Ndërlidhjet

Tre të vdekur nga sulmet ajrore gjatë natës në Ukrainë


Zelenskiy tha se qendra e transfuzionit të gjakut u godit nga një bombë ruse, Kupiansk, Ukrainë, 5 gusht 2023.
Zelenskiy tha se qendra e transfuzionit të gjakut u godit nga një bombë ruse, Kupiansk, Ukrainë, 5 gusht 2023.

Tre persona janë vrarë gjatë sulmeve ajrore dhe bombardimeve të vazhdueshme gjatë natës së 5-6 gushtit në Ukrainë, kanë thënë zyrtarët ukrainas të dielën.

Dy njerëz u vranë dhe katër të tjerë u plagosën në sulmet ajrore ruse në rajonin Harkiv në Ukrainë, tha kryetari i administratës ushtarake rajonale, Oleh Syniehubov.

Mbrojtja Ajrore e Ukrainës njoftoi se u ballafaqua me sulme masive me raketa gjatë natës së 5-6 gushtit, duke i shkatërruar 70 raketa dhe dronë që kishin për cak zona të ndryshme në Ukrainë.

Kievi tha se sistemi i vet mbrojtës i shkatërroi 12 prej 14 raketave të shkrepura nga deti, para se ato ta arrinin cakun e tyre.

Të gjithë 27 dronët Shahed u shkatërruan, po ashtu, tha Forca Ajrore e Ukrainës.

Gjatë sulmeve, Rusia e ka goditur me bombë një qendër të transfuzionit të gjakut në Kupiansk, në rajonin e Harkivit, në verilindje të vendit, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

“Vetëm ky krim lufte tregon gjithçka për agresionin rus”, tha Zelensky.

Rusia nuk ka komentuar rreth kësaj ngjarjeje. Në të kaluarën, ajo i ka mohuar akuzat se i po i sulmon civilët – apo se ka kryer krime lufte.

Qyteti Kupianski dhe vendbanimet përreth u pushtuan nga trupat ruse në ditët e para të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Moska, i cili nisi në shkurt 2022.

Por, kjo zonë u çlirua gjatë një kundërofensive ukrainase në shtator.

Në një postim në rrjetet sociale, Zelensky i përshkroi kryerësit e sulmit si “kafshë”.

“T’i mposhtesh terroristët është çështje nderi për secilin njeri që çmon jetën”, shtoi ai.

Ky sulm ndodhi vetëm një ditë pasi Moska tha se një cisternë nafte ruse u dëmtua nga një sulm ukrainas me dronë gjatë natës së 4 gushtit në Ngushticën e Kërçit, pranë një ure që e lidh Krimenë e aneksuar nga Moska me Rusinë.

Agjencia e lajmeve e Rusisë, TASS, e citoi Qendrën e Koordinimit të Shpëtimit Detar (QKSHD) të ketë thënë se është dëmtuar motori i cisternës ruse SIG nga një sulm ukrainas.

Kanalet ruse në Telegram raportuan fillimisht më 5 gusht se shpërthimet ndodhën në Ngushticën e Kërçit, duke e dëmtuar një cisternë nafte dhe duke e bllokuar përkohësisht trafikun mbi urë.

Cisterna e naftës SIG u sanksionua nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2019, për shkak se i kishte furnizuar forcat ruse në Siri me karburant për aeroplanë.

Pak ditë më parë, një anije e Marinës ruse u dëmtuan rëndë në portin Novorossiisk nga një sulm me dronë, për të cilin përgjegjësinë e mori Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës (SHSU).

Sulmet brenda dhe përreth Detit të Zi janë rritur qëkur Rusia nuk pranoi ta vazhdojë një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara (OKB) për eksportimin e drithërave ukrainase përmes detit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG