Ukraina fitoi pavarësinë e saj nga Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike më 1991, kur kishte një popullsi prej rreth 52 milionë banorësh – e dyta më e madhja në BRSS pas Rusisë, që kishte 147 milionë.
Tridhjetë e katër vjet më vonë, ky numër pothuajse është përgjysmuar. Pas aneksimit të Krimesë më 2014 dhe luftës në rajonin e Donbasit, si dhe pushtimit të vazhdueshëm në shkallë të gjerë nga Rusia, numri i njerëzve që jetojnë në territore të kontrolluara nga Kievi është rreth 29 milion, sipas llogaritjeve nga Instituti i Demografisë i Ukrainës – që përbën një tkurrje prej 45 për qind.
Dhjetëra apo madje edhe qindra mijëra ukrainas largohen nga vendi çdo vit, sipas Shërbimit Shtetëror të Rojës Kufitare të Ukrainës. Ekspertët thonë se sa më shumë të zgjasë lufta, aq më pak njerëz do të kthehen kur ajo të ketë përfunduar.
Sa ukrainas ndodhen tani në Ukrainë dhe jashtë saj?
“Lufta më ka detyruar ta nxjerr fëmijën tim jashtë. Ne arritëm në Varshavë në korrikun e 2022-tës. Nuk planifikonim të qëndronim gjatë. Të gjithë që kanë ikur mbase kanë pritur se do të rrinin dy javë deri në një muaj”, thotë Lina Syzonenko nga Poltava, në Ukrainën qendrore, e cila jeton në Poloni me vajzën e saj, Mariian, që gati tre vjet.
Miliona ukrainas, si Lina dhe Mariia, janë detyruar të largohen për shkak të luftës. Shifrat e sakta të atyre që kanë qëndruar në vend dhe atyre që kanë ikur janë të panjohura. Ukraina nuk ka kryer një regjistrim të përgjithshëm të popullsisë që nga viti 2001, dhe shërbimi statistikor i vendit ka ndalur pjesërisht mbledhjen dhe publikimin e të dhënave demografike, duke përmendur vështirësitë e lidhura me luftën.
Lufta pothuajse gjithmonë i përkeqëson trendët demografikë, duke rritur shkallën e vdekjes, dhe duke e ulur atë të lindjes. Por, në Ukrainë, emigracioni ka shkaktuar rënien më të madhe të shifrave të popullsisë – numrat e njerëzve që po largohen janë “thjesht të pabesueshëm”, thotë Oleksandr Hladun, zëvendësdrejtor i Institutit për Demografi dhe Cilësi të Jetës të Akademisë ukrainase të Shkencave.
Sipas shifrave të fundit nga Komisionari i Lartë për Refugjatët i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNHCR), gati 7 milionë refugjatë ukrainas jetojnë jashtë vendit aktualisht. Shumica e tyre, rreth 6.3 milionë, ndodhen në Evropë. Kjo shifër përfshin afro 1.3 milion ukrainas që kanë ikur në Rusi dhe në Bjellorusi, apo janë çuar atje. Këto të dhëna me gjasë vijnë nga rojat kufitare ruse dhe bjelloruse, dhe janë “pothuajse të pamundshme që të verifikohen”, sipas Hladunit.
Bashkimi Evropian ka aktivizuar Direktivën e tij për Mbrojtje të Përkohshme për herë të parë në histori, kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, teksa vendet anëtare u ofruan miliona ukrainasve strehim të përkohshëm, ndihma financiare dhe për banim, si dhe të drejtën për të punuar. Vetëm rreth 4.3 milionë ukrainas aktualisht e gëzojnë këtë status nëpër BE.
Disa vende po shqyrtojnë mundësinë t’i lejojnë refugjatët të qëndrojnë edhe pas përfundimit të luftës, duke zvogëluar edhe më tej gjasat e kthimit në atdhe të shumë ukrainasve. Republika Çeke, e cila u ka mundësuar strehim gati 400.000 refugjatëve ukrainas, së voni miratoi një ligj që do të mundësojë marrjen e lejes së banimit nga ata që kanë pavarësi ekonomike dhe kanë pasur statusin e të mbrojturit për të paktën dy vjet.
Njëqindmijë lindje më pak çdo vit
Përderisa miliona ukrainas po zhvendosen jashtë vendit, shkallët në rënie të lindjes – të cilat veçse kanë qenë të ulëta – përbëjnë një tjetër problem për demografinë e vendit. Shkalla e lindshmërisë, apo numri i fëmijëve të lindur për grua, duhet të jetë 2.1 që popullsia e një vendit të mbetet stabile pa imigracion. “Para pushtimit në shkallë të gjerë, [shkalla e përgjithshme e lindshmërisë] ishte 1.16. Që prej pushtimit është 0.9”, që sipas disa llogaritjeve nuk ka qenë asnjëherë më e ulët, thotë Dariya Marchak, zëvendësministre për politika sociale. Kjo shifër nënkupton se shkalla e lindshmërisë në Ukrainë është më e ulët se më të ulëtat në BE.
Shkallët e ulëta të lindjes përkeqësohen nga mobilizimi ushtarak i meshkujve të moshave 25 vjeç e mbi, dhe nga trysnia mbi qeverinë për të reduktuar edhe më tej moshën minimale të rekrutimit. Sipas statistikave të OKB-së, Ukraina ka rreth 1.5 milion burra të moshave ndërmjet 18 dhe 25-vjeçare. “Disa po fshihen nga shërbimi ushtarak, disa kanë ikur, duke kaluar ilegalisht kufirin... Disa të mitur që do t’i mbushin 18 vjet jetë mund të dalin jashtë, po ashtu”, duke lënë Ukrainën me më pak të rinj që janë të gatshëm apo të aftë për të krijuar familje, thotë Hladun.
Shkalla e vdekjes në Ukrainë, në anën tjetër, është rritur. Presidenti Volodymyr Zelensky ka thënë së voni se 46.000 ushtarë janë vrarë deri më tani gjatë pushtimit, që është një shifër mbase më e vogël sesa ajo reale. Demografi Hladun thotë se, përveç nga sulmet ajrore ruse, civilët po vriten edhe nga komplikimet mjekësore të shkaktuara nga pushtimi – siç janë sulmet në tru dhe në zemër si pasojë e stresit të shkaktuar nga lufta. Numri i vdekjeve në vit tani është gati trefish më i lartë se numri i lindjeve, duke e bërë Ukrainën ndër vendet me shkallët më të larta të vdekjes dhe me shkallët më të ulëta të lindjes.
A po largohen më shumë ukrainas nga vendi tani?
“I shikoj shifrat e UNHCR-së herë pas here, dhe numri i refugjatëve [ukrainas] ishte duke u zvogëluar deri në majin e 2024-tës. Shifra më e ulët ishte 5.9 milionë, e më pas ajo filloi të rritet sërish”, thotë Volodymyr Paniotto, udhëheqës i Institutit Ndërkombëtar të Kievit për Sociologji.
Sipas tij, situata në vijën e frontit, vonesat në dërgimin e armëve dhe ndjenja se lufta do të zgjasë kontribuojnë në vendimin e njerëzve për t’u larguar – si dhe “fakti që Rusia po përparon, ani pse ngadalë”.
Sipas të dhënave të kalimit të kufirit, ukrainasit janë larguar nga vendi 15.276.000 herë më 2024, përderisa janë regjistruar 14.834.000 hyrje – një deficit prej 442.000, shifër gati trefish më e lartë se më 2023.
Sa njerëz do të kthehen sapo të mbarojë lufta?
Sipas anketave të realizuara për Qendrën për Strategji Ekonomike, një institut ukrainas, numri i refugjatëve që sigurisht apo me shumë gjasë duan të kthehen në Ukrainë ka rënë në më pak se 50 për qind në nëntorin e vitit 2024, për herë të parë që nga fillimi i pushtimit.
Në nëntorin e 2022-tës, vetëm 10 për qind e refugjatëve thanë se sigurisht se nuk duan të rikthehen në Ukrainë – deri në fundin e 2024-tës kjo shifër u rrit në 34 për qind.
Anketat e kryera nga Instituti Ndërkombëtar i Kievit për Sociologji tregojnë, po ashtu, se 19 për qind e refugjatëve ukrainas jashtë vendit kanë marrë shtetësi tjetër apo kanë aplikuar për ta marrë atë, ndërsa 45 për qind do të donin ta merrnin atë.
Kreu i Institutit, Paniotto, thotë se numri i njerëzve që planifikojnë të mbeten jashtë vendit rritet për 100-150.000 çdo muaj. “Ata mësojnë gjuhën, gjejnë punë, fëmijët e tyre kanë perspektivë të mirë [jashtë]. Ne humbim njerëz të vrarë në front çdo muaj, por humbim 20, mbase 30 fish më shumë njerëz në muaj [nga emigrimi afatgjatë].
Si do të ndryshojë popullsia e Ukrainës pas luftës?
Instituti i Demografisë i Ukrainës parashikon se brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës do të jetojnë 30 milionë njerëz më 2035. “Prognoza pasqyron trendin që do të ndodhë nëse asgjë nuk ndryshon në vend... por gjithçka varet nga viti kur do të përfundojë lufta”.
Projeksione më të sakta nuk do të jenë të mundshme deri një kohë pas përfundimit të luftës. Hladun thotë se Ukraina do të duhet të kryejë një regjistrim të përgjithshëm, të cilin nuk e ka bërë që gati dy dekada e gjysmë, një vit apo dy pasi të përfundojnë luftimet, për t’iu dhënë emigrantëve kohë të kthehen ose të vendosin të qëndrojnë jashtë vendit.
Oleksiy Chernyshov, zëvendëskryeministër i Ukrainës, thotë se mbi 60 milionë ukrainas jetojnë në mbarë botën, dhe se vendi “po bën gjithçka që ukrainasit të shqyrtojnë rikthimin”.
“Kurrë më s’do të jemi 52 milionë”, thotë Hladun. “Duhet ta planifikojmë ekonominë dhe infrastrukturën tonë sociale rreth një popullsie prej 30 milionë banorësh... dhe të vlerësojmë cilësinë e jetës dhe një qeveri funksionale para madhësisë së popullsisë”.