dhe raportet mes tij dhe unionit dhe se kjo duhet të shfrytëzohet për të ecur para drejt synimit final.

“Për Bashkimin Evropian sepse e sheh se zgjerimi është investim strategjik që unioni të jetë stabil dhe i bashkuar. Për rajonin është i rëndësishëm sepse riafirmon faktin se anëtarësimi i plotë në BE është qëllimi final i këtij procesi. Qëllimi i dokumentit është që të rinisë dhe përshpejtojë procesin që ka humbur në dinamik si dhe të kthejë besimin mes palëve”, ka deklaruar ambasadori Zhbogar, duke theksuar më tej nevojën për reforma pasi metodologjia e re parashikon edhe pezullimin apo kthimin në fillim të bisedimeve të pranimit, nëse shtetet kandidate nuk shënojnë përparim në reforma.

Vazhdimi i reformave, zbatimi i zgjedhjeve të lira dhe demokratik si dhe raportet të mira me fqinjët, janë shumë të rëndësishme.. Komisioni nuk e ka vendosur si kusht miratimin e Ligjit për Prokurorinë, por ai duhet të miratohet për disa arsye, para se gjithash për shkak të qytetarëve, që të besojnë në drejtësinë, se askush nuk do të mund t’i shpëtojë krimeve të bëra. Miratimi i tij është me rëndësi edhe për disa shtete anëtare të BE-së që të shohim demonstrim të ndryshimit të mënyrës së të menduarit, që të mund ecni përpara”, ka theksuar ambasadori i Bashkimit Evropian, Samuel Zhbogar.

Metodologjia e re është mirëpritur nga drejtuesit e partive politike. Ato në pushtet e vlerësojnë si mundësi shumë të mirë për arritjen e synimit për nisjen e negociatave të anëtarësimit.

“Këtë ne e shohim si motiv shtesë për ne si shtet kandidat për anëtarësim, pasi besojmë se me reformat që kemi bërë e që jemi duke bërë, do të plotësojmë të gjitha kushtet dhe konsiderojmë se jemi të gatshëm për nisjen e procesit të bisedimeve të anëtarësimit”, ka deklaruar zëdhënësi i Lidhjes Social- Demokrate, Kostadin Kostadinov, duke theksuar se shumica parlamentare dhe qeveria nuk kanë frikë nga metodologjia e re, të cilën e konsiderojnë edhe si garë me shteteve për përmbushjen e të gjitha kushteve të nevojshme.

Opozita thotë se mbështet dhe angazhohet për nisjen e bisedimeve, por kjo sipas VMRO-DPMNE-së, kjo gjë vështirë se do të mund të arrihet me qeverisjen aktuale, të cilën e konsideron të korruptuar dhe të paaftë për të çuar përpara procesin.

“Si parti politike gjithmonë kemi qenë dhe jemi për përparimin e Maqedonisë në raport me integrimin evropian, por me këtë qeveri kjo vështirë se do të ndodhë, pasi nuk kemi asnjë përparim, përkundrazi kemi ngecje të shumta. Pas fitores më 12 prill do ta kompensojmë dëmin dhe do ta integrojmë vendin në BE”, ka deklaruar zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoilkovski.

Maqedonia e Veriut, shpreson se deri në samitin e Zagrebit do të marrë datën e bisedimeve pas një pritje të gjatë. Ajo statusin e shtetit kandidat e ka marrë që në vitin 2005, por fillimi i bisedimeve të anëtarësimit ishte kushtëzuar me zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG