Ndërlidhjet

Lituania thotë se “nuk ka konfirmim” se ushtarët amerikanë vdiqën gjatë stërvitjes


Ushtrime ushtarake në një poligon stërvitor në Pabrade, në veri të kryeqytetit Vilnius. Fotografi nga arkivi.
Ushtrime ushtarake në një poligon stërvitor në Pabrade, në veri të kryeqytetit Vilnius. Fotografi nga arkivi.

Ministrja e Mbrojtjes e Lituanisë, Dovile Sakaliene, ka thënë të mërkurën vonë se nuk ka "asnjë konfirmim" se katër ushtarë amerikanë - të cilët u zhdukën në Lituani gjatë një stërvitjeje ushtarake - kanë vdekur.

Ajo i bëri këto komente pak pasi sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, u tha gazetarëve në Varshavë se kishte marrë lajmin për "katër ushtarë amerikanë që u vranë në një incident në Lituani".

Sakaliene e hodhi poshtë deklaratën e Ruttes, duke u thënë gazetarëve në terrenin stërvitor në Pabrade, ku ushtarët amerikanë u zhdukën, se operacioni i shpëtimit është duke vazhduar.

"Ky është një operacion teknikisht shumë i ndërlikuar. Një operacion kërkimi dhe shpëtimi është duke vazhduar. Dua ta theksoj këtë. Nuk ka asnjë konfirmim", tha ajo.

Ndërkohë, Forcat e Armatosura të Lituanisë shkruan në X: "Për momentin, nuk ka asnjë provë apo informacion që konfirmon vdekjen e trupave".

Ushtria Amerikane në Evropë dhe Afrikë tha në një komunikatë më herët se katër ushtarët “po kryenin stërvitje të planifikuara taktike” kur u zhdukën të martën.

Qendra stërvitore lituaneze, Pabrade, ndodhet rreth 10 kilometra larg kufirit me Bjellorusinë.

Shefi i NATO-s tha se ai nuk di më shumë hollësi për këtë incident.

Në një komunikatë të mërkurën, Ushtria Lituaneze tha se zhdukja e ushtarëve u raportua në orën 16:45, me orën lokale, më 25 mars, ndërsa njoftimi zyrtar arriti te autoritetet në Vilnius deri në orën 19:20.

Ka filluar një operacion kërkimi ku janë përfshirë personel ushtarak, shërbime shpëtimi dhe zjarrfikës.

Policia lituaneze gjithashtu ka nisur një hetim.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG