Një ditë pas samitit të përbashkët BE-Ballkani Perëndimor, liderët e Bashkimit Evropian në takimin e Këshillit Evropian do të diskutojnë edhe për procesin e zgjerimit.
Edhe pse vëmendja më e madhe është rreth Ukrainës, megjithëkëtë do të diskutohen edhe disa dosje nga vendet e Ballkanit Perëndimor, porse për to ka po ashtu disa mospajtime mes vendeve anëtare.
Shumica e vendeve të BE-së duan që Këshilli Evropian të shprehë gatishmërinë për të nisur negociatat e anëtarësimit edhe me Bosnje e Hercegovinën, por ka vende që e kundërshtojnë një gjë të tillë. Nuk ka pajtim as për hapjen e grupit të parë të kapitujve në negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë. Për Maqedoninë e Veriut përsëri kushtëzohet hapja e kapitujve të parë.
Për të gjitha këto mospajtime, kanë paralajmëruar në BE, do të diskutohet gjatë samitit që zhvillohet të enjten dhe të premten në Bruksel.
Në tekstin e draftit të konkluzioneve të përgatitura për t’u miratuar në këtë samit, do të konfirmohen edhe konkluzionet nga Këshillit i çështjeve të përgjithshme.
Sipas draftit, do të përsëritet se “BE-ja rikonfirmon përkushtimin e plotë dhe të pa rezervë për perspektivën e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor. Këshilli Evropian bën thirrje për përshpejtimin e këtij procesi”.
Do të përsëritet, po ashtu, se Këshilli Evropian mbështet edhe planin për rritje ekonomike në Ballkanin Perëndimor, si dhe integrimin gradual mes BE-së dhe rajonit gjatë procesit të zgjerimit.
Sa u përket vendeve veç e veç të rajonit, në versionin e tashëm të draftit të konkluzioneve përmenden vetëm Bosnja e Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut.
“Këshilli Evropian është i gatshëm të nisë negociatat e anëtarësimit në BE me Bosnje e Hercegovinën, kur të arrihet niveli i nevojshëm i përputhjes me kriteret e anëtarësimit”, është versioni i cili tash është në tekstin për këtë shtet. Austria dhe disa shtete kanë kërkuar që gjuha për Bosnje e Hercegovinën të jetë më pozitive.
Sa i përket Maqedonisë së veriut, sipas dokumentit, “BE-ja është e gatshme të kompletojë fazën e hapjes së negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut sapo ajo t’i përmbushë obligimet për të kompletuar ndryshimet kushtetuese siç është thënë në konkluzionet e Këshillit më 18 korrik 2022, në përputhje me procedurat e brendshme”.
“Këshilli Evropian fton Maqedoninë e Veriut të përshpejtojë kompletimin e këtyre ndryshimeve”, thuhet në draft.
Burimet e BE-së thonë se i tërë dokumenti i konkluzioneve do të varet nga arritja e konsensusit për Ukrainën dhe Moldavinë. Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka paralajmëruar se nuk do të pranojë vendimin për nisjen e negociatave me Ukrainën. Por, të 26 vendet tjera të BE-së insistojnë në miratimin e një vendimi të tillë.
Ndërkohë, Parlamenti Evropian ka miratuar një raport, nëpërmjet të cilit bën ftesë që të vendoset për nisjen e negociatave edhe me Ukrainën, me Moldavinë dhe me Bosnje e Hercegovinën. Po ashtu, raporti i PE-së kërkon që BE-ja t’i heqë masat ndaj Kosovës.
Parlamenti Evropian shpreh shqetësim edhe për sjelljen e Hungarisë, e cila, sipas PE-së, po e pengon procesin e zgjerimit, e po ashtu edhe për ndryshimin e politikës së Hungarisë ndaj Kosovës. Tjetër shqetësim i Parlamentit është fakti se Hungaria nga 1 korriku i vitit 2024 do të ketë kryesimin e radhës të BE-së.
Samiti në Bruksel është paralajmëruar të zgjasë dy ditë, por sipas burimeve në BE, ai mund edhe të vazhdohet në rast nevoje.