Ndërlidhjet

Zgjerimi, në rend dite në samitin e BE-së


Flamuj të BE-së të vendosur pranë ndërtesës së Komisionit Evropian në Bruksel. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Flamuj të BE-së të vendosur pranë ndërtesës së Komisionit Evropian në Bruksel. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Liderët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian zhvillojnë të enjten dhe premten në Bruksel samitin e radhës, në të cilin, mes shumë temave tjera, do të jetë edhe procesi i zgjerimit.

Temat kryesore të këtij samiti kanë të bëjnë me vazhdimin e ndihmës Ukrainës që të përballet me agresionin e Rusisë, me situatën në Lindjen e Mesme, me forcimn e kapaciteteve të mbrojtjes së BE-së dhe me përgatitjen e bllokut për zgjerimin e ardhshëm.

Pritet që gjatë këtij samiti, liderët e BE-së të japin dritën e gjelbër për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën, sipas një rekomandimi të bërë nga Komisioni Evropian para dhjetë ditësh. Një vendim i tillë është përfshirë në draftin e konkluzave që do të duhet ta miratojnë liderët në këtë samit, draft të cilin e ka siguruar edhe Radio Evropa e Lirë.

“Bazuar në rekomandimin e Komisionit Evropian nga 12 marsi i vitit 2024, Këshilli Evropian vendos të hapë negociatat e anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën. Këshilli Evropian fton që të miratohet korniza negociuese kur të ndërmerren hapat relevantë të caktuar, në rekomandimet e Komisionit nga 12 tetori i vitit 2022”, thuhet në draftin e këtyre konkluzave.

Sipas këtij formulimi, nëse liderët do të miratonin vendimin, atëherë nisja e negociatave do të varej nga miratimi i kornizës negociuese, pasi Bosnje e Hercegovina të përmbushë kriteret e caktuara.

Miratimi i kornizës është i domosdoshëm për të nisur negociatat e anëtarësimit me një shtet kandidat.

Këshilli Evropian është niveli më i lartë i BE-së, ai i shefave të shteteve apo qeverive të vendeve anëtare. Ndërsa Këshilli i BE-së është niveli i ministrave dhe nivelet tjera.

Sa i përket temave tjera të zgjerimit, në këto konkluza do të përmenden vetëm Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia. Aty po ashtu përmendet edhe nisja e debatit të brendshëm në BE për reformat në prag të zgjerimit.

“Këshilli Evropian shqyrtojë përgatitjet për zgjerim dhe reformave të brendshme duke rikujtuar se në të dy binarët duhet të avancohet paralelisht, për të siguruar që edhe vendet e ardhshme anëtare edhe BE-ja të jenë gati me kohë për anëtarësim. Këshilli Evropian do të adresojë reformat e brendshme në takimin e radhës me synimin që të miratojë deri në verën e vitit 2024 konkluzat për udhërrëfyesin për punën në të ardhmen”, thuhet në këtë draft.

Një ditë para nisjes së samitit, Komisioni Evropian miratoi një dokument për reformat para zgjerimit. Në të u përsërit se zgjerimi është një investim gjeostrategjik për paqe në rajon dhe se nga ky proces përfiton e gjithë Evropa. Sipas dokumentit, BE-ja po ashtu analizon ndikimin e zgjerimit në bllok, duke nisur nga çështjet politike e administrative, e deri te ato financiare.

KE-ja, përmes dokumentit për reforma, kërkoi që në procesin e zgjerimit, në disa pika, të kalohet nga miratimi i vendimeve me konsensus në vendim me shumicë të kualifikuar. Por disa vende anëtare, sidomos ato më të vogla, nuk mbështesin një gjë të tillë pasi mendojnë se e drejta e vetos u siguron atyre ruajtjen e interesave kombëtare dhe sadopak ndjenjën se janë të barabarta me vendet e tjera në BE. Procesi i votimit me shumicë të kualifikuar në Këshillin e BE-së favorizon vendet më të mëdha sepse kjo shumicë varet edhe nga numri i banorëve.

Në procesin e zgjerimit formalisht ndodhen dhjetë shtete. Nëntë prej tyre kanë statusin e vendit kandidat, ndërsa Kosova mbetet i vetmi shtet i cili ka aplikuar për anëtarësim në BE, por që kërkesa ende nuk është shqyrtuar formalisht.

Disa vende anëtare, sidomos ato në Baltik, kanë kërkuar që në këtë samit të caktohet edhe data e nisjes formale të negociatave të anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë. Por, aktualisht nuk ka pajtim për këtë çështje, pasi ende nuk është miratuar korniza negociuese nga ana e BE-së.

“Pas paraqitjes së draftit të kornizës negociuese për Ukrainën dhe Moldavinë, Këshilli Evropian fton Këshillin e BE-së që të vazhdojë punën”, thuhet në draftin e konkluzave.

Propozimin për kornizën negociues për këto dy vende e ka paraqitur Komisioni Evropian. Por, tani duhet të miratohet nga Këshilli në mënyrë që të hapen negociatat e anëtarësimit.

Sa i përket Gjeorgjisë, në konkluza thuhet se “Këshilli Evropian merr në dijeni vazhdimin e përpjekjeve aktuale dhe inkurajon këtë vend që të avancojë në reformat e mbetura si prioritet”.

Gjeorgjia ka statusin e vendit kandidat, por jo edhe rekomandimin për nisjen e negociatave të anëtarësimit.

Edhe në këtë samit, liderët e BE-së do të përsërisin përkushtimin për të mbajtur dhe forcuar sanksionet ndaj Rusisë për shkak të agresionit të saj ndaj Ukrainës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG