Ndërlidhjet

Ukraina bën thirrje që Rusia të përjashtohet nga samiti i G20-s


Presidenti rus, Vladimir Putin në Samitin e G20-s në Japoni. 28 qershor 2019.
Presidenti rus, Vladimir Putin në Samitin e G20-s në Japoni. 28 qershor 2019.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Oleh Nikolenko, i ka bërë thirrje grupit të 20 ekonomive më të mëdha në botë që të dëbojnë Rusinë dhe të anulojnë ftesën e presidentit rus, Vladimir Putin, në samitin e G20-s.

Në një postim në Twitter më 1 nëntor, ai tha se fakti që Putini e pranoi publikisht se ai urdhëroi sulmet me raketa ndaj civilëve ukrainas dhe infrastrukturës energjetike do të thotë se "duart e tij [janë] të njollosura me gjak" dhe se "ai nuk duhet të lejohet të ulet në tryezë me liderët botërorë."

Ky samit do të mbahet në Bali të Indonezisë në nëntor, e cila aktualisht udhëheq me presidencën e G20-s.

Lideri i Indonezisë, Joko Widodo, tha më 19 gusht se presidenti rus, Vladimir Putin, do të marr pjesë në samit.

Xhakarta u vu nën presionin e Perëndimit për të mos e ftuar Putinin në takimin e G20-s, pasi Indonezia njoftoi në prill se e kishte ftuar liderin rus.

Por, Indonezia ka mbajtur një pozicion neutral duke bërë thirrje për zgjidhje paqësore për luftën në Ukrainë dhe Widodo më herët gjatë këtij viti ka vizituar edhe Kievin, edhe Moskën.

Indonezia po ashtu ka ftuar në samit edhe presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në përpjekje për të gjetur një kompromis midis Moskës dhe Kievit.

Zelensky, shteti i të cilit nuk bën pjesë në grupin e 20 ekonomive më të mëdha në botë, ka thënë se ai do të marrë pjesë në samit, të paktën përmes video-lidhjes.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG