Ndërlidhjet

Përfundon samiti i OSBE-së në Shkup, Malta kryesuese e radhës


Takimi i 30-të i Këshillit Ministror i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Shkup, Maqedoni e Veriut, 30 nëntor 2023.
Takimi i 30-të i Këshillit Ministror i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Shkup, Maqedoni e Veriut, 30 nëntor 2023.

Samiti i shteteve anëtare të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), i ka përfunduar punimet dyditore të premten në Shkup të Maqedonisë së Veriut, i mbizotëruar nga përplasjet rreth të ardhmes së organizatës mes diplomatëve perëndimorë dhe shefit të diplomacisë ruse, Sergei Lavrov, i cili ishte i pranishëm në samit.

Kryesuesi aktual, Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, samitin e Shkupit e ka quajtur “revolucionar”, pasi sipas tij të gjithë pjesëmarrësit, me përjashtim të Rusisë, theksuan përkushtimin e tyre për respektimin e parimeve të OSBE-së.

“Agresioni rus është në kundërshtim me parimet bazë të organizatës sonë dhe ka shkaktuar vuajtje të mëdha në Ukrainë, por ka qenë gjithashtu një sfidë për organizatën tonë. Dhe kjo është arsyeja pse rezultati i këtij këshilli është revolucionar sepse shumica e të pranishmëve u mblodhën këtu dhe theksuan përkushtimin e tyre ndaj parimeve themelore të organizatës dhe parimeve të Helsinkit”, tha Osmani.

Pjesëmarrësit e samitit kanë konfirmuar konsensusin që Malta të jetë kryesuese e organizatës në vitin 2024.

Ministri i Jashtëm i Maltës, Ion Borg, sikurse edhe të gjithë pjesëmarrësit e tjerë në fokus të fjalimeve të tyre kishin dënimin e agresionit rus në Ukrainë dhe vazhdimin e funksionimit të OSBE-së.

“Ne duhet të përqendrohemi për t’i dhënë fund luftërave dhe konflikteve. Agresioni rus ndaj Ukrainës duhet të marrë fund. Ne jemi të jemi të angazhuar për t’i përmbushur detyrimet në periudhën që vjen në frymën e parimeve të aktit final të Helsinkit, dhe si një president mezi pres të punojë krahë për krahë me të gjithë partnerët tanë dhe angazhohem personalisht për të mbjellë dialogun dhe çdo përpjekje që nevojitet”, tha kryesuesi i ardhshëm me OSBE-në, Ministri i Punëve të Jashtme i Maltës, Ion Borg.

Ambasadori amerikan në OSBE, Michael Carpenter, ndërkohë në fund të punimeve të samitit ka folur për pjesëmarrjen e Ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov, dhe bojkotin që ia bënë shtetet pjesëmarrëse fjalimit të tij, por edhe refuzimet për t’u takuar apo ndenjur në një sallë me të.

“Askush nuk dëshiron të ulet në tryezë me ministrin e Jashtëm arrogant Lavrov dhe të dëgjojë gënjeshtra, dezinformata dhe propagandë. Pra, akti i qëndrimit larg tryezës është logjik për këdo që nuk dëshiron të marrë pjesë në atë mazohizëm”, tha Carpenter.

Ai ka kundërshtuar edhe pohimet e Lavrovit kundër pavarësisë së Kosovës dhe përpjekjet për destabizim të rajonit duke i dhënë mbështetje të plotë bisedimeve për normalizimin e raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Nuk ka ndryshim në politikën amerikane për Kosovën, sigurisht që ne mbështesim pavarësinë e Kosovës si vend demokratik. Ne i mbështesim bisedimet që çojnë në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe besojmë se kjo është e rëndësishme për rajonin, është e rëndësishme për stabilitetin dhe sigurinë. Ne vazhdojmë të punojmë me Bashkimin Evropian për të arritur këtë qëllim dhe me miqtë tanë në Kosovë ku kemi pasur një demokraci funksionale që nga pavarësia në 2008”, shtoi Carpenter.

Dita e parë e samitit, më 30 nëntor, kaloi në hije të bojkotit të fjalimit të shefit të diplomacisë ruse nga një pjesë e delegacioneve, ndërsa u karakerizua edhe nga akuzat e Lavrovit ndaj Perëndimit se po e shkatërron OSBE-në, si dhe mesazhet që diplomatët perëndimorë i kanë përcjellë atij se OSBE-ja do të mbijetojë.

Ata dënuan Rusinë për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës, që e nisi vitin e kaluar, dhe synimet e saj për destalizimin dhe shtrirjen e ndikimit në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë.

Pjesëmarrjen e Lavrovit në Shkup e mundësuan vendimet e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, që pezulluan përkohësisht sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian për fluturimet e avionëve rusë për shkak të agresionit rus kundër Ukrainës.

Pjesëmarrjen e Lavrovit në Shkup e mundësuan vendimet e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, që pezulluan përkohësisht sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian për fluturimet e avionëve rusë për shkak të agresionit rus kundër Ukrainës.

Por, avioni i Lavrovit u detyrua që të udhëtonte mbi Turqi dhe Greqi për të arritur në Maqedoni të Veriut, pasi Bullgaria nuk e lejoi të kalonte mbi hapësirën bullgare, sepse leja e dhënë vlente vetëm për anëtarët e delegacionit të Lavrovit, në mesin e të cilëve ka edhe persona të sanksionuar nga BE-ja.

Punimet e Samitit kanë nisur jozyrtarisht të mërkurën në mbrëmje, me një darkë joformale dhe fotografi familjare, në epiqendër të së cilës ishte sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, por jo edhe ministri i Jashtëm i Rusisë, Lavrov, pasi avioni me të cilin ai fluturonte ende nuk kishte arritur në Shkup.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG