Në Shkup është mbajtur samiti i vendeve të rajonit i njohur si ”Procesi Bërdo-Brioni” në të cilin krerët e shteteve pjesëmarrëse kanë theksuar përkushtimin për bashkëpunim në kuadër të projekteve të përbashkëta me qëllim përshpejtimin e procesit të anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
“Sundimi i së drejtës, të drejtat dhe liritë themelore të njeriut si dhe rritja e efikasitetit në gjyqësor, luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar janë thelbësore për arritjen e zhvillimin dhe stabilitetit në rajon”, thuhet veç tjerash në konkluzionet e samitit në të cilin morën pjesë shtatë presidentë dhe një kryeministër nga vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në takim mori pjesë edhe presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk.
Liderët e Ballkanit Perëndimor gjithashtu u zotuan se do të ndihmojnë në reformat e vendeve respektive, por se nuk do të përzihen ne punët e brendshme të njeri-tjetrit.
Ata thanë se mirëpresin samitin e ardhshëm BE-Ballkani Perëndimor, që do të mbahet në Sofje dhe konfirmimin e perspektivës euroatlantike të rajonit.
Pjesëmarrësit diskutuan edhe për kontestet mes shteteve duke theksuar nevojën e zgjidhjes së tyre në kuadër të dialogut dhe fqinjësisë së mirë.
“Ne inkurajojmë zgjidhjen e çështjeve të hapura dhe mosmarrëveshjeve në frymën e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare për zgjidhje paqësore”, thuhet në konkluzionet e miratuara.
Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov në fjalimin e tij ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të mundësoj nisjen e bisedimeve për anëtarësim paralelisht me ato për zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë.
“Këshilli Evropian e ka fjalën e fundit dhe jo Komisionin Evropian. Çështja politike nuk mund të zgjidhet vetëm me një qasje teknike dhe si e tillë kërkon guxim, vendosmëri dhe kreativitet nga Unioni. Nuk ka shembull më të mirë për këtë se Sllovenia dhe Kroacia, të cilat me ndihmën e Bashkimit Evropian arritën të gjejnë një zgjidhje për negociata paralele. Falë një qasjeje të tillë evropiane, sot Sllovenia dhe Kroacia janë drejtuesit e procesit Bërdo-Brioni”, tha Ivanov.
Samiti i radhës do të mbahet në Tiranë.